Botë

Dënohen 11 ish-zyrtarë argjentinas për krime kundër njerëzimit

Gjykata argjentinase denon 11 ish-zyrtare per krime kunder njerzimit

Foto: Associated Press

Njëmbëdhjetë ish-zyrtarë janë dënuar për krime kundër njerëzimit të martën, në Argjentinë, në rastin e parë me fokus në ish-diktaturën ushtarake që e sundoi vendin për 7 vjet e që ndër krime të tjera përfshinte edhe ushtrimin e dhunës seksuale ndaj transgjinorëve, raporton agjencia “AP”.

Gjyqi në gjykatën në La Plata, në periferinë jugore të kryeqytetit Buenos Aires, zgjati afro katër vjet dhe shpalosi detaje të reja për mizoritë e ndodhura në mënyrë kronologjike, duke thelluar kështu historinë traumatike të kombit.

Në qendër të vëmendjes ishin vuajtjet e komunitetit transgjinor dhe taktikën e përhapur të dhunës seksuale nën diktaturën e krahut të djathtë që e sundoi Argjentinën nga viti 1976 deri në vitin 1983.

Grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se 30 mijë njerëz të dyshuar që e kundërshtonin qeverinë ushtarake, u rrëmbyen, u torturuan sistematikisht në qendrat e paraburgimit dhe u “zhdukën” gjatë asaj kohe.

Me vendimin e shumëpritur, 10 të pandehur u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa një tjetër me 25 vjet burgim për rolet e tyre në represionin e dhunshëm që përfshinte vrasje, tortura, dhunë seksuale dhe rrëmbim të fëmijëve të lindur në robëri, krime që ndodhën në katër qendra të paraburgimit në provincën e Buenos Aires.

Gjyqtarët e shpallën të pafajshëm një ish-zyrtar.

Diktatura ushtarake promovoi vlerat tradicionale katolike dhe i shihte argjentinasit LGBTQ si subversivë në shoqërinë heteroseksuale.

Edhe të qenit haptazi homoseksual mund të të çonte në burg.

Gjyqi i së martës përfshiu 600 viktima dhe dëshmi nga qindra dëshmitarë të cilët ofruan rrëfime për abuzimet seksuale që synonin veçanërisht transgjinorët, si dhe rastet kur ushtarët i vidhnin foshnjat nga nënat e tyre dhe më pas ua dorëzonin për birësim anëtarëve të diktaturës dhe besnikëve të tyre.

Një ish-mjek që e mbikëqyrte procesin e lindjes së fëmijëve në robëri, ishte në mesin e atyre që u dënuan me burgim të përjetshëm.

Tetë nga paditësit treguan se janë përdhunuar dhe torturuar në një nga qendrat më të mëdha të paraburgimit të Argjentinës, e njohur si Gropa Banfield.

Thirrjet “Gjenocid, gjenocid!” u dëgjuan në sallën e gjyqit të mbushur me të mbijetuar dhe familjarë të viktimave.

Shumë prej tyre mbanin portrete të të dashurve të tyre të zhdukur dhe pankarta me mbishkrimet: “Janë 30,000” dhe “Ishte një gjenocid”.

Ky vendim vjen pasi presidenti i ekstremit të djathtë, Javier Milei, dhe zëvendëspresidentja Victoria Villarruel kanë kundërshtuar llogaridhënien për shkeljet e  të drejtave të njeriut të kryera gjatë diktaturës.

Villarruel dhe Milei kanë hedhur publikisht dyshime mbi numrin e 30 mijë të zhdukurve, duke thënë se një komision i pavarur ka mundur t’i identifikonte vetëm 8,960.

Shumica e të pandehurve në gjyqin e së martës tashmë janë dënuar në raste të tjera dhe janë transferuar në arrest shtëpiak për shkak të moshës dhe përkeqësimit të shëndetit.

Gjykata urdhëroi të pandehurit në arrest shtëpiak që t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të reja mjekësore për të përcaktuar nëse ata mund të kthehen në burg.

Që kur qeveria argjentinase në vitin 2004 shfuqizoi ligjet e amnistisë që mbronin ish-ushtarët, gjykatat e vendit kanë shqiptuar 321 dënime për krime kundër njerëzimit dhe kanë dënuar 1,176 persona.

Përpjekja historike për t’i mbajtur udhëheqësit ushtarakë përgjegjës për abuzimet e së kaluarës vazhdon, me më shumë se dhjetëra gjyqe që po zhvillohen në vend.