E përditësuar (15:05) - Ka shkuar në 19 numri i të vrarëve në rajonin jugor të Dagestanit të Rusisë, pasi disa persona të armatosur hapën zjarr në dy kisha, në një sinagogë dhe në një stacion policor.
Zyrtarët rusë fajësuan militantët islamikë për sulmin i cili raportohet të jetë kryer në mënyrë të koordinuar në dy qytete.
Dhuna e së dielës në kryeqytetin rajonal të Dagestanit është më vdekjeprurësi në Rusi që nga marsi, kur persona të armatosur hapën zjarr në një koncert në periferi të Moskës, duke vrarë 145 persona.
Dega e grupit të Shtetit Islamik në Afganistan, që mori përgjegjësinë për sulmin e marsit, komentoi sulmin në Dagestan, duke thënë se ai u krye nga "vëllezërit në Kaukaz që treguan se janë ende të fortë".
Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington argumentoi se dega e grupit të Shtetit Islamik në Kaukazin e Veriut, Vilayat Kavkaz, ka të ngjarë të jetë prapa sulmit, duke e përshkruar atë si "të ndërlikuar dhe të koordinuar".
Disa të vrarë nga sulmet në sinagoga e kisha në Dagestan të Rusisë
Disa policë, disa civilë dhe një prift kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve ndaj oficerëve të policisë, kishave dhe sinagogave në republikën e Kaukazit Verior të Rusisë, Dagestan, ka raportuar BBC.
Të dielën burrat e armatosur kanë shënjestruar qytetet Derbent dhe Makhachkala gjatë festivalit ortodoks, Pentecost.
Të vdekurit përfshijnë më shumë se 15 oficerë policie dhe disa civilë. Gjashtë nga sulmuesit janë vrarë dhe policia është duke i kërkuar të tjerët.
Dy kisha dhe dy sinagoga janë shënjestruar në sulmet e së dielës. Një prift i kishës ortodokse është vrarë në Makhachkala, qyteti më i madh i Dagestanit.
Sulmuesit nuk janë identifikuar akoma. Lideri republikan i Dagestanit, Sergei Melikov ka shpallur tri ditë zije, duke nisur nga e hëna.
“Ne e kuptojmë kush është pas organizatës së sulmeve terroriste dhe për qëllimet e tyre”, ka thënë Melinkovi.
Dagestani, një nga pjesët më të varfra të Rusisë, është republikë me shumicë myslimane.
Midis viteve 2007 dhe 2017, një organizatë xhihadiste e quajtur Emiratet e Kaukazit dhe më vonë Emirati Islamik i Kaukazit, ka organizuar sulme në Dagestan dhe republikat fqinje ruse të Çeçenisë, Ingushetisë dhe Kabardino-Balkaria.