Kalifornia në vitin 2021 ishte shteti i tretë që miratoi një program reparacionesh për sterilizimet e detyruara, duke iu bashkuar Karolinës së Veriut dhe Virxhinias. Por Kalifornia ishte shteti i parë që përfshinte edhe viktimat më të fundit nga sistemi i burgjeve të saj shtetërore. Lëvizja eugjenike u përpoq të parandalonte disa njerëz me sëmundje mendore ose paaftësi fizike që të mos kishin mundësi të kishin fëmijë
Sacramento, Kaliforni, 4 janar (AP) - Rreth 600 njerëz të gjallë sot nuk mund të kenë fëmijë, sepse qeveria e Kalifornisë i ka sterilizuar ose kundër vullnetit të tyre, ose pa dijeninë e tyre, dhe tani shteti po përpiqet t’i gjejë në mënyrë që t'i paguajë të paktën 15 mijë dollarë secilin si shpërblim.
Por, pas një viti kërkimi shteti ka gjetur vetëm 51 persona për pagesa nga 310 aplikime. Ka mbetur edhe një vit përpara se programi prej 4.5 milionë dollarësh të mbyllet dhe sfidat të mbeten të mëdha. Zyrtarët shtetërorë kanë hequr nga lista 103 persona, kanë mbyllur tri aplikime jo të plota dhe po përpunojnë 153 të tjera – por thonë se është e vështirë të verifikohen aplikimet pasi shumë të dhëna janë humbur ose shkatërruar.
Politika e diskriminimit
Dy grupe njerëzish kanë të drejtë për para: Ata të sterilizuar nga qeveria gjatë të ashtuquajturës lëvizje eugjenike që arriti kulmin gjatë viteve 1930 dhe një grup më i vogël që u viktimizuan teksa ishin në burgjet shtetërore rreth një dekadë më parë.
“Ne përpiqemi të gjejmë të gjithë informacionin që mundemi dhe nganjëherë thjesht duhet të shpresojmë se dikush mund të gjejë informacion më të detajuar vetë”, ka thënë Lynda Gledhill, zyrtare ekzekutive e Bordit të Kompensimit të Viktimave të Kalifornisë që mbikëqyr programin. “Thjesht nganjëherë nuk jemi në gjendje të verifikojmë se çfarë ka ndodhur”.
Kalifornia në vitin 2021 ishte shteti i tretë që miratoi një program reparacionesh për sterilizimet e detyruara duke iu bashkuar Karolinës së Veriut dhe Virxhinias. Por, Kalifornia ishte shteti i parë që përfshinte edhe viktima më të fundit nga sistemi i burgjeve të saj shtetërore.
Lëvizja eugjenike u përpoq të parandalonte disa njerëz me sëmundje mendore ose paaftësi fizike që të mos kishin mundësi të kishin fëmijë. Kalifornia kishte programin më të madh të sterilizimit të detyruar në vend, duke sterilizuar rreth 20 mijë njerëz, duke filluar nga viti 1909. Ishte aq i njohur saqë më vonë frymëzoi praktikat në Gjermaninë naziste. Shteti nuk e shfuqizoi ligjin e tij eugjenik deri në vitin 1979.
Nga 45 personat e miratuar për dëmshpërblime deri më tani, vetëm tre u sterilizuan. Me viktimat e mbijetuara nga ajo kohë në të ‘80-at, ‘90-at e më tej, zyrtarët shtetërorë kanë dërguar posterë dhe fletë të dhënash në 1.000 shtëpi pleqsh të aftë dhe 500 biblioteka në të gjithë shtetin me shpresën për të arritur më shumë prej tyre.
Fushata
Shteti ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 280 mijë dollarë në tetor me “JP Marketing”, me qendër në Fresno, për të nisur një fushatë në mediat sociale që do të zgjasë deri në fund të vitit 2023. Shtytja më e madhe do të fillojë këtë muaj, kur shteti do të paguajë për reklamat në TV dhe radio në Los Anxhelos, San Francisko dhe Sakramento, që do të zgjasë deri në tetorin e ardhshëm.
Shpresa është që miqtë ose të afërmit e viktimave do t'i shohin reklamat dhe do ta ndihmojnë të afërmin e tyre të aplikojë për programin. Vetëm viktimat kanë të drejtë për pagesa. Por nëse një viktimë ka vdekur pasi është miratuar, ata mund të caktojnë një përfitues – si p.sh. një anëtar të familjes – për të marrë paratë.
“Ne e marrim misionin shumë seriozisht për t’i gjetur këta njerëz”, ka thënë Gledhill. “Asgjë që ne mund të bëjmë nuk mund të kompensojë atë që u ndodhi atyre”.
Grupi i dytë i njerëzve që kualifikoheshin për dëmshpërblime u sterilizuan në burgjet e Kalifornisë. Një auditim shtetëror zbuloi se 144 gra u sterilizuan midis viteve 2005 dhe 2013 me pak ose aspak prova se ato ishin këshilluar ose ofruar trajtime alternative. Ligjvënësit e shtetit u përgjigjën duke miratuar një ligj në 2014 për t’i ndaluar sterilizimet në burg për qëllime të kontrollit të lindjes, duke lejuar ende procedura të tjera të nevojshme mjekësore.
Ka qenë shumë më e lehtë për të gjetur të dhëna që verifikojnë ato viktima, pasi procedurat e tyre kanë ndodhur kohët e fundit. Zyrtarët shtetërorë u kanë dërguar letra të burgosurve që besohet se janë sterilizuar dhe i kanë kërkuar që të aplikojnë, ndërkohë që vendosin fletushka në burgjet shtetërore që reklamojnë programin.
Shtyrja e afatit
Wendy Carrillo, anëtare demokrate e Asamblesë së Kalifornisë që bëri presion për miratimin e programit, ka thënë se do t’u kërkojë ligjvënësve të zgjasin afatin e aplikimit përtej 2023. Ajo dëshiron t’u japë viktimave më shumë kohë për të aplikuar dhe ajo dëshiron të zgjerojë programin për të përfshirë viktimat që u sterilizuan në spitalet e financuara nga qarku. Bordi i Mbikëqyrësve të Qarkut të Los Anxhelosit kërkoi falje në 2018 pasi më shumë se 200 gra u sterilizuan në Qendrën Mjekësore të Los Anxhelosit-USC midis viteve 1968 dhe 1974.
“Nuk jam e emocionuar me shifrat që po shohim deri më tani, por besoj se pasi dalim nga COVID dhe fillojmë të punojmë plotësisht me kapacitetin tonë të plotë – që do të thotë se jemi në gjendje të bëjmë takime në komunitet dhe personalisht takime dhe kontakte më të drejtpërdrejta përveç kompjuterit dhe përmes Zoomit - gjërat do të ndryshojnë”, është shprehur ajo.
Gjetja e të burgosurve që janë sterilizuar është ende një sfidë, ka theksuar Gledhill. “Është një popullsi që mund të mos ketë shumë besim te qeveria, duke pasur parasysh atë që u ndodhi atyre”.
Një nga ata njerëz është Moonlight Pulido, e cila po vuante një dënim të përjetshëm për tentativë-vrasjeje me paramendim. Ndërsa ishte në burg në vitin 2005, Pulido ka treguar se një mjek i kishte thënë se duhej të hiqte dy “rritje” që mund të ishin kancer. Ajo nënshkroi një formular dhe iu nënshtrua një operacioni. Më vonë, diçka nuk ndihej mirë. Ajo djersiste vazhdimisht dhe nuk ndihej vetvetja. E pyeti një infermiere, e cila i tha asaj se kishte kryer një histerektomi të plotë, një procedurë që heq mitrën dhe qafën e mitrës, dhe nganjëherë pjesë të tjera të sistemit riprodhues.
Pulido u trondit. Ajo në atë kohë ishte 41-vjeçare, tashmë kishte fëmijë dhe vuante një dënim të përjetshëm. Por ajo tha se doktori mori të drejtën e saj për të krijuar një familje tjetër – diçka që e preku thellë.
“Unë jam amerikane vendase dhe ne si gra jemi të bazuar në Tokën Nënë. Ne jemi të vetmit jetëdhënës, ne jemi të vetmit që mund të japim jetë dhe ai e vodhi atë bekim nga unë”, ka theksuar ajo. “Ndihesha më pak se një grua”.
Pulido u lirua me kusht në janar të 2022. Duke punuar me grupin e avokimit Koalicioni për Gratë e Burgosura, ajo aplikoi për dëmshpërblime dhe u miratua për një pagesë prej 15 mijë dollarësh.
“U ula aty, i shikoja paratë dhe qava. Kam qarë, sepse kurrë nuk kam pasur kaq shumë para në jetën time”, ka theksuar ajo.
Pulido mund të merrte më shumë para. Shteti ka 4.5 milionë dollarë për dëmshpërblime dhe çdo gjë që mbetet pasi të përfundojë programi do të ndahet në mënyrë të barabartë midis viktimave.
Përktheu: Blerta Haxhiu
