Ambasada e Ukrainës në Bosnjë dhe Hercegovinë ka reaguar pas deklaratave të të sapozgjedhurit në presidencën tripalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka thënë se pas marrjes së detyrës do të kërkojë njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë.
Ambasada ukrainase e ka quajtur jomiqësore këtë deklaratë duke theksuar se ajo mund të shkaktojë dëmtim të raporteve mes dy vendeve si dhe të vetë autoritetit të Bosnje Hercegovinës në arenën ndërkombëtare.
Kreu i Social-Demokratëve të Pavarur, Millorad Dodik deklaroi se do të fillojë këtë iniciativë për ta njohur Krimenë si pjesë integrale të Rusisë.
“Natyrisht se do të filloj këtë iniciativë dhe synoj që Krimeja të njihet në nivel të Bosnje e Hercegovinës”, ka deklaruar Dodik për të përditshmen ruse “Izvestija”, duke shtuar se bashkimi i Krimesë me Rusinë ka ndodhur pas një “referendumi legjitim”, shkruan REL.
Lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik ka thënë se është i interesuar që sapo të krijohet mundësia, personalisht ta vizitojë Krimenë. Ai po ashtu ka deklaruar se kurrë nuk do të përkrahë anëtarësimin e Bosnjës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ai në këtë intervistë deklaroi po ashtu se është i interesuar që në Republikën Serbe të Bosnjës, të ndërtojë një qendër humanitare ruso-serbe, të njëjtë sikurse ajo që gjendet në Nish të Serbisë.