Botë

“Diskutimet pozitive” nxisin SHBA-në e Iranin për takim të ardhshëm

SHBA - Iran

Në takimin në Muskat të Omanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë pajtuar për të zhvilluar një raund tjetër bisedimesh javën e ardhshme lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike. Negociatat patën për synim krijimin e një kornize për marrëveshje të ardhshme mes kërkesave të SHBA-së për ndalim të armëve bërthamore të Iranit e qëllimit të tij për marrëveshje në këmbim të zbutjes së sanksioneve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë pasur bisedime “pozitive” dhe “konstruktive” në Oman të shtunën dhe janë pajtuar për t’u ritakuar javën e ardhshme, kanë thënë të dyja palët, pas raundit të parë të diskutimeve lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike.

“Mendoj se jemi shumë afër një baze për negocim dhe nëse mund ta konstatojmë këtë bazë javën e ardhshme, do të kemi rrugë të gjatë dhe do të nisim diskutime reale bazuar mbi të”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araqchi, për televizionin shtetëror.

Araqchi ka thënë se bisedimet zunë vend në një “atmosferë produktive, të qetë dhe pozitive”.

“Të dyja palët u pajtuan që të vazhdojmë bisedimet... me gjasë të shtunën e ardhshme... Irani dhe SHBA-ja duan një marrëveshje në afat të shkurtër. Nuk duam të bisedojmë vetëm për hir të bisedave”, ka thënë ai.

Ndërkohë në një komunikatë Shtëpia e Bardhë i ka quajtur “shumë pozitive dhe konstruktive” bisedimet e Steven Witkoffit, emisar i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, ambasadores amerikane në Oman, Ana Escrogima dhe Araçchit.

“Këto çështje janë shumë të komplikuara dhe diskutimet direkte të emisarit të posaçëm të Witkoffit sot ishin hap përpara në arritjen e një rezultati të dobishëm reciprok”, thuhet në komunikatë. “Palët ranë dakord që të takohen përsëri të shtunën e ardhshme”.

Bisedimet që u kualifikuan si hap i rëndësishëm fillestar për të vlerësuar nëse mund të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve lidhur me programin bërthamor iranian që është në avancim të hovshëm, ishin të parat e nivelit të lartë prejse në SHBA u rikthye si president Donald Trumpi.

“Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje të drejtë dhe të ndershme, nga një pozitë e barabartë. Dhe nëse pala tjetër ka të njëjtin synim, me vullnetin e Zotit, do të ketë shans për marrëveshje fillestare që mund t’u hapë rrugë negociatave”, ka thënë Aragchi, para takimit.

Në Iran po ashtu kanë shprehur pritjen që marrëveshja ta kufizojë porse jo edhe ta shfuqizojë tërësisht programin bërthamor të shtetit, në këmbim të zbutjes së sanksioneve. E Trumpi është shprehur i prerë se Irani nuk mund të posedojë armë bërthamore. Ai edhe pati paralajmëruar se SHBA-ja do të përdorë forcë ushtarake po qe se marrëveshja nuk arrihet.

Në mandatin e parë si president, Trumpi e pati tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e 2018-s mes Iranit e fuqive botërore, duke premtuar ujdi më të mirë.

Por deri më tani Irani ka refuzuar çdo përpjekje për rinegocimin e marrëveshjes bazë.

Në një deklaratë për gazetarët në Zyrën Ovale gjatë kësaj jave, Trumpi e pati kualifikuar takimin e së shtunës në Oman si “shumë të rëndësishëm”, ndërsa ka paralajmëruar se do të jetë ditë shumë e keqe për Iranin nëse bisedimet nuk do të prodhojnë sukses.

Diskutimet SHBA-Iran shënojnë kapitull të ri në marrëdhëniet e tensionuara mes shteteve. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 – e njohur zyrtarisht si Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit të Përbashkët (JCPOA) – u pa si shpresë, por SHBA-ja u tërhoq më 2018 dhe kjo nxiti sanksione ndaj Iranit, shtet ky që shtonte pasurimin e uraniumit. Si pasojë e sanksioneve, Irani pësoi goditje të rëndë ekonomike. Tash ky shtet është në gjendjen më të rëndë ekonomike ndonjëherë.

Pas ardhjes së Joe Bidenit në krye të SHBA-së më 2021, shtetet patën biseda indirekte për ringjallje të marrëveshjes, por që s’u arrit. Nga viti 2022 bisedimet ishin të ngrira.

Kërkesë eksplicite e Trumpit ka qenë që Irani s’duhet të lejohet të ketë armë bërthamore. Irani ka thënë se është i gatshëm të garantojë se nuk synon të prodhojë bombë atomike, por s’ka pranuar të heqë dorë nga programi bërthamor.

Irani po pasuron uranium me pastërti prej 60 për qind, që konsiderohet afër nivelit të nevojshëm për zhvillimin e armëve. Po ashtu ka grumbulluar sasi të mjaftueshme për të ndërtuar disa bomba. Por këmbëngulja e Teheranit është se programi i tij është paqësor. Sipas vlerësimeve, Irani mund të pasurojë mjaftueshëm uraniumin për një bombë të vetme për më pak se një javë dhe sasi për disa bomba brenda një muaji.