Rekomandimi për lirimin e burrave u bë nga një panel këshillues i emëruar nga Qeveria e Gujaratit. Kritikët thonë se vendimi ishte i ndotur nga politika, mizogjinia dhe diskriminimi fetar
Duke qëndruar në një rresht jashtë portave të qendrës së paraburgimit Godhra, në Gujarat, Indinë perëndimore, 11 burrat e moshës së mesme mund të jenë ngatërruar me burrat që mbajnë poste të larta.
Në realitet, ata ishin pjesë e grupit hindu të vitit 2002. Ky grup sapo ishte liruar pasi mbajti 14 vjet nga burgimi i përjetshëm për një nga krimet më të tmerrshme në historinë e re të Indisë.
Që nga lirimi i tyre në muajin gusht - në Ditën e Pavarësisë së Indisë - burrat janë shpërndarë në të gjithë vendin, shkroi CNN.
Por ka një person që nuk mund t'u shpëtojë kurrë pasojave të sulmit të 20 vjetëve më parë - Bilkis Bano, e cila ishte vetëm 21 vjeçe dhe shtatzënë kur u përdhunua nga grupi që vrau 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë një 3-vjeçare.
Bano ishte shumë e shqetësuar për të folur për lirimin e burrave, por lëshoi një deklaratë përmes avokatit të saj, duke thënë se ajo nuk ishte konsultuar për vendimin dhe se kishte "lëkundur" besimin e saj te drejtësia. “Trishtimi im dhe besimi im i lëkundur nuk janë vetëm për mua, por për çdo grua që po lufton për drejtësi në gjykata”, thuhet në deklaratë.
Rekomandimi për lirimin e burrave u bë nga një panel këshillues i emëruar nga Qeveria e Gujaratit, e udhëhequr nga partia Bharatiya Janata (BJP) e Narendra Modit. Kritikët thonë se vendimi ishte i ndotur nga politika, mizogjinia dhe diskriminimi fetar dhe ekspozon atë që ata e shohin si hipokrizi të drejtuesve të BJP-së që pretendojnë se mbështesin barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Disa ligjvënës dhe aktivistë i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë që burrat të riarrestohen.
Disa ligjvënës thanë se vendimi kishte ngjyrime politike, që erdhi vetëm katër muaj përpara se BJP-ja të shpresonte të siguronte rizgjedhjen në zgjedhjet e shtetit të Gujaratit.
Subhashini Ali, një ish-deputete dhe nënkryetare e Shoqatës së Grave Demokratike të Gjithë Indisë, e cila ka paraqitur një peticion të veçantë në Gjykatën e Lartë, tha se nëse qëllimi ishte të polarizonte votuesit, ai kishte dështuar. "Për herë të parë po zbuloj se edhe mbështetësit e BJP-së nuk po mbështesin atë që kanë bërë", tha ajo.
Qeveria e Gujaratit dhe ajo qendrore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Trazirat vdekjeprurëse
Lufta e Banos për drejtësi daton që nga viti 2002, kur në Gujarat shpërthyen përçarjet shekullore midis shumicës hindu dhe myslimanëve, të cilët sipas shifrave të fundit të regjistrimit të popullsisë, nga më shumë se një dekadë më parë, përbënin rreth 10% të popullsisë së shtetit dhe rreth 14% në mbarë vendin.
Në atë kohë turmat hindu u vunë zjarrin shtëpive dhe dyqaneve myslimane si hakmarrje për bombardimin me zjarr të një treni pranë Godhrasit, i cili vrau dhjetëra aktivistë hindu dhe u fajësuan myslimanët.
Aktivistët kishin bërë fushatë për të ndërtuar një tempull në vendin e xhamisë Babri Masjid në Ayodhya, një qytet që shumë hindu besojnë se është vendlindja e Ramas, mishërimi i Vishnus, një nga hyjnitë më të fuqishme të hinduizmit.
Myslimanët ishin ende të pikëlluar për humbjen e xhamisë së lashtë të vitit 1992, e shkatërruar nga nacionalistët hindu, siç thuhet me çekiç, shufra dhe lopata. Kjo shkaktoi dhunën sektare më vdekjeprurëse të Indisë që nga pavarësia në vitin 1947.

Një hetim zbuloi se Modi - në atë kohë kryeministër i Gujaratit - nuk ishte fajtor për trazirat në vitin 2002, që vranë më shumë se 1 mijë njerëz - duke përfshirë familjen e Banos. Bano më vonë i tha gjykatës se burrat vrapuan drejt tyre me shpata, shkopinj dhe drapërinj. Sipas dokumenteve të gjykatës, njëri kapi vajzën e saj të vogël dhe e përplasi për toke. Tre burra e përdhunuan, ndërsa të tjerët i sulmuan motrat, hallat dhe vajzat e tyre. Ajo ra pa ndjenja dhe u zgjua disa orë më vonë e rrethuar nga trupa.
Në vitin 2008, pas një gjyqi të profilit të lartë, sulmuesit e saj u dënuan me burgim të përjetshëm për përdhunim dhe vrasje – dhe Bano shpresonte se ata do të qëndronin aty. Por këtë gusht Qeveria e shtetit u dha atyre falje, sipas një dispozite në Kodin e Procedurës Penale të Indisë që lejon të burgosurit të lirohen pasi të kryejnë 14 vjet burgim.
Moitra, nga partia e Kongresit All India Trinamool, u tmerrua nga ideja se Bano, tashmë në të 40-at, do të duhej të kthehej sërish në gjykatë, kështu që ajo dhe aktivistë të tjerë kundërshtuan lirimin në Gjykatën e Lartë në emër të saj.
“Të gjithë mendojnë se Bilkisa do të ishte ajo që do të bënte një peticion rishikimi. (Por) ajo ishte e rraskapitur”, tha Moitra. “Ajo nuk mund ta besonte se drejtësia do të përfundonte kështu”.
"Kështu që unë mendoj se ishte detyrë e të gjithë neve ta bënim atë".
Pse u liruan?
Gjykata e Lartë luajti një rol në lirimin e të burgosurve dhe tani do të vendosë nëse ai duhet të mbështetet apo të anulohet, sipas Sanjay Hegde, një avokat i lartë në gjykatë.
Ai tha se gjykata kishte urdhëruar më herët autoritetet të marrin në konsideratë lutjen e të burgosurve për lehtësim sipas një politike të faljes së vitit 1992.
Kjo politikë u jepte të drejtë të gjithë të burgosurve që të kërkonin falje pas 14 vjetësh, pavarësisht se çfarë krimi kishin kryer. Rregullat u shtrënguan në vitin 2014, kështu që disa kriminelë, përfshirë përdhunuesit dhe vrasësit, nuk kanë të drejtë për lirim të parakohshëm.

Kryesekretari shtesë i Gujaratit, Raj Kumar, i tha Press Trust of India (PTI) se burrat u liruan sipas rregullave që ishin në fuqi në kohën e dënimit të tyre.
Presidentja kombëtare e krahut të grave të BJP-së, Vanathi Srinivasan, tha se Qeveria e Gujaratit ndoqi ligjin. "Ata nuk u liruan për arsye politike", tha ajo, sipas PTI-së.
Megjithëse sistemi i kastës ka qenë prej kohësh i jashtëligjshëm në Indi, sistemi tradicional i hierarkisë sociale i mban brahminët hindu mbi kastat e tjera – dhe veçanërisht mbi myslimanët.
Gjatë tetë vjetëve të fundit të Modit në pushtet, shumë myslimanë thonë se intoleranca fetare është bërë më e theksuar dhe krimet kundër myslimanëve janë më të zakonshme.
Një jetë e fshehur
Yakub Rasool, bashkëshorti i Banos, pranoi të takonte CNN-in pranë një autostrade në distriktin Godhra të Gujaratit, në mënyrë që të mos zbulonte vendndodhjen e gruas së tij, e cila është fshehur. "Bilkisa është aq e mërzitur sa nuk po flet me askënd", tha ai.
Rasool tha se çifti kishte ndërruar shtëpitë deri në 20 herë në dy dekadat e fundit dhe tani kishte frikë nga ndëshkimi nga burrat, të cilët jetonin në të njëjtin fshat kur shpërthyen trazirat.
“Që kur ndodhi ngjarja na u desh të largoheshim nga fshati, por edhe sot rreth 150 familje myslimane jetojnë atje”, tha ai. “Të gjithë ata janë të frikësuar. Ata mendojnë se këta burra do të krijojnë telashe pasi tani janë të lirë”.
Në të gjithë Indinë u mbajtën protesta në mbështetje të Banos, duke e dënuar vendimin si një sulm jo vetëm ndaj myslimanëve, por edhe ndaj të drejtave të grave në një vend ku të dhënat e Qeverisë tregojnë se një grua përdhunohet çdo 17 minuta. Disa e panë lirimin e sulmuesve si një hap të qëllimshëm për votat e mbështetësve të BJP-së përpara zgjedhjeve shtetërore të Gujaratit.
"Mesazhi që Qeveria e Gujaratit po u dërgon votuesve të saj është se ne mbështesim burrat që përdhunuan gratë myslimane në trazirat e vitit 2002 - votoni për ne", u tha aktivistja Kavita Krishnan mbështetësve në një tubim në Delhi në gusht.
Kritikët thonë se vendimi pasqyron shkëputjen midis mesazheve të Qeverisë për të drejtat e grave dhe realitetit të përditshëm për shumicën e grave. Burrat u liruan në Ditën e Pavarësisë, në të njëjtën ditë që Modi iu drejtua kombit nga një podium në Kalanë historike të Kuqe në Delhi, duke u kërkuar bashkatdhetarëve të tij që të tregojnë respekt për gratë.
“Për ta duhet të ketë një ndjenjë respekti dhe në këtë, qeveria, administrata, policia dhe sistemi i drejtësisë do të duhet të kryenin detyrën njëqind për qind. Ne duhet ta bëjmë këtë rezolutë”, tha Modi.
Por Rasooli thotë se atje jashtë nuk kishte respekt për gruan e tij, e cila luftoi për drejtësi për shumë vjet.
Çifti kërkon ndryshimin e vendimit, ashtu si edhe ata që kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë. “Ne besojmë fuqishëm se ajo që ndodhi me Bilkisan ishte e gabuar dhe të dënuarit duhet të kthehen në burg”, tha ai.
Përktheu: Forca Jashari