Botë

Del raporti preliminar i rrëzimit të aeroplanit në Brazil ku vdiqën 62 persona

Rrëzimi i aeroplanit në Brazil

Raporti preliminar për rrëzimin e aeroplanit në Brazil në gusht ka gjetur shenja të grumbullimit të akullit në aeroplan, por asnjë shkak të caktuar për aksidentin, shkruan The Guardian të shtunën.

Raporti – i bërë publik të premten – vuri në dukje se detektorët e akullit ishin aktivizuar në aeroplanin e linjës ajrore Voepass. Dhe një zyrtar i Qendrës braziliane për Kërkimin dhe Parandalimin e Aksidenteve Aeronautike (Cenipa) ka thënë në një konferencë për shtyp se regjistrimet e bisedimeve në kabinë treguan se bashkëpiloti ka thënë se kishte “shumë akull” gjatë fluturimit.

Sipas hetuesve, kjo tregon se sistemi i ngrirjes së akullit të aeroplanit mund të ketë dështuar, por Cenipa ka thënë se informacioni duhet ende të konfirmohet.

Tre ekspertë kanë thënë se akulli mund të kishte luajtur rol në përplasjen, por kërkuan kujdes pasi raporti është preliminar dhe aksidentet shkaktohen nga faktorë të shumtë.

Aeroplani ATR-72 nga kompania Voepass doli jashtë kontrollit përpara se të përplasej në tokë më 9 gusht, duke lënë të vdekur të gjithë 62 personat në bord. Fluturimi ishte brenda Brazilit. Sipas Cenipa, hetimet për përplasjen pritet të zgjasin më shumë se një vit. 

“Gjithçka që kam lexuar nga raporti sot ka të bëjë me akullin, por aksidentet rrallë shkaktohen nga një faktor i vetëm”, ka thënë eksperti amerikan i sigurisë së aviacionit, Anthony Brickhouse.

Sipas zyrtarëve, ekuipazhi ndezi alarmet për humbjen e shpejtësisë, por nuk deklaroi situatë emergjente.

Cenipa ka thënë se është ende e paqartë se si aeroplani me të gjitha certifikatat e nevojshme përfundoi duke humbur kontrollin dhe duke rënë në tokë.