Sipas Zelenskyyt, ushtarët koreanoveriorë të dërguar në luftën në Ukrainë janë rritur “në një vakum informacioni” dhe nuk dinë asgjë për Ukrainën. Ai ka theksuar se Moska po i përdor ata “vetëm për të zgjatur dhe përshkallëzuar luftën”. Një nga mesazhet kryesore të Zelenskyyt për aleatët e tij perëndimorë është se Ukraina nuk po lufton më Rusinë, por një grup keqdashës shtetesh autokratike.
Lajmi bëri bujë. Mbërriti shpejt mes ushtarëve ukrainas që po luftonin në rajonin e Kurskut në Rusi. “Kam dëgjuar nga miku i një miku”, kujton oficeri Vitalii Ovcharenko. “Kjo ishte gjysmë ore pasi ndodhi. Miku im tha: “Kemi një të burgosur koreano-verior! Ai është në shok, por në rregull”. I thashë: “Uau’”. Ovcharenko shtoi: “Të gjithë donin një selfie. E mbështollën me batanije dhe i dhanë çaj”.
Kapja para disa ditësh e dy ushtarakëve të Koresë së Veriut ishte një moment i jashtëzakonshëm në luftën e përgjakshme të Rusisë kundër Ukrainës.
Kremlini ka ndërmarrë hapa të hollësishëm për të fshehur praninë e 12 mijë trupave elitare të dërguara në vjeshtë e vitit të shkuar nga Pheniani në Rusi.
Në kampet në Lindjen e Largët atyre iu dhanë pajisje ruse: uniforma, pushkë dhe dokumente ushtarake false.
Ushtarët e huaj madje morën emra të rremë rusë. Të gjithë kanë “lindur” në republikën siberiane të Tuvas, ku vendasit kanë një pamje aziatike dhe i përkasin një grupi etnik turk.

Më pas, koreano-veriorët u bashkuan me njësitë e rregullta të trupave detare dhe sulmuese ruse dhe u dërguan në vijën e frontit, mijëra kilometra në perëndim, rreth qytetit rus të pushtuar nga ukrainasit, Sudzha.
Ky pretendim legal u shpërbë javën e kaluar kur dy grupe të veçanta ukrainase gjetën ushtarët në fushën e betejës. Të dy u plagosën. Kishin qëndruar në të ftohtë për disa ditë. Ata u dërguan në Kiev, ku agjencia e inteligjencës e Ukrainës (SBU) i mori në pyetje, së bashku me shërbimin e inteligjencës kombëtare të Koresë së Jugut.
Verifikim faktesh
U shfaqën disa fakte paraprake. Një ushtar - Lee Jong Nam, rreshter 25-vjeçar nga Pheniani - iu bashkua ushtrisë në vitin 2016 dhe po shërbente në një njësi snajperësh, pjesë e batalionit të pestë të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK).
Misioni i tij i parë luftarak ishte më 8 janar. Ai u plagos në nofull. Të gjithë ushtarët e tjerë në grupin e tij prej shtatë personash u vranë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ndau pamjet e ushtarit të dytë të paidentifikuar duke folur nga shtrati i tij në spital. Ai tha se kishte qëndruar në jashtë për “tre, katër apo pesë ditë” dhe tha se emri i dhënë në ID-në e tij ushtarake ruse ishte fals. “Nuk e mbaj mend. Nuk ishte e imja”, konfirmoi ai. Ushtari, i plagosur në këmbë, besonte se po merrte pjesë në një stërvitje.

Ovcharenko, i cili ka luftuar në Rusi që nga inkursioni i Ukrainës në gusht, i përshkroi të burgosurit si “të çmuar” - pasuri të vlefshme në luftë për opinionin ndërkombëtar. “Agjencitë perëndimore e dinë se Koreja e Veriut është e përfshirë në luftën e Rusisë. Ky është verifikim faktesh. Është dëshmi”, tha ai. “Ju keni një person të vërtetë përballë jush. Ju mund t’i bëni edhe pyetje. Pheniani po i dërgon Moskës këmbësori e besa, edhe armë”.
Sipas Zelenskyyt, ushtarët koreanoveriorë u rritën “në një vakum informacioni” dhe nuk dinin asgjë për Ukrainën. “Moska po i përdorte ata “vetëm për të zgjatur dhe përshkallëzuar luftën”, ka theksuar ai. Kapja e ushtarëve vjen në një kohë të pasigurt për Kievin, me kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe teksa trupat ruse përparojnë në lindje të Ukrainës, fshat pas fshati të shkatërruar.
Një nga mesazhet kryesore të Zelenskyyt për aleatët e tij perëndimorë është se Ukraina nuk po lufton më Rusinë, por një grup keqdashës shtetesh autokratike. Ato janë quajtur Crink: Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.
Të gjithë ndihmojnë luftën e Rusisë. Pheniani dërgon ushtarë, raketa balistike, obusë dhe predha. Teherani ofron dronë kamikazë. Pekini shet komponentë mikroelektronikë të përdorur në sistemet e armëve dhe është partner politik.
Propaganda me iPad
Përfshirja e thellë e Phenianit në konfliktin më të madh të Evropës që nga viti 1945 ka implikime për rajonin e Azisë, veçanërisht për Korenë e Jugut, sipas Kievit zyrtar.
Sipas organizatës së inteligjencës ushtarake të Ukrainës HUR, Kremlini po i siguron regjimit të Kim Jong Unit teknologjinë për prodhimin e dronëve. Koreja e Veriut është e prirë të marrë inteligjencë nga satelitët ushtarakë rusë dhe raketat ajër-ajër, thotë HUR-ja.
Ndërkohë, trupat e Koresë së Veriut po fitojnë përvojë të vlefshme të luftës së shekullit të 21-të. Gjeneralmajor, Vadym Skybytskyi, zëvendësshefi i HUR-së, ka theksuar se ata po mësonin nga gabimet e tyre. “Si fillim ata dolën në grupe të mëdha nëpër fusha me borë. Pjesa tjetër nuk do ta bëjë këtë. Ata po mësojnë taktika të reja dhe si të luftojnë në një mjedis me dronë”.
Sipas tij ata që mbijetojnë do të kthehen në shtëpi si trajnerë ushtarakë.
Duke folur për “Observer”, Skybytskyi ka deklaruar se koreanoveriorët ishin të shtyrë ideologjikisht. Viktimat – 300 të vdekur, 2.700 të plagosur, sipas Seulit – nuk e kanë dëmtuar moralin. Ushtarët kanë hedhur veten në erë për ta shmangur kapjen.
Një iPad i marrë nga një ushtar i vdekur koreanoverior përmbante 67 gigabajt propagandë. “Kolegu im e shikoi. Pas dy orësh ai tha: “Koreja e Veriut është vendi më i mirë në botë”, shpjegoi gjenerali.
Disa ushtarë ukrainas i kanë përshkruar koreanoveriorët si luftëtarë të pashpresë të dërguar nga Rusia në misione vetëvrasëse.
Ovcharenko, megjithatë, tha se disa ishin gjuajtës të organizuar dhe të mirë: “Rusët fshihen kur shohin dronë. Koreanët e Veriut përpiqen t’i rrëzojnë. Ata e kuptojnë luftën e kombinuar, me këmbësorinë, aeroplanët dhe tanket”.
Sipas tij këto aftësi mund të luajnë rol në një luftë të ardhshme.
Kremlini ka kryer një sulm të pamëshirshëm në Kursk, me trupat e Koresë së Veriut shpesh në pararojë. Ka luftime të ashpra në të dy krahët. Një nga dy të burgosurit u kap pranë fshatit Orlovka, 18 km në veri të Sudzhas. Njësitë e Koresë së Veriut janë dislokuar në fshatin Makhnovka, në periferinë jugore të qytetit të kontrolluar nga Ukraina.
Është e paqartë se për sa kohë Kievi mund të vazhdojë operacionin e tij në Kursk.
Betejë me teknologji
Rajoni mund të jetë pjesë e negociatave të paqes me Moskën. Megjithatë, deri më tani, Vladimir Putin ka thënë se objektivat e tij të luftës janë të pandryshuara. Ato përfshijnë aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës – duke përfshirë qytetet kryesore që Rusia nuk i kontrollon – dhe një veto ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO, diçka që Trump duket i gatshëm ta japë.
Banorët në komunitetet ukrainase pikërisht përballë Kurskut shqetësohen se një pushtim i dytë rus po afrohet. “Çfarë do të ndodhë me territorin tonë kur të përfundojë operacioni? Kjo është pyetja,” ka deklaruar Anastasiia Kozhukhova. Ajo jeton në qytetin e Bilopillias, ku bashkëshorti i saj Oleksandr është nënkryetar i bashkisë. Ndodhet 5 km nga kufiri rus. Një gardh në një fshat të shkatërruar e shënon kufirin.
Në muajt përpara bastisjes ndërkufitare të Ukrainës verën e kaluar, Rusia sulmoi Bilopillian me bomba të hedhura nga ajri. Ata dëmtuan kullën televizive, bashkinë, dyqanet dhe ndërtesat e tjera. Një bombë rrafshoi stacionin e policisë përballë banesës së Kozhukhovës. “Unë u fsheha në banjë me djalin tim 12-vjeçar, Romanin, dhe qenin tonë,” kujton ajo. Shpërthimi theu dritaret dhe një derë, e cila goditi Oleksandrin në shpatull.
Rusët vazhdojnë të vënë në shënjestër Bilopillia me raketa dhe dronë, megjithëse më rrallë se më parë, ka thënë nënkryetari i bashkisë. Ai ka treguar një strehë në bodrum ku punonin koleget e tij kryesisht gra, si dhe parkun memorial të Bilopillias dhe varrezat ku janë varrosur disa nga miqtë e tij ushtarë. A ndjente ai keqardhje për koreanoveriorët që luftonin aty pranë? “Jo. Ata erdhën këtu për të na vrarë”, u përgjigj ai.
Ushtarët ukrainas të dislokuar rreth Sudzhës treguan një indiferencë të ngjashme. “Nuk më intereson nëse janë koreanë apo rusë. Një armik është një armik. Ata vdesin të gjithë në të njëjtën mënyrë”, ka deklaruar Bohdan, anëtar i kompanisë së dronëve “Rubicon” të brigadës së 17-të. Sipas tij, koreanoveriorët përdorën taktika të modës së vjetër që të kujtojnë Luftën e Dytë Botërore. “Ndoshta ata nuk e vlerësojnë faktin që ne kemi kamera termike dhe mund t'i gjurmojmë lehtësisht gjatë natës”, vuri në dukje ai.
Komandanti i njësisë, Vadym Riddik tha se koreanoveriorët po pësonin humbje brutale. “Ne i vrasim ata me dronët tanë”, tha ai. “Ata lëvizin në grupe prej 30 ose 40 vetash. Rusët janë më të kujdesshëm dhe qarkullojnë me dy ose tre”. Për të vërtetuar mendimin e tij, Riddik shfaqi video nga dronët kamikazë. Së pari njëri dhe më pas tjetri ranë mbi një grup të madh koreanoveriorësh ndërsa ecnin në tokë të hapur. Ata u rrëzuan, të vdekur ose të plagosur.
Sipas Riddikut, lufta kishte ndryshuar plotësisht – diçka që Pheniani tani e kupton më mirë, megjithëse me një kosto të përgjakshme. Tanket e shtrenjta mund të rrëzohen nga mjete ajrore të lira pa pilot. Të dyja palët po eksperimentonin me dronë me fibra optikë, të papërshkueshëm nga kundërmasat elektronike.
“Është një betejë e teknologjisë. Lufta është motori i përparimit”, ka theksuar komandanti, duke shtuar “mendoj se jemi më të mirë se ata”.