Botë

Dhjetëra të vdekur si pasojë e rrufeve dhe shiut në Pakistan

Pakistan - përmbytje

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën në Pakistan si pasojë e shiut jashtëzakonisht të dendur dhe rrufeve që goditën jugperëndimin e vendit.

Disa nga personat që kanë humbur jetën janë goditur nga rrufeja gjatë kohës sa kanë qenë duke korrur grurë, kanë njoftuar autoritetet e vendit.

Vetëm në provincën më të populluar të Pakistanit, Punjab, 21 persona kanë vdekur si pasojë e goditjes nga rrufetë, midis të premtes dhe të dielës, raporton BBC.

Tokat bujqësore në disa zona janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut, të cilat kanë shkaktuar edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike si dhe rrjetit të transportit.

Me më shumë reshje shiu që priten në ditët në vijim, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive i Pakistanit ka paralajmëruar gjithashtu për rrëshqitje të dheut dhe përmbytje të tjera.

Përmbytje të mëdha janë raportuar edhe në Afganistanin fqinj. Të paktën 33 persona kanë humbur jetën dhe qindra shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar, sipas autoriteteve afgane.

Pakistani ka përjetuar shtim të ngjarjeve ekstreme të motit.

Në vitin 2022, si pasojë e përmbytjeve, 1.700 njerëz kanë humbuar jetën dhe mijëra të tjerë janë lënduar. Miliona njerëz kanë mbetur të pastrehë dhe nuk kishin ujë të pijshëm për disa muaj.

Pakistani renditet si vendi i pestë më i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, sipas Indeksit Global të Rrezikut Klimatik të OKB-së.