Një dekadë pas sulmit të Shtetit Islamik, anëtarët e komunitetit Yazidi janë kthyer në shtëpitë e tyre në Sinjar. Por pavarësisht rëndësisë së thellë emocionale dhe fetare të atdheut të tyre, shumë prej tyre nuk shohin më të ardhme atje. Nuk ka para për t’i rindërtuar shtëpitë e shembura. Infrastruktura është ende e shkatërruar. Grupet e shumta të armatosura ende e vëzhgojnë zonën
Kur Rihan Ismaili u kthye në shtëpinë e familjes së saj në zemër të komunitetit të saj Yazidi, ajo ishte e sigurt se u kthye një herë e mirë.
Ajo e ka dëshiruar këtë moment gjatë viteve të gjata në robëri.
Militantët e Shtetit Islamik e kanë rrëmbyer Ismailin, atëherë adoleshente, teksa po sulmonin rrethin Sinjar të Irakut, duke vrarë dhe skllavëruar mijëra njerëz nga pakica fetare Yazidi.
Ndërsa e zhvendosën nga Iraku në Siri, asaj i kujtohej jeta në shtëpinë e saj: një fëmijëri e mbushur me të qeshura, një komunitet i lidhur kaq ngushtë, ku shtëpia e fqinjit është si e jotja. Pasi rrëmbyesit e çuan në Turqi, ajo më në fund arriti ta merrte një telefon, ta kontaktonte familjen e saj dhe ta planifikonte planin e shpëtimit.
“Si mund të largohem përsëri?” tha Ismaili, 24-vjeçare, për Associated Press vitin e kaluar, menjëherë pas kthimit në fshatin e saj, Hardan.
Realiteti u rikthye shpejt.
Shtëpia ku ajo jeton me vëllain e saj, një oficer policie, gruan dhe vogëlushin e tij, është një nga të paktat shtëpi që ende qëndrojnë në fshat. Një shkollë poshtë rrugës strehon familje të zhvendosura që nuk kanë ku të shkojnë tjetër.
Babai dhe motra e saj më e vogël ende janë të zhdukur. Në një varrezë në buzë të fshatit, tre nga vëllezërit e saj janë të varrosur së bashku me 13 burra dhe djem të tjerë vendas të vrarë nga Shteti Islamik dhe të gjetur në një varr masiv.
Ismaili kalon andej sa herë ka një punë në ndonjë qytet fqinj.
“Ndihem sikur vdes një mijë herë kur kaloj andej”, thotë ajo.
Lidhja emocionale me atdheun
Një dekadë pas sulmit të Shtetit Islamik, anëtarët e komunitetit Yazidi janë kthyer në shtëpitë e tyre në Sinjar. Por pavarësisht rëndësisë së thellë emocionale dhe fetare të atdheut të tyre, shumë prej tyre nuk shohin më të ardhme atje.
Nuk ka para për t’i rindërtuar shtëpitë e shembura. Infrastruktura është ende e shkatërruar. Grupet e shumta të armatosura ende e vëzhgojnë zonën.
Dhe peizazhi është i përhumbur nga kujtime të tmerrshme. Në gusht të vitit 2014, militantët e sulmuan Sinjarin, të vendosur për ta çrrënjosur grupin e vogël fetar të izoluar që ata e konsideronin heretik. Ata vranë burra dhe djem, shitën gratë si skllave seksuale ose i detyruan të konvertoheshin dhe të martoheshin me militantë. Ata që arritën, ikën.
Kanë kaluar shtatë vjet që kur Shteti Islamik u mund në Irak. Por që nga prilli i vitit 2024, vetëm 43 për qind e më shumë se 300 mijë njerëzve të zhvendosur nga Sinjari janë kthyer, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit.
Disa kanë frikë se nëse Yazidët nuk kthehen, komuniteti mund ta humbasë identitetin e tij.
“Sinjari është qendra e gravitetit Yazidi”, thotë Hadi Babasheikh, vëlla dhe menaxher i zyrës së liderit shpirtëror Yazidi, i cili mbajti postin gjatë mizorive të Shtetit Islamik. “Pa Sinjarin, yazidizmi do të ishte si pacient që po vdes nga kanceri”.
Ky cep i largët i vendosur strategjikisht në Irakun veriperëndimor pranë kufirit sirian ka qenë shtëpia e Yazidëve për shekuj me radhë. Fshatrat janë të shpërndara nëpër një fushë gjysmë të thatë të mbushur me dele, një fabrikë çimentoje dhe dyqane të pijeve.
Në qytetin Sinjar, në qendër, ushtarët qëndrojnë para dyqaneve të vogla në rrugën kryesore. Tregu i blegtorisë sjell blerës dhe shitës nga fshatrat fqinjë dhe më gjerë. Aty-këtu, ekipet e rindërtimit punojnë për t’ia rikthyer sadopak gjallërinë vendit.
Por në zonat periferike, shenjat e shkatërrimit - shtëpi të shembura, stacione karburanti të braktisura - shihen kudo. Rrjetet e ujit, objektet shëndetësore dhe shkollat, e as faltoret fetare nuk janë rindërtuar ende. Distrikti kryesor mysliman sunit i qytetit Sinjar mbetet në gërmadha.
Qeveria qendrore në Bagdad dhe autoritetet në rajonin gjysmë-autonom kurd kanë luftuar për Sinjarin, ku për vite secili e ka mbështetur një qeveri lokale rivale.
Kjo mosmarrëveshje po shfaqet tani në një debat mbi kampet e zhvendosjes në rajonin kurd që strehojnë shumë nga ata që ikën nga Sinjari.

Mbyllja e kampeve lë Yazidët në hamendje
Në fillim të këtij viti, Bagdadi urdhëroi mbylljen e kampeve deri më 30 korrik dhe ofroi pagesa prej 4 milionë dinarësh për banorët që largoheshin.
Karim al-Nuri, zëvendësministër për të zhvendosurit, këtë muaj theksi se vështirësitë në rikthimin në Sinjar “janë kapërcyer” dhe se kthimi i të zhvendosurve është “një imperativ zyrtar, humanitar dhe moral”.
Por autoritetet kurde thonë se nuk do t’i dëbojnë banorët e kampit.
Sinjari “nuk është i përshtatshëm si vendbanim për njerëzit”, thotë Khairi Bozani, këshilltar i presidentit rajonal kurd, Nechirvan Barzani. “Qeveria supozohet t’i çojë njerëzit nga një vend i keq në një vend të mirë dhe jo anasjelltas”.
Khudeida Murad Ismaili refuzon të largohet nga kampi në Dohuk, ku ai drejton një dyqan të improvizuar që shet vezë, noodles, biberonë dhe këna për flokë. Largimi do të nënkuptonte humbjen e mënyrës së jetesës së tij dhe pagesa nuk do ta mbulonte rindërtimin e shtëpisë së tij, ka treguar ai.
Nëse kampet mbyllen, ai thotë se do të qëndronte në zonë, do të merrte me qira një shtëpi dhe do të kërkonte punë tjetër.
Ai pranoi se nëse shumë Yazidi qëndrojnë larg Sinjarit, grupe të tjera ka të ngjarë të popullojnë zonat e tyre. Kjo e trishton atë, tha ai, “por nuk kam në dorë asgjë”.
Por urdhri për mbylljen e kampit dhe pagesat e zhvendosjes kanë nxitur një rritje të kthimeve.
Më 24 qershor, familja nëntanëtarëshe e Barakat Khalilit iu bashkua një autokolone kamionësh të mbushur me dyshekë, batanije dhe sende shtëpiake, duke lënë qytetin Dohuk, që kishte qenë shtëpia e tyre për gati një dekadë.
Ata tani jetojnë në një shtëpi të vogël me qira në qytetin Sinjar. I kanë rregulluar dyert dhe dritaret e thyera dhe gradualisht po e mobilojnë shtëpinë. Madje po mbjellin çka munden.
Shtëpia e tyre e vjetër, në një fshat aty pranë, është shkatërruar. Një organizatë humanitare hoqi rrënojat, duke mos lënë gjë tjetër përveç themelit, por nuk mundi t’i ndihmonte ata ta rindërtonin shtëpinë. Halili kishte kaluar shtatë vjet duke e ndërtuar shtëpinë, duke kursyer gradualisht para nga puna e tij në ndërtim.
“Ne qëndruam në të për dy muaj dhe më pas militantët erdhën dhe e hodhën në erë”, tregon ai.
Tani, “është një jetë krejtësisht e re - ne nuk njohim askënd këtu”, thotë vajza 25-vjeçare e Khalilit, Haifa Barakatit. Ajo është e vetmja anëtare e familjes që punon, në farmacinë e spitalit lokal.
Edhe pse jeta në Sinjar tani për tani është e pranueshme, ajo shqetësohet për sigurinë e tyre.
Shqetësimet për sigurinë
Pjesë të ndryshme të territorit patrullohen nga ushtria irakiane dhe forcat kurde, së bashku me milici të ndryshme që erdhën për ta luftuar Shtetin Islamik dhe nuk u larguan kurrë.
E shquar në mesin e tyre është Njësia e Rezistencës Sinjar, ose “YBS”, një milici Yazidi që është kryesisht pjesë e Forcave Shiite të Mobilizimit Popullor.
Turqia kryen rregullisht sulme ajrore kundër anëtarëve të saj sepse është në linjë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK, një grup separatist kurd që ka zhvilluar një kryengritje në Turqi.
Në selinë qendrore të YBS-së pranë kufirit sirian, komandanti i atëhershëm i grupit, Khalid Rasho Qassim, i njohur gjithashtu si Abu Shadi, në një intervistë vitin e kaluar pati thënë se grupi i tij kishte luftuar Shtetin Islamik kur forcat zyrtare u larguan.
“Të rinjtë po na bashkohen sepse e panë që ne i mbronim”, pati theksuar ai.
Më pak se një javë më vonë, ai u vra nga një sulm ajror turk. Të njëjtin fat e pati edhe paraardhësi i tij.
Prania e grupeve të armatosura ndonjëherë e ka ndërlikuar gjithashtu rindërtimin. Në vitin 2022, një shkollë e dëmtuar në Sinjar u rehabilitua nga një OJQ japoneze e quajtur “IVY”, me shpresën për ta lehtësuar mbipopullimin në disa shkolla funksionale të zonës. Në vend të kësaj, zyrtarët japonezë u ankuan se një milici mori objektin e rinovuar.
Kur gazetarët e AP-së vizituan shkollën shtatorin e kaluar, nuk zhvillohej asnjë orë mësimi, por disa të rinj dhe të reja ishin në sallën e hyrjes, ku raftet e librave ishin të pajisur me tekste me përmbajtje revolucionare. Stafi tregoi se drejtori i shkollës nuk ishte në dispozicion.
Më vonë, sipas IVY-së, ndërtesa ishte liruar. Por kur një ekip i AP-së u kthye këtë muaj, gjeti të njëjtit të rinj që kishin qenë atje më parë. Ata kërkuan që gazetarët të largoheshin.
Këtë muaj, këshilli provincial i Ninevehut më në fund votoi për ta emëruar një kryebashkiak të vetëm për Sinjarin, por mosmarrëveshjet e kanë penguar konfirmimin e tij.
Kryebashkiaku i mundshëm, administratori i shkollës dhe aktivisti i komunitetit Saido al-Ahmady, tha se shpreson të shtyjë për rivendosjen e shërbimeve në mënyrë që të kthehen më shumë të zhvendosur.
“Sinjari ka qenë gjithmonë qendra e Yazidëve dhe ne do ta ruajmë atë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Por shumë nga ata që janë kthyer thonë se po mendojnë të largohen sërish.
Në fshatin Dugure, një mbrëmje, fëmijët ngisnin biçikleta dhe gratë me rroba tradicionale bisedonin para shtëpive të tyre nën perëndimin e diellit.
“Në fund ne duhet të kthehemi në Sinjar”, thotë Hadi Shammo, familja e të cilit u largua nga një kamp muajin e kaluar. “Kjo është pjesë e identitetit tonë”.
Por kur u nxit të tregonte më shumë, Shammo pranoi: “Nëse do të kisha një shans, do të kisha lënë Irakun shumë kohë më parë”.
Rihan Ismaili, e cila dikur i kalonte ditët e saj duke ëndërruar rikthimin në Sinjar, tani dëshiron të largohet.
“Edhe po të shkoje diku tjetër, nuk arrin të harrosh. Por të paktën sa herë që vjen apo shkon, nuk do të të duhet ta shohësh fshatin tënd të shkatërruar kështu”, thekson ajo.
Një foto e babait të saj të humbur qëndronte në mur. Në qoshe ishte një kopje e vogël e Lalishit, tempulli më i shenjtë Yazidi, dhe një gjarpër, simbol i shenjtë mbrojtjeje.
“Ju nuk mund ta harroni atë që ndodhi, por duhet të gjeni një mënyrë për ta vazhduar jetën”.
Ajo tani po shpreson të bashkohet me nënën e saj dhe të afërmit e tjerë që janë zhvendosur në Kanada.