Një deputet i parlamentit rus të premten ka deklaruar se inkursioni ukrainas i mbështetur nga Perëndimi e ka sjellë botën pranë një lufte globale gjithëpërfshirëse, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA.
Trupat ukrainase kaluan kufirin në rajonin Kursk të Rusisë më 6 gusht dhe që atëherë kanë avancuar ndjeshëm, duke e detyruar Moskën të evakuojë mbi 200 mijë njerëz nga shtëpitë e tyre.
“Duke marrë parasysh praninë e pajisjeve ushtarake perëndimore, përdorimin e municioneve dhe raketave perëndimore në sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe provave të pakundërshtueshme të pjesëmarrjes së të huajve në sulmin në territorin rus, mund të arrihet në përfundimin se bota është në prag të Luftës e Tretë Botërore”, citon RIA të ketë thënë deputeti Mikhail Sheremet, raporton Reuters.
Sheremet, i cili është anëtar i Komitetit të mbrojtjes së Parlamentit rus, u bëri jehonë deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, duke thënë se vendet e NATO-s u kishin dhënë dritën jeshile planeve të inkursionit, një akuzë që Uashingtoni e ka mohuar.
Ndihmësi i Putinit, Nikolai Patrushev, të premten ka akuzuar gjithashtu Perëndimin se qëndron pas sulmit, në një intervistë për gazetën Izvestia.
Patrushev ka theksuar se NATO-ja dhe agjencitë e inteligjencës perëndimore ishin të përfshira në planifikimin e operacionit në Kursk, megjithëse ai nuk dha asnjë provë.
Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Rusia po merr ndihmë në përpjekjet e saj të luftës nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Më herët të premten, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ripohoi një zotim për të thelluar bashkëpunimin me Rusinë dhe shprehu besimin se Moska do të ishte fitimtare në “luftën e saj të shenjtë për paqe dhe drejtësi”.