E gjitha kjo e bën SHBA-në komplekse. Presidenti Donald Trump pretendon se paraardhësit e tij kanë tradhtuar klasën punëtore të racës së bardhë, por përsëri pas ardhjes në pushtet, ai u mundua të dëmtojë një gamë të elementeve të sigurisë sociale, e më së keqi sigurimet shëndetësore. Politikat e tij të punësimit përfshijnë shpëtimin e disa industrive që nuk janë për t’u shpëtuar dhe “arritja” e tij më e madhe legjislative ishte projektligji i vitit 2017, kur njerëzit me të u pasuruan edhe më shumë. Asnjë populist nuk ka bërë më pak për t’i shpërblyer qytetarët dhe kjo mund të shpjegojë pse retorika përplot me urrejtje e Trumpit po arrin të hasë mbështetje historike: sepse ai nuk ka çfarë të ofrojë tjetër.
E përbashkëta e Trumpit dhe Reaganit
Paaftësia dhe pabarazia e Trumpit e tmerrojnë autoren e studiuesen, Anne Applebaum. Ajo bën apel për kthimin e idealeve të SHBA-së si komb i civilizuar, ku prejardhja etnike apo racore nuk ka rëndësi. Kjo do të thoshte kthim prapa në kohërat kur partia e tij është udhëhequr nga njerëz me karakter, si John McCain dhe Ronald Reagan.
Është e vërtetë se Reagani tani duket si burrështetas dhe gjenial. Por a nuk ka premtuar edhe ai që ta bënte Amerikën përsëri madhështore? Pse duhet një komb të bëhet “përsëri” madhështor gjatë dy gjeneratave të njëpasnjëshme nga partia e njëjtë?
Përgjigja është ironike dhe tragjike, dhe përfshin një portret më të errët të Reaganit sesa ai i Applebaumit. Trumpi është një populist që i shfrytëzon dështimet e paraardhësve të tij. Reagani ka forcuar ushtrinë amerikane, por ai nuk ka bërë shumë për mbështetësit që i takonin klasës punëtore. Të ardhurat e tyre kanë rënë, qytetet janë zbrazur dhe një gjeneratë më vonë fëmijët e tyre filluan ta mbështesin Trumpin. Prapë Trumpi e ka vazhduar qasjen e Reaganit ndaj qeverisjes: ta zvogëlojë atë sa më shumë.
Analizë e revistës “New Statesman"