Botë

Diplomati amerikan konfirmon se Trumpi e kushtëzoi ndihmën për Ukrainën

Foto: Reuters

Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, ka thënë se ka mbajtur të informuar Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në përpjekjet për t’i bërë presion Ukrainës që të hetojë një rival politik në këmbim të ndihmës ushtarake, duke thënë se në këtë situatë ka ekzistuar kushtëzimi.

Në Shtetet e Bashkuara ky veprim njihet si “quid-pro-quo”.

Në fjalimin e përgatitur për 20 nëntor para Dhomës së Përfaqësuesve, e cila është duke kryer hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, Sondland ka konfirmuar se ka biseduar në telefon me Trumpin, një ditë pasi presidenti i ka bërë presion liderit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.

Sondland ka thënë se ka ndjekur “urdhrat e presidentit” ku është marrë me Ukrainën dhe se ka punuar me avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të siguruar përsëri ndihmën në vlerë të qindra miliona dollarëve për Kievin.

“Giuliani ka kërkuar që Ukraina të bëjë një deklaratë publike për nisje të hetimeve”, për teoritë diskredituese rreth përpjekjeve ukrainase dhe jo atyre ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe për një kompani të gazit në Ukrainë që është e lidhur me djalin e Bidenit, raporton REL.

“Giuliani ka shprehur dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ne e kemi ditur se këto hetime kanë qenë të rëndësishme për presidentin”, është shprehur Sondland.

Deklaratat e Sondlandit mund të konsiderohen goditje kritike për Shtëpinë e Bardhë e cila insiston se nuk ka pasur lidhje në mes të ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë dhe hetimeve për Bidenin dhe djalin e tij, Hunter.

Mbrojtësit e Trumpit kanë theksuar se nuk ka ekzistuar ndonjëherë kushtëzimi.

Sondland ka thënë se ai i ka treguar nën-presidentit amerikan, Mike Pence shqetësimet se ndihma ushtarake për Ukrainën “është bërë e lidhur” me hetimet.

“Të gjithë kanë qenë të përfshirë. Nuk ka qenë sekret”, ka thënë ai.

Komentet e tij vijnë teksa Dhoma e Përfaqësuesve është duke mbajtur seanca publike në hetimet rreth Trumpit.

Ligjvënësit janë duke hetuar nëse Trump ka abuzuar me pushtetin kur ka tentuar të kërkojë ndihmë nga një qeveri e huaj për të heruar Bidenin, kundërsharin e tij potencial në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Përveç tjerash, Trump i ka përshkruar seancat publike si “gjyq kangurësh”.

Pasi ka përfunduar deklaratën e tij hapëse, Sonadland, hotelier i pasur dhe donator i madh i Trump, është përgjigjur në pyetjet hetimet kundër presidentit.

Duke marrë parasysh lidhjen e tij të ngushtë me Trumpin, të cilën presidenti Trump e ka mohuar, paraqitja e Sondlandit është pritur me shumë vëmendje dhe mund të jetë pikë kthese në hetimet kundër presidentit amerikan.

Javën e kaluar, zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, David Holmes ka dhënë hollësi në Dhomën e Përfaqësuesve për një bisedë telefonike në mes të Trumpit dhe Sondlandit, e cila sipas Holmes ka qenë e lidhur me hetimet për Bidenët.

Së fundmi Trump ka thënë se e njeh fare pak ambasadorin që ka emëruar vetë ai, mirëpo Sondland ka thënë se ka folur disa herë me presidentin rreth veprimeve të tij.