Në një hetim të thellë të BBC Verify, u zbuluan detaje tronditëse mbi masakrën që ndodhi në qytetin al-Seriha, në shtetin Gezira të Sudanit. Luftëtarët e forcave paramilitare të Sudanit, Rapid Support Forces (RSF), u mburrën me vrasjen e dhjetëra civilëve, duke festuar sulmin dhe duke tallur të mbijetuarit. Më shumë se 80 persona janë vrarë në sulmin e tetorit. Hetimi i BBC-së ka zbuluar se ky sulm ishte hakmarrje ndaj dezertimit të një komandanti të lartë të RSF-së.
Kujdes: Ky artikull përmban përshkrime të vrasjeve dhe fotografi të kufomave
BBC Verify me analizën e videove që shfaqin luftëtarë që mburren me masakrën dhe më vonë tallen me të mbijetuar, i ka identifikuar përgjegjësit si pjesë e forcave paramilitare të Sudanit, Rapid Support Forces (RSF).
BBC-ja ka konfirmuar që të paktën 80 njerëz kanë vdekur në sulmin e tetorit në al-Seriha të shtetit Gezira, me OKB-në që raporton se numri i viktimave mund të shkojë deri në 124. Një dëshmitar ka thënë se ka parë civilë të paarmatosur duke u qëlluar nga luftëtarët nga afër, teksa përpiqeshin të largoheshin.
Masakra duket se është shkaktuar nga dezertimi i një komandanti të lartë të RSF-së në shtetin Gezira, i cili u është bashkuar forcave të armatosura të vendit.
Në një deklaratë, një zëdhënës i RSF-së ka mohuar se luftëtarët janë të përfshirë në këto vrasje, duke shtuar se “Rapid Support Forces punojnë për t’i mbrojtur civilët dhe të promovojë siguri dhe paqe, e jo t’i shënjestrojë ata”.
Konflikti brutal, lufta 20 mujore për pushtet që ka vendosur autoritetet ushtarake të Sudanit kundër ish-aleatëve të tyre RSF-së, është dënuar nga grupet e të drejtave të njeriut për mizoritë e përhapura dhe të kryera nga të dyja palët.

Si çoi një dezertim në sulme hakmarrëse
Më 20 tetor, ushtria sudaneze ka njoftuar se Abu Aqla Keikal, komandant i lartë i RSF-së në shtetin Gezira, ka dezertuar së bashku me një numër të forcave të tij.
Vendimi i Keikalit për t’u rikthyer në ushtrinë sudaneze, ku ka shërbyer para luftës, është quajtur sukses i madh dhe ushtarët e tjerë të RSF-së janë nxitur ta bënin të njëjtën gjë si pjesë e një oferte më të gjerë amnistie.
Pak pas dezertimit të Keikalit, luftëtarët kanë nisur një seri prej rreth 69 sulmeve ndëshkuese në qytetet dhe fshatrat e shtetit Gezira mes 20 tetorit dhe 4 nëntorit, sipas të dhënave të mbledhura nga organizata e monitorimit të luftës, Armed Conflict Location and Event Data (ACLED).
BBC-ja ka hetuar një nga këto sulme në detaje, duke përdorur dëshmitë e dëshmitarëve okularë, pamje satelitore, video dhe fotografi, për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Si ndodhi masakra në al-Seriha?
Mohammad Ismail po merrte pjesë në lutjet e mëngjesit në një xhami lokale më 25 tetor, kur ka dëgjuar ushtarët duke u afruar në periferitë e al-Seriha, qytet me rreth 15 mijë banorë, 90 kilometra në jug të kryeqytetit të Sudanit, Khartoum.
Ai ka thënë se ka vrapuar në shtëpi për ta mbrojtur familjen e tij, teksa dhuna ka shpërthyer aty.
Burra të armatosur kanë hipur mbi një xhami, ka thënë ai, dhe po qëllonin “mbi gjithçka që lëvizte”, poshtë tyre.
Shumë njerëz janë qëlluar teksa përpiqeshin të arratiseshin, ka thënë ai. Të tjerët janë vrarë nga afër në fushat përreth qytetit. Shumë nga anëtarët e familjes së tij ishin në mesin e të vdekurve.
Identifikimi i autorëve
BBC-ja ka gjetur një seri të videove të filmuara nga vet luftëtarët, duke u lavdëruar për veprat e tyre dhe duke i bërë thirrje Keikalit, ish-komandantit të RSF-së, ta shohë vet se çfarë po u bënin njerëzve të zonës së tij.
Në njërën, trupat me simbole të RSF-së shihen duke e festuar sulmin e tyre në qytet dhe vrasjen e banorëve vendas. Simbolet e rrumbullakëta që shihen në shpatullat e tyre të djathta, të dukshme edhe në disa kapëse të tjera, kanë një skicë të zezë, flamurit e lakuar sudanez dhe një logo të rrumbullakët mbi të – simbolin e përdorur nga RSF.
BBC-ja e ka konfirmuar se videoja është filmuar në al-Seriha duke krahasuar ndërtesat dhe elementet e tjera të gjetura në video, përmes pamjeve satelitore të qytetit.
Në një nga videot, një luftëtar shfaq orën e dorës në kamerë, që tregonte datën 25 tetor – dhe përsërit me zë të lartë – ditën e masakrës në al-Seriha.
Ismaili ka thënë se kur luftëtarët kanë ardhur në qytet, ai i ka njohur disa nga luftëtarët e përfshirë në sulm si ish-banorë, që ishin regjistruar për të luftuar me RSF-në.
Ai gjithashtu ka thënë se ka parë dy komandantë të njohur si udhëheqës të lartë të RSF-së në zonë. BBC Verify ka vendosur imazhet e disa luftëtarëve të RSF-së përmes softuerit të njohjes së fytyrës në përpjekje për t’i identifikuar individët, por këto kërkime nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Trupat e kanë bërë pa dyshim të qartë te vendasit se masakra ishte kryer si përgjigje ndaj dezertimit të Keikalit.
Në një video një roje thotë në gjuhën arabe: “Keikal ... shiko këta janë njerëzit e tu”.
BBC-ja ka arritur t’i përputhë pikat e referimit në këtë video, si pemët dhe formën e ndërtesave që shihen në të me imazhet satelitore të al-Serihas.
Në një video tjetër – e cila nuk mund të gjendet në hartë, por është shfaqur për herë të parë online më 26 tetor – burra të veshur me veshje ushtarake me shenja të RSF-së flasin për dezertimin e Keikalit dhe u referohen “tradhtarëve” në shtetin Gezira. Ata kanë përmendur në mënyrë specifike al-Serihan, duke shtuar se qyteti do të merrte atë që meritonte.
Në disa pika në video, ata i referohen vetes duke e përdorur fjalën arabe “ashawis” që do të thotë “trimat”, term i përdorur nga luftëtarët e RSF-së për ta identifikuar veten.
Kur BBC Verify ka kërkuar koment nga RSF-ja, ata kanë mohuar se burrat e parë në këto pamje janë trupat e tyre.
“Shumë lehtë mund të gjesh uniformë të Rapid Support Forces dhe ta veshësh... pastaj të kryesh krime kundër civilëve, për ta kriminalizuar Rapid Support Forces”, ka thënë një zëdhënës i grupit.
Edhe pse nuk është e mundur të përjashtohet kjo, BBC-ja ka parë tri video të veçanta të filmuara nga vetë luftëtarët, në të cilat shenjat e RSF-së mund të shihen në uniformat e të përfshirëve.
Një raport nga Human Rights Watch rreth sulmeve të al-Sehira dhe qytetet e tjera në shtetin Gezira që nga dezertimi i Keikalit më 20 tetor, ka identifikuar RSF-në si autor të masakrave.
Më 29 tetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar një deklaratë që dënon vrasjet në al-Seriha dhe qyteteve të tjera të shtetit Gezira dhe ka identifikuar RSF-në si përgjegjëse të këtyre sulmeve.

Sa civilë janë vrarë?
BBC-ja ka marrë katër video të ndryshme të pasojave të sulmit në al-Seriha. Ato janë shumë grafike dhe tregojnë trupa të radhitur në oborrin e një xhamie, të mbuluar me qefinë dhe batanije. Versionet e para të këtyre videove janë shfaqur online më 26 tetor.
BBC Verify ka vërtetuar se imazhi është bërë në oborrin e xhamisë, duke i përputhur karakteristikat kryesore, duke përfshirë portën e çelikut dhe një antenë satelitore në sfond, me një imazh të xhamisë nga Google Maps.
Gazetarët kanë studiuar provat fotografike dhe videon, duke numëruar së paku 82 trupa të shtrirë në krevate ose në dysheme.
OKB-ja ka thënë se 124 njerëz kanë vdekur nga sulmet hakmarrëse në al-Seriha. Një grup i shoqërisë civile lokale, Gezira Congress, thotë se numri i viktimave mund të shkojnë deri në 140.
Një tjetër provë e gjetur nga hetimi i BBC Verify është pamja e pirgjeve të dheut të sapo gërmuar në varrezën e qytetit.
Ismaili ka thënë se një varrezë masive ishte gërmuar.
Në fotot satelitore të bëra pas sulmit, këto pirgje mund të shihen në një pjesë e pa përdorur më parë e varrezës. Ato nuk janë të pranishme në pamjet satelitore të bëra në maj.
Nathaniel Raymond, drejtori ekzekutiv në Laboratorin e Studimit Humanitar të Yale ka thënë se në një pamje të ndryshme të bërë më 30 tetor, varret duken se janë gërmuar së fundmi, dhënë formën e dukshme të pirgjeve dhe ngjyrën e tokës përreth. BBC-ja i ka krahasuar pamjet satelitore.
“Këta dy tregues na tregojnë se pirgjet nuk kanë qenë atje më shumë se disa ditë”, ka thënë ai.
Teksa BBC-ja nuk mund të verifikojë sa njerëz mund të jenë varrosur në zonën e re të varrezës, madhësia e pirgjeve të dheut në krahasim me ndërtesën e bardhë aty pranë, sugjeron se shumë trupa mund të jenë varrosur atje.

Të mbijetuarit janë marrë për shpërblim
Pasi kanë përfunduar të shtënat fillestare dhe trupat kanë marrë nën kontroll qytetin, burrat e mbijetuar janë mbledhur dhe janë ndaluar.
BBC Verify ka gjetur video të këtyre ndalimeve dhe rrëmbimeve.
Në njërën, të paktën 60 persona mund të shihen të ulur ose duke qëndruar afër një muri, teksa vëzhgoheshin nga luftëtarët e armatosur.
Disa nga të rrëmbyerit duken të jenë të moshuar dhe shumë kanë veshur ato që duken të jenë rroba të bardha të gjakosura.
Në një pikë gjatë videos, luftëtarët tallin robërit e tyre, duke i quajtur qen dhe duke bërë zhurma të kafshëve.
“Thoni ham ham, ju qen, thoni ham ham. Guxoni t’i kapni armët përsëri, mos u ngatërroni me Rapid Support Forces”.
BBC Verify ka konfirmuar se kjo është filmuar në pjesën veriperëndimore të qytetit duke i përputhur karakteristikat dalluese të treguara në hartat satelitore. Në veçanti, një strukturë hekuri e valëzuar është e dukshme, e cila mund të shihet edhe në imazhet satelitore të bëra më 30 tetor.
Të tjerët shihen duke ecur në radhë me krahë të ngritur. Pamjet e më vonshme shfaqin luftëtarët duke i tallur robërit, me banorët të detyruar të bëjnë zhurma të kafshëve, teksa luftëtarët qeshin dhe vazhdojnë punën.
Një grup tjetër me burra më vonë ka marshuar afër luftëtarëve me duart pas shpinës.
Teksa grupi kalonte afër tyre, një luftëtar i njohur nga videot e mëparshme përsëri tallet me burrat.
“A e kemi mundur al-Serihan?”, luftëtari i pyet robërit, para se ta përsërisë disa herë pyetjen: “A kemi bërë mirë?”
Elmubir Mahmoud, sekretari i përgjithshëm i Kongresit të Geziras, ka thënë se luftëtarët kanë marrë me vete 150 pengje, pasi janë larguar nga qyteti. Ai ka thënë se të paktën 11 robër - përfshirë një vajzë trevjeçare - janë vrarë që atëherë. BBC Verify nuk ka arritur ta konfirmojë këtë.
Por, dëshmia e dhënë nga banori i qytetit, Mohammad Ismail, sugjeron se të mbijetuarit janë detyruar të paguanin shpërblime për lirimin e anëtarëve të familjes së tyre. Ai ka thënë se rrëmbyesit e tyre kanë kërkuar nga 100 deri në 1000 dollarë.
Aktivitetet e RSF-së dhe ushtrisë sudaneze në shtetin Gezira janë dënuar në shkallë ndërkombëtare, me OKB-në dhe grupet e të drejtave të njeriut që shprehin zemërim.
Në një deklaratë, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield u ka bërë thirrje vendeve që ta ndërpresin ofrimin e armëve për të dyja palët e luftës. Ajo ka thënë se furnizimet po e zgjasin konfliktin.
“Populli i Sudanit e ka kaluar nëpër ferr”, ka thënë ajo. “Ata meritojnë siguri, dinjitet dhe drejtësi. Ata meritojnë të jetojnë”.