Rusia ka lëshuar një seri dronësh dhe raketash në Ukrainë të shtunën, duke vrarë tetë njerëz dhe duke dëmtuar dhjetëra ndërtesa banimi si dhe infrastrukturën energjetike në të gjithë vendin, bënë të ditur zyrtarët ukrainas.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi në qytetin qendror të Poltavas, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur 13 të tjerë, përfshirë tre fëmijë.
E nga një sulm me dronë në qytetin e Kharkivit, një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën, raporton Reuters.
Tre policë u vranë gjatë sulmeve teksa patrullonin rrugët në një fshat në rajonin verilindor të Sumyt, thanë zyrtarët rajonalë.
“Mbrëmë Rusia sulmoi qytetet tona duke përdorur lloje të ndryshme armësh: raketa, dronë sulmues dhe bomba ajrore”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, duke shtuar se dëme u shkaktuan në gjashtë rajone.
“Çdo sulm i tillë terrorist dëshmon se ne kemi nevojë për më shumë mbështetje për t'u mbrojtur kundër terrorit rus. Çdo sistem i mbrojtjes ajrore, çdo armë antiraketë, shpëton jetë”, ka thënë presidenti ukrainas në aplikacionin Telegram.