Botë

Deklarohet e pafajshme gruaja që vrau tre persona duke i helmuar me kërpudha

Erin Patterson

Një grua australiane që dyshohet se shkaktoi vdekjen e tre personave të cilëve u shërbeu kërpudha helmuese, është deklaruar e pafajshme për vrasjen.

Erin Patterson, 49 vjeçe, po përballet me tre akuza për vrasje dhe dy akuza për tentativë vrasjeje për vaktin fatal me kërpudha helmuese në korrik të vitit të kaluar.

Patterson ka thënë vazhdimisht se nuk i helmoi qëllimisht të ftuarit e saj dhe të martën në gjykatë iu kërkua të deklarohej për akuzat ndaj saj. Ajo tha se është e pafajshme.

Patterson shtroi një drekë në shtëpinë e saj në Leongatha, në juglindje të Melbourne-it, më 29 korrik. Të ftuar ishin ish-vjehrrit e saj Gail dhe Don Patterson, së bashku me motrën e Gail, Heather Wilkinson dhe burrin e Heather, Ian. Policia ka thënë se bashkëshorti i Erin Patterson, Simon Patterson, ishte gjithashtu i ftuar, por nuk ia doli të ishte prezent në minutën e fundit.

Disa orë pasi hëngrën vaktin, të katër të ftuarit u sëmurën me atë që fillimisht menduan se ishte helmim i rëndë nga ushqimi. Brenda pak ditësh, çifti Patterson, të dy 70 vjeç dhe zonja Wilkinson, 66 vjeçe, vdiqën. Wilkinson, 68 vjeç, mbijetoi, pasi kaloi pothuajse tre muaj në spital.

Policia beson se katër të ftuarit hëngrën kërpudha helmuese, të cilat janë shumë vdekjeprurëse nëse gëlltiten.

Pas muajve të tërë hetimesh, autoritetet zbuluan se Patterson ishte përpjekur plot tre herë të tjera që të vriste burrin e saj, dhe në nëntor ajo u arrestua dhe u akuzua zyrtarisht për tetë vepra në total. 
Çështja e saj tani do të përcillet në Gjykatën e Lartë të Melbourneit, me seancën e saj të parë të planifikuar për 23 maj.