Anatoliy Marchenko, i cili po shikonte dëmin e shkaktuar në ballkonin e apartamentit të tij në Kiev, tha se është i turpëruar që flet rusisht. 57-vjeçari tregon se kishte shërbyer më parë në ushtrinë sovjetike. “Njoh njerëz atje, ata janë miqtë e mi”, ka thënë ai për Rusinë. “Çfarë po kërkojnë nga unë? Ka ardhur lufta në shtëpinë time dhe kaq”
Zhurma e një shpërthimi ishte ajo që zgjoi Alyona Tkachenkon dhe familjen e saj në mëngjesin e së premtes. Raketat po binin afër shtëpisë së saj në Kiev, kryeqytet i Ukrainës.
“Një shtëpi afër u dogj nga zjarri dhe shkaktoi shumë viktima”, tregoi ajo për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Pasi alarmi për sulm ajror përfundoi, 36-vjeçarja iku me fëmijët dhe prindërit e saj në një strehimore në anën tjetër të lumit Dnieper.
Qyteti përjetoi një breshëri të vazhdueshme sulmesh ajrore gjatë kohës kur forcat ruse po hynin nga veriu dhe lindja të premten. Shumë dritare të apartamenteve shpërthyen dhe gropa të mëdha u formuan në rrugë. Ndërtesa të dëmtuara dhe mbetje ushtarake shihen në gjithë kryeqytetin.
Anatoliy Marchenko, i cili po shikonte dëmin e shkaktuar në ballkonin e apartamentit të tij në Kiev, tha se është i turpëruar që flet rusisht. 57-vjeçari tregon se kishte shërbyer më parë në ushtrinë sovjetike.
“Njoh njerëz atje, ata janë miqtë e mi”, ka thënë ai për Rusinë. “Çfarë po kërkojnë nga unë? Ka ardhur lufta në shtëpinë time dhe kaq”.
Disa banorë janë strehuar në stacionet nëntokësore, ndërsa disa të tjerë morën armët për të luftuar rusët.
Autoritetet ukrainase kanë bërë thirrje rekrutëve civilë dhe vendasve që të krijojnë bomba zjarri për t’iu përgjigjur sulmeve. Rreth 18 mijë armë u janë dhënë vullnetarëve. Por, mijëra banorë kanë ikur nga kryeqyteti që nga e enjtja kur pushtimi filloi.
Iryna, 36-vjeçare, u largua për në Sllovaki me nënën dhe dy vajzat, duke lënë pas burrin e saj për të “ndihmuar qeverinë”. “Ne po lutemi për Ukrainën dhe shpresoj që çdo gjë do të jetë mirë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Një vend i tronditur
Shpërthimet dhe të shtënat me armë zjarri tronditën qytetet kryesore në të gjithë shtetin gjatë kohës kur rusët po bënin progres. Dhjetëra janë raportuar të vrarë. Trupat ruse lëvizen përtej kufijve të Ukrainës në veri, lindje dhe jug.
Olena Kurilo ishte në mesin e njëzet të lënduarve pas një shpërthimi në qytetin lindor të Chuhuiyit.
“Kurrë nuk mendoja se mund të ndodhte një gjë e tillë”, tha mësuesja 52-vjeçare me kokën e fashuar. Ashtu si në qytetet tjera, edhe këtu njerëzit janë strehuar brenda vagonëve të trenave në stacionet e metrosë. Ende një numër i madh i qytetarëve janë duke u shpërngulur. Dhjetëra mijëra tashmë i kanë lënë shtëpitë e tyre. Agjencia e refugjatëve të OKB-së, UNHCR, ka thënë se katër milionë njerëz ndoshta do të tentojnë të ikin nga vendi nëse situata përshkallëzon më tepër.
Në shtetin fqinj të Polonisë, dhjetëra njerëz, duke përfshirë fëmijë, janë strehuar në stacionin e trenit në qytetin e Przemyslit, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg kufirit të Ukrainës.
“Unë vij nga Kievi. Kur dëgjova shpërthimet afër ndërtesës sime, i paketova gjërat shpejt dhe mora pothuajse gjithçka me vete”, ka thënë Olha, mësues politeknik, për agjencinë e lajmeve “AFP”. “Ndihem i sigurt këtu, por nuk mund t’i ndihmoj të afërmit dhe miqtë e mi. Shumë prej tyre janë të rrezikuar dhe nuk mund të largohen aq shpejt sa unë”.
“Kushdo që mundet po largohet”, ka thënë Krisztian Szavla, njëri ndër refugjatët e parë që mbërriti në Hungari të enjten nga rajoni perëndimor i Ukrainës - Transcarpathia - vendbanimi i një minoriteti hungarez.
“Nuk duam të kalojmë atë që po përjetojnë ata në lindje, duke u zgjuar nga sirenat dhe rusët që po bombardojnë qytetin”, tha 28-vjeçari për agjencinë e lajmeve “AFP” pasi kishte kaluar në anën hungareze të kufirit.
Dalja e njerëzve në rrugë
Njerëzit në Rusi dhe mbarë botën kanë qenë duke protestuar kundër këtij pushtimi. Autoritetet ruse kanë arrestuar rreth 1.800 protestues dhe shtypën demonstratat në më shumë se 50 qytete të enjten - veprim i cili u dënua nga OKB-ja.
Në Ukrainë, një grua nisi protestën e saj e vetme, duke u përballur me ushtarë rusë të armatosur rëndë në qytetin jugor të Henicheskut. “Merrni këto fara luledielli, kështu që kur të vdisni dhe të mbetni këtu, së paku do të rriten lule”, u tha ajo ushtarëve.
Të premten pasdite, kryesisht gra dhe fëmijë vazhduan të arratiseshin përtej kufijve perëndimorë të Ukrainës. Ndërsa burrave të moshës ushtarake u është thënë të qëndrojnë dhe të luftojnë.
Dhjetëra mijëra njerëz tashmë veç se kanë ikur në pesë shtetet me të cilat kufizohet Ukraina perëndimore. Vetëm në Poloni janë raportuar se kanë mbërritur më shumë se 50 mijë njerëz gjatë dy ditëve, ndërsa mijëra të tjerë kanë shkuar në shtete të jugut, si: Moldavi, Rumani, Hungari dhe Sllovaki.
Shumica e atyre që po ikin nga pushtimi janë gra dhe fëmijë, ndërsa burrat nga mosha 18 deri 60 vjeç u është thënë të qëndrojnë dhe të luftojnë, raporton BBC-ja.
“Vetëm paketoji valixhet”
Ukrainasit që kalonin kufirin në Poloni, mbërritën me valixhe dhe fëmijët e vegjël. Sipas autoriteteve polake, 25 mijë mbërritën sot pasdite herët. Në mesin e këtyre ishte Nadia Slusarenko, e cila solli dy fëmijët e saj të vegjël me vete, duke lënë vajzën e saj të madhe në Ukrainë që t’i ndihmojë ushtrisë.
“Dje u zgjova sepse dëgjova një zhurmë dhe pyeta burrin tim se çfarë po ndodh”, ka thënë ajo. “Ai shikoi nga dritarja dhe tha se rusët bombarduan aeroportin, kështu që vetëm paketoji valixhet dhe shpëtoji fëmijët”.
Polonia viteve të fundit ka qenë njëra ndër anëtaret më të ashpra të BE-së kundër migrantëve. Por gjithashtu ajo njeh tragjikisht koston e pushtimit dhe armiqësisë së Rusisë, prandaj tani po mirëpret ukrainasit krahëhapur dhe po ndërton disa qendra të pranimit.
Gjithashtu trafik ka edhe në rrugën për në Ukrainë. Mikolaj thotë se ai po kthehet prapë në Ukrainë për të luftuar. “Është detyrë e jona që të kthehemi në vendlindje dhe ta mbrojmë shtetin tonë”, ka thënë ai. “Ne nuk i kemi bërë asgjë të keqe Rusisë. Putini po mundohet ta pushtojë gjithë Ukrainën”.
“Ne kemi frikë nga rusët”
Nick Thorpe, gazetar i BBC në Hungari, ka thënë: “Ata që takova rrugës më treguan se po iknin për të shpëtuar jetën e tyre. Disa kanë dëgjuar apo kanë parë shpërthimet, ndërsa të tjerët janë thjesht të tmerruar nga lufta që po përfshin të gjithë vendin e tyre. Shumica janë të rinj ose të moshës së mesme. Vetëm të moshuarit qëndrojnë pas për të mbrojtur shtëpitë e tyre”.
"Është krijuar një gjendje paniku në fshatin tonë. Njerëzit u mblodhën në rrugë dhe u nisën për në Hungari," tha Eva, 44 vjeçe, e cila udhëtoi me dy fëmijët e saj për në kufirin e Beregsuranyit, i cili ndodhet 12 km larg fshatit”, ka thënë Eva. “"Kemi frikë se rusët do të pushtojnë të gjithë vendin dhe se burrat tanë do të rekrutohen".
Shumica e atyre që kalojnë kufirin i përkasin etnitetit ukrainas-hungarez, pasi ky rajon i Ukrainës perëndimore ka një komunitet të madh hungarez.
Në një shtëpi të vogël jo larg kufirit, Judit tha se zilja e derës dhe telefoni i saj kishin rënë gjatë gjithë natës. Ajo nuk donte të kthente pas askënd, por kishte vetëm tri dhoma.
“Ne duhet të ikim”
Vera dhe mbesa e saj Maria thanë se kishin vozitur pothuajse pa pushim 1.300 kilometra gjatë gjithë rrugës nga Kharkiv në Ukrainën verilindore. Ato shpresojnë të qëndrojnë me miqtë e tyre në Poloni.
Një grua nga këshilli lokal i fshatit shërbeu çaj, ndërsa fëmijët e vegjël mbanin në krahë arushë pelushi. Kurse një minibus ngadalësoi për të ofruar udhëtim për në Budapest, i cili ndodhet tri orë larg me makinë.
Lucy Williamson, gazetare e BBC-së, ka raportuar nga kufiri me Rumaninë.
Ajo ka treguar se vetëm disa metra matanë kufirit, Valentina ishte ndalur anash rrugës të merrte frymë. Targat ukrainase të veturës së saj mes veturave rumune, mbanin një histori në vete.
Ajo kishte kaluar dy kufij gjatë 36 orëve të fundit, fillimisht në Moldavi dhe pastaj në Rumani. Pas saj ishte ulur djali i saj dyvjeçar. Qeveria e Moldavisë thotë se pothuajse 16 mijë njerëz ishin futur brenda shtetit deri të premten, shumica prej tyre ukrainas.
Përktheu: Marigona Avdimetaj