Varianti i ri i koronavirusit po e rëndon gjendjen shëndetësore të të prekurve më shumë se të pacientëve të infektuar me versionet e mëhershme të COVID-19, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters, që në hyrje të shkrimit. Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve kanë paralajmëruar se Delta, e identifikuar së pari në Indi dhe e përhapur pastaj në mbarë botën, “me gjasë është më i ashpër” se versionet e mëhershme të virusit, bëhet e ditur në një raport të brendshëm
Reuters – Të përballur me valën e re të infektimeve me COVID-19, të përshkallëzuar nga varianti Delta që po godet vendet në mbarë botën, ekspertët e sëmundjes po e kanë të vështirë që të mësojnë hollësitë shkencore rreth versionit të ri të koronavirusit në mesin e njerëzve – sidomos te ata pa u vaksinuar. Varianti i ri po rëndon gjendjen shëndetësore të të prekurve më shumë se të pacientëve të versioneve të mëhershme të COVID-19, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters, që në hyrje të shkrimit.
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve kanë paralajmëruar se Delta, e identifikuar së pari në Indi dhe pastaj në mbarë botën, “me gjasë është më i ashpër” se versionet e mëhershme të virusit, bëhet e ditur në një raport të brendshëm.
Agjencia ka cituar hulumtimet e kryera në Kanada, Singapor dhe Skoci, që tregojnë se njerëzit e infektuar me variantin Delta kishin më shumë mundësi që të shtroheshin në spital sesa pacientët e mëparshëm të pandemisë.
Në intervista me Reutersin, ekspertët e sëmundjes kanë thënë se tri studime kanë sugjeruar për rrezik më të madh nga varianti, por studimi i popullsive është i kufizuar dhe të dhënat nuk janë rishikuar prej ekspertëve të jashtëm. Mjekët që po i trajtojnë pacientët e infektuar me Delta kanë përshkruar shenja më të shpejta të COVID-19 dhe në shumë rajone ngritje të përgjithshme të rasteve serioze.
Por, ekspertët kanë thënë se duhet më shumë punë për të krahasuar rezultatet me më shumë individë në studime epidemiologjike për të mësuar lidhur me pasojat që i shkakton një variant në sëmundje krahasuar me të mëparshmit.
Lawrence Young, virolog në Shkollën Mjekësore Warwdsick në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë se është e vështirë të nxirren të dhëna të fuqishme shkencore prej rasteve të studiuara deri tani.
Megjithatë, besohet se shkalla e jashtëzakonshme e bartjes së Deltas po i kontribuon numrit më të lartë të rasteve serioze që po shtrohen në spitale, thonë ekspertët.
Delta është ngjitëse sikur lija e dhenve dhe larg më ngjitëse se ftohja ose gripi i zakonshëm, thuhet ndër të tjera, në raportin e shkencëtarëve amerikanë.
Shane Crotty, virologe në Institutin La Jolla për Imunologji në San Diego, ka thënë se indikatori më i qartë se varianti mund të shkaktojë sëmundje më serioze vjen nga studimi skocez, që ka zbuluar se Delta pothuajse dyfishon rrezikon e hospitalizimit krahasuar me versionin e mëparshëm.
Shumica e rasteve të hospitalizimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara po shfaqen te personat që nuk janë vaksinuar. Por ka dëshmi se vaksinat janë më pak efikase te njerëzit që kanë telashe me sistem të imunitetit, përfshirë pleqtë.
Për të vaksinuarit, ose personat që nuk kanë telashe shëndetësore, e pazakonshmja është se nëse kanë kontakt me persona të infektuar, përjetojnë sëmundje asimptomatike ose shenja të dobëta, ka thënë doktori i shkencave, Gregor Poland, ekspert i sëmundjeve ngjitëse në Klinikën Mayo.
Doktoresha Michelle Barron, drejtoreshë e lartë e parandalimit dhe kontrollimit të sëmundjeve në UCHealth në Kolorado, e ka krahasuar variantin Delta me një zjarr të madh që përhapet shpejt.
Hulumtimet e kryera në Kinë sugjerojnë se varianti Delta replikohet shumë më shpejt dhe gjeneron njëmijë herë më shumë virus në trup krahasuar me virusin fillestar, duke spikatur kështu shkallën e rrezikut, ka thënë Barron.
“Është e vështirë të thuhet nëse ata janë më të sëmurë për shkak të variantit Delta ose edhe ashtu do të sëmureshin më rëndë”, ka shtuar ajo.