Botë

Dhjetëra mijëra izraelitë në protestë, kërkojnë marrëveshje për pengjet në Gaza

Protesta në Izrael

Foto: BBC

Dhjetëra mijëra izraelitë janë mbledhur në Tel Aviv kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar marrëveshje për pengjet në Gaza, raportoi të dielën BBC-ja.

Tubimet në kryeqytetin e Izraelit dhe në qytete të tjera ndodhën pasi Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) gjetën trupin e pengut Elad Katzir.

Protestuesit brohorisnin "Zgjedhje të menjëhershme" dhe "Elad, na vjen keq", derisa u shpërndanë me forcë nga policia. 

Protestuesve antiqeveritar iu bashkuan familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza. Ata shprehën zhgënjimin e tyre me paaftësinë e qeverisë për të liruar rreth 130 pengje që mbeten në Gaza, të mbajtura nga Hamasi.

Gjatë së shtunës, IDF-ja ka gjetur trupin e Elad Katzirit, i cili u kap dhe u dërgua në Gaza gjatë sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

"Elad Katzir arriti të mbijetonte tre muaj në robëri. Ai duhet të ishte me ne sot, por nuk arriti", ka thënë protestuesi Noam Peri.

Sipas organizatorëve, rreth 45 mijë njerëz kanë marrë pjesë në protesta.

Të dielën, gjashtë muaj që kur sulmet e Hamasit shkaktuan luftën në Gaza, negociatorët planifikojnë të takohen në Kajro për të tentuar arritjen e armëpushimit në luftën brutale.

Sipas disa raporteve të mediave, drejtori i CIA-s Bill Burns dhe kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, do t’i bashkohen negociatorëve nga Egjipti, Izraeli dhe Hamasi.

Motra e Katzirit, Carmit Palty Katzir, fajësoi autoritetet izraelite për vdekjen e vëllait të saj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se ai do të ishte kthyer i gjallë nëse do të kishin rënë dakord për marrëveshje të re armëpushimi.

“Kryeministri, kabineti i luftës dhe anëtarët e koalicionit, duhet ta shikojnë veten në pasqyrë dhe të tregojnë nëse duart nuk ju derdhin gjak”, ka thënë ajo.