Botë

Diktatorin bjellorus s’ka kush ta ndalë

Rrëmbimi i një aeroplani udhëtarësh tregon deri ku është i gatshëm të shkojë presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, me përpjekjet e tij për të persekutuar kundërshtarët edhe jashtë vendit. Pjesëtarët e opozitës frikësohen se diktatori i fundit në Evropë do t’i përshkallëzojë edhe më shumë veprimet represive, shkruan revista gjermane, Der Spiegel

Dy të rinj në duar të armiqve. Në dy xhirime, secili prej tridhjetë sekondash, ata flasin për veten dhe për shkeljet e tyre. Roman Protasevich, 26 vjeç, e shikon drejt kamerën, duke folur zëshëm dhe qartë.

“Unë po e vazhdoj bashkëpunimin me hetuesit dhe po dëshmoj se si kam organizuar trazira masive në qytetin e Minskut”, thekson ai. E dashura e tij, Sofia Sapega, 23 vjeçe, e hedh shikimin aneqark dhomës. Mezi i lëviz buzët. “Unë jam edhe redaktore e kanalit të ‘Telegramit’, ‘Libri i Zi i Bjellorusisë’, që publikon informacione personale për punëtorët e Ministrisë së Brendshme”, thekson ajo.

Thellimi i izolimit

Në analizën e revistës gjermane, Der Spiegel, thuhet se fati i këtyre dy të rinjve tregon se deri ku mund të shkojë diktatori bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i cili urdhëroi rrëmbimin e aeroplanit “Ryanair”, që po fluturonte nga Athina drejt Vilniusit, për ta arrestuar gazetarin disident, Protasevich dhe të dashurën e tij, Sapega. Liderët e Bashkimit Evropian e denoncuan veprimin bjellorus. Minsku e detyroi pilotin ta ulte aeroplanin në kryeqytetin bjellorus duke pretenduar se kishte një kërcënim me bombë në bordin e fluturakes, e cila u shoqërua nga një aeroplan luftarak. Rrëmbimi u konsiderua pirateri e terrorizëm shtetëror, pavarësisht deklarimit të Lukashenkos se veproi në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri polak e cilësoi “si akt të pashembullt të terrorizmit shtetëror”.

“Duke e shënjestruar trafikun ajror ndërmjet kryeqyteteve të dy shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Lukashenko e ka izoluar edhe më shumë vendin e tij edhe ashtu të izoluar. Linjat ajrore evropiane më nuk po aterrojnë në Minsk dhe po i shmangen hapësirës ajrore mbi Bjellorusi”, ka shkruar Der Spiegel. “Kompania shtetërore, ‘Belavia’, më nuk po lejohet të fluturojë drejt shumë destinacioneve në Evropë. Ukraina fqinje ka ndaluar krejt trafikun ajror me Bjellorusinë”.

Lukashenko ka ardhur në pushtet para 27 vjetësh - ka më shumë vjet në krye të Bjellorusisë se sa ka vjet Protasevichit dhe Sapega. Revista gjermane kujton se pas protestave të verës së vjetme, regjimi i Lukashenkos ia doli të kthente qetësinë duke vepruar me grusht të hekurt.

Hija e gjatë e diktatorit

Image

“Por, tani po e shohim se Lukashenkos nuk i mjafton të përhapë frikën vetëm nëpër Bjellorusi – ai dëshiron ta zgjatë hijen e tij në mbarë Evropën. Ai nuk u frikësohet as sanksioneve, duke besuar se e ka përkrahjen e dorës së zgjatur të presidentit rus, Vladimir Putin”, shkruan Der Spiegel, teksa shtron dilemën nëse kjo sjellje e Lukashenkos vjen prej rrugaçërisë së tij politike, apo prapa saj ka një logjikë të caktuar. “Dhe, pse vuri në shënjestër Protasevichin dhe Sapegan?”

Protasevichi është gazetar dhe aktivist i njohur, duke përçuar mesazhin e shpresës në mesin e bjellorusëve, të cilët vjet nisën protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi i Lukashenkos. Dhe, fjala politikë në Bjellorusi ka kuptimin e represionit, shkruan mediumi i ekonomisë më të madhe evropiane.

“Ai ishte dhënë pas lajmeve të këqija dhe shpresave të shuara”, thekson Ekaterina Yerusalimskaya, ish-e dashura e Protaevichit. “Kah fillimi i verës së vitit të kaluar, ia hante mendja se ishin në rrugën e duhur, se regjimi shumë shpejt do të merrte fund”. Ai i kishte kërkuar një kolegu nëse mund t’i merrte një ose dy javë pushim. Kolegu e kishte përkrahur.

Kryeqyteti i bjellorusëve në ekzil

Vilniusi, qyteti i vjetër dhe kishat baroke, është më shumë se thjesht kryeqytet i Lituanisë: Është kryeqytet edhe i bjellorusëve në ekzil. Protasevichi ishte një prej dhjetëra mija bjellorusëve që jetonin në këtë qytet. Më e njohura prej të gjithëve është liderja opozitare, Svetlana Tikhanovskaya, e cila ishte rivale e Lukashenkos në zgjedhjet e vjetme presidenciale në gusht para se diktatori t’i kurdiste rezultatet dhe ta detyronte të largohej nga vendi. Stafi i kryeopozitares bjelloruse punon në një ndërtesë të xhamtë në periferi të qendrës së qytetit. Edhe ekipi i “Belamovas” në “Telegram” ndodhet në të njëjtën ndërtesë. Bota e bjellorusëve në ekzil është goxha e vogël, shkruan Der Spiegel.

Një universitet në ekzil është themeluar në ish-Manastirin Augustinian në qendër të qytetit: Universitetet Evropian i Shkencave Humane është detyruar të zhvendoset nga Minsku në Vilnius në vitin 2004. Sofia Sapega është studente e Drejtësisë. Ka pasaportë ruse, por është rritur në Bjellorusi, dhe porsa ka përfunduar tezën e masterit në Vilnius, titulluar: “E drejta e martesës: Standardet rajonale dhe universale të së drejtës ndërkombëtare”. Do të duhej ta mbronte tezën në fillim të qershorit.

Der Spiegel i është referuar vlerësimit të një ligjëruese për Sapegën si “studente shumë e mirë, jo emocionale dhe e rezervuar”. Ligjëruesja thotë se Sapega ishte e interesuar në historinë e artit – dhe “përfundimisht jo për politikë”.

Veç fjalë nga Evropa!

Gjatë kthimit të çiftit nga Greqia - ku ishin për pushime - në Lituani, aeroplani u detyrua të aterronte të Minsk. Protasevichi e kishte nuhatur menjëherë rrezikun. “Romani u ngrit, po i dridhej krejt trupi dhe dukej i tmerruar. Ekuipazhi u kërkoi të gjithëve të uleshin, por ai tha zëshëm: ‘Kemi një refugjat politik në bord, nuk mund të ulemi në Minsk!”. Kështu e përshkruan situatën Andrius Elsbergas, që ishte ulur në radhët para Protasevichit. Në aeroport, pasagjerët nuk e panë më Protasevichin dhe Sapegan. Sapega ia doli t’ia shkruante vetëm një fjalë nënës në “WhatsApp”: “Mama”.

“Çfarë po ndodh aktualisht në Bjellorusi nuk është qe 40 vjet në Evropë”, thekson Pavel Latushko, ish-diplomat bjellorus dhe ish-ministër Kulture, i cili pas Tikhanovskayas, është një prej figurave më të njohura në ekzil. Ai i ka thënë Der Spiegelit se 35 mijë bjellorusë janë arrestuar dhe se 421 mijë të burgosur politikë po mbahen prapa grilave. Ai ka thënë se në këtë sens, edhe aksioni për arrestimin e Protasevichit ishte “absolutisht logjik”.

“Për nëntë muaj me radhë, në krejt kryeqytetet evropiane, ne po thoshim: Lukashenko nuk do dialog – ai do t’i shkatërrojë kundërshtarët. Kemi marrë përkrahje në formën e fjalëve, por askush nuk ndërmori asgjë”, thekson Latushko.

Fushata masive e përndjekjes

Kishte paralajmërime që ishin dhënë nga opozita. Në prill, ministri Brendshëm bjellorus njoftoi edhe për “përndjekjen” e armiqve jashtë vendit. Një deputet i njohur në Minsk shkroi gjatë javës së kaluar në Facebook se Latushko e kishte radhën për t’u kthyer në Bjellorusi “në një bagazh” për të marrë dënimin e merituar.

Artyom Shraibman, analist politik, i ka thënë Der Spiegelit se ndëshkimi i të gjithë kundërshtarëve është prioriteti kryesor i Lukashenkos. “Dhe, devijimi i rutës së aeroplanit flet pikërisht për këtë logjikë”.

Ai ka thënë se Lukashenko kaherë ka hequr dorë nga ndikimi që ka kjo sjellje në reputacionin e tij. “Po ta dinte mjaftueshëm me kohë se në aeroplan ishte Tikhanouskaya, me siguri se do ta detyronte edhe aeroplanin tjetër të aterronte”, ka thënë ai.

Dhe frika ka nisur tashmë të përhapet edhe në kryeqytetin lituan, ku figura të njohura bjelloruse në ekzil po kërkojnë mbrojtje nga policia. Ligjëruesit bjellorusë nuk po largohen nga qyteti nga frika e persekutimit. Të gjithë e dinë se Protasevichi dhe Sapega janë viktima të një fushate të madhe hakmarrëse të Lukashenkos, shkruan Der Spiegel. Megjithëse Sapegas nuk i është lejuar takimi me avokatin, e ka takuar një konsull rus.

“Ai ka thënë se ajo ishte mërzitur”, ka thënë nëna e saj. Megjithatë, e ëma, e cila jeton në Minsk, ia ka dalë t’i dërgojë rroba të ngrohta në një qendër të mbajtjes së kohës së KGB-së. Prindërit e Protasevichit ishin larguar vjet nga vendi. Jetojnë në Poloni me frikën për shëndetin e të birit. Vetëm të enjten, avokates i është lejuar ta takojë Protasevichin. Duke folur para gazetarëve, ajo ka thënë se Protasevichi “ishte në humor të mirë, pozitiv dhe i hareshëm”.

Përktheu: Rexhep Maloku