Fluturimi i parë, që në bord kishte imigrantë brazilianë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte tejet kaotik. Përpjekje të shumta për aterim, nxehtësia ekstreme, dalje emergjente dhe të internuar me pranga. Të gjitha këto bënë që administrata e Donald Trumpit të përballet me kritika të shumta që në javën e parë në detyrë
Brenda aeroplanit, temperaturat po rriteshin. Shqetësimi mes tetëdhjetë e tetë brazilianëve, të dëbuar, shumica prej tyre të lidhur me pranga, po shtohej të premten teksa qëndronin nën vëzhgimin e agjentëve të emigracionit të SHBA-së. Aeroplani me pasagjerë, i cili përballej me probleme të përsëritura teknike, u ul në asfalt në një qytet të harruar në pyjet tropikale të Amazonës.
Pastaj kondicioneri u prish, përsëri.
Kishte njerëz që kërkonin të qëndronin ulur, që shtynin, bërtisnin, fëmijë që qanin, pasagjerë që u ra të fikët dhe agjentë që bllokonin daljet, sipas intervistave me gjashtë prej të dëbuarve që ishin në bord. Më në fund, pasagjerët tërhoqën levat për dy dalje emergjente dhe burra të lidhur dolën jashtë, duke kërkuar ndihmë.
Policia Federale e Brazilit mbërriti shpejt dhe, pas një bllokimi të shkurtër, u tha agjentëve të Emigracionit të SHBA-së që të lironin të dëbuarit, megjithëse ata nuk kishin arritur ende në destinacionin e tyre të planifikuar.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva urdhëroi Forcat Ajrore braziliane që të merrnin të dëbuarit me aeroplan dhe t’i çonin në destinacionin e planifikuar që në fillim. Ministrat e kabinetit të presidentit më pas kritikuan publikisht trajtimin e të dëbuarve nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump duke e cilësuar si “të papranueshëm” dhe “degradues”.
Ishin ato ankesa për fluturimin brazilian që presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro po u përgjigjej në mediat sociale kur njoftoi të dielën se qeveria e tij kishte refuzuar dy fluturime deportimi nga Shtetet e Bashkuara. Kjo nisi edhe valën e kërcënimeve të dyfishta për vendosje të tarifave midis Shteteve të Bashkuara dhe Kolumbisë që përfundimisht përfunduan në tërheqjen e Petros nga vendimi.
Ky pluhur diplomatik mbi fluturimet me të dëbuar, në Brazil dhe Kolumbi, shënoi fundjavën e parë të trazuar për politikat e ashpra të presidentit Trump për të dëbuar miliona imigrantë pa dokumente.
U zbulua pakënaqësia e theksuar në të gjithë rajonin lidhur me cilësimin e imigrantëve nga presidenti Trump si kriminelë të ashpër që kërcënojnë strukturën e Shteteve të Bashkuara.
Të hënën, Trumpi duke iu referuar të dëbuarve tha se “secili prej tyre është ose vrasës, ose bos droge, udhëheqës i një lloji, një kryetar turme ose një anëtar bande”. Kreu i autoritetit të migracionit të Kolumbisë tha se në realitet, asnjë nga të dëbuarit që mbërritën me dy aeroplanë në Bogota të martën nuk kishin precedentë penalë.
Të dy qeveritë, ajo kolumbiane dhe braziliane, postuan në mediet sociale mesazhe të tërthorta për Trumpin, në të cilat u bëhej thirrje qytetarëve të tyre që të kthehen në vendlindje duke vënë në dukje se ata meritojnë respekt.
“Ata janë të lirë dhe të dinjitetshëm, dhe janë në atdheun e tyre, aty ku i duan”, shkroi të martën Petro.
Sipas Qendrës Kërkimore “Pew”, 11 milionë imigrantë pa dokumente ishin në Shtetet e Bashkuara në vitin 2022, duke përfshirë 4 milionë meksikanë, 2.1 milionë nga Amerika Qendrore, 230 mijë brazilianë dhe 190 mijë kolumbianë.
Presidenti Petro fillimisht i kishte refuzuar fluturimet me të dëbuarit sepse ato drejtoheshin nga Ushtria amerikane, ndryshim i fundit ky nën administratën Trump. Ishte aeroplani ushtarak kolumbian ai që i çoi të martën të dëbuarit kolumbianë në vendlindje. Meksika nuk dihet ende nëse ka organizuar ndonjë fluturim deportimi me aeroplanë ushtarakë.
Brazilianët u nisën drejt vendlindjes përmes një aeroplani komercial. Qeveria braziliane thirri diplomatin më të lartë amerikan të hënën për të diskutuar mbi kushtet e atij fluturimi. Qeveria i ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë amerikane që të prangosë të dëbuarit vetëm nëse ata përbëjnë një kërcënim, duke përfshirë këtu edhe një telefonatë të vitit 2022 midis ministrit të jashtëm të Brazilit dhe sekretarit të shtetit të SHBA-së atëbotë Antony Blinken, bazuar në një dokument të qeverisë braziliane.
Zyrtarët amerikanë kryesisht i kanë injoruar këto kërkesa, sipas zyrtarëve dhe akademikëve brazilianë që janë të njohur me këtë çështje. Qeveria amerikane ka deportuar rreth 7.700 brazilianë në rreth 95 fluturime që nga viti 2020, sipas zyrtarëve brazilianë. Në shumë prej atyre fluturimeve, agjentët e Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave të SHBA-së (ICE) i kanë lidhur me pranga të dëbuarit brazilianë në duar dhe këmbë, thanë zyrtarët.
Megjithatë, fluturimi i dëbimit të së premtes në Brazil, i pari i mandatit të ri të Trumpit, ishte gjithashtu i pari që shkaktoi një reagim të tillë publik nga Qeveria braziliane. Ajo që bënte diferencën të premten, thanë zyrtarët dhe pasagjerët, ishte gjendja e aeroplanit dhe trajtimi i ashpër i të dëbuarve nga agjentët e ICE-së.
ICE-ja nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Për shumë prej të dëbuarve brazilianë, udhëtimi filloi javë më parë. Ky udhëtim përfshinte rrugë të gjata të përshkuara me autobus nëpër Shtetet e Bashkuara, nga Kalifornia, Georgia, Arizona dhe Teksasi, për në qendrën federale të emigrimit në Alexandria, Louisiana. Në këto udhëtime, që shpesh zgjasnin për ditë të tëra, burrat ishin gjatë tërë kohës të lidhur me pranga.
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, agjentët e ICE-së mbushën aeroplanin me të dëbuarit, duke vendosur dhjetëra burra të prangosur në pjesën e pasme si dhe gra e fëmijë, të cilët nuk ishin të lidhur me pranga, në pjesën përpara, bënë të ditur të dëbuarit.
Fluturimi i operuar nga linja ajrore, GlobalX Air, u përball me probleme që në fillim. Pasagjerët thanë se që në tentativën e parë, aeroplani pati vështirësi të ateronte. Një mekanik punoi diçka në njërën turbinë, dhe më pas aeroplani ateroi, por pasagjerët ishin të shqetësuar.
“Ata filluan të pyesnin: Nëse na ndodh diçka, si do t’ua hiqni prangat 80 personave?”, tha Luiz Campos, 35 vjeç, një nga të dëbuarit brazilianë, i cili ishte pjesë e atij fluturimi pasi kaloi gjashtë javë në qendrat e paraburgimit në Teksas. “Ju lutem, hiqni këta zinxhirë”, kujtoi ai njerëzit që bënin këto thirrje. “Ata thanë: ‘Jo. Është protokoll. Gjithmonë është kështu”.
Tensionet u përshkallëzuan disa orë më vonë gjatë një ndalese në Panama. Aeroplani tentoi të ateronte përsëri, dhe këtë herë, tre pasagjerë deklaruan se kishin parë tym që dilte nga njëri motor. Kjo gjithashtu shkaktoi edhe prishjen e kondicionerit, thanë ata, dhe aeroplani u shndërrua shpejt në një sauna.
Kondicioneri u rregullua në ndërkohë dhe aeroplani u nis. Disa orë më vonë, ai ateroi në Manaus, qyteti më i madh në Amazonën braziliane. Fluturimi ishte planifikuar që të përfundonte në Belo Horizonte, Brazil, një qytet 2575 kilometra më në jug. Policia federale e Brazilit njoftoi se aeroplani u detyrua të mos nisej si shkak i një problemi teknik.
GlobalX Air dhe ICE-ja nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Në Manaus, aeroplani u përpoq që të nisej për herën e tretë, por kishte përsëri probleme të dukshme me motorin, thanë pasagjerët. Dhe pastaj, kondicioneri filloi të rrjedhë brenda.
“U dëshpëruam shumë. Për të qenë i sinqertë, nuk e mendoja se do të kthehesha në shtëpi i gjallë”, tha Luiz Antônio Rodrigues Santos, 21 vjeç, një nga të dëbuarit.
Ai tha se kishte probleme me astmën dhe nuk mund të merrte frymë, prandaj agjentët e ICE-së e dërguan atë në pjesën e përparme të aeroplanit dhe i hodhën ujë në kokë.
“Fëmijët filluan të qanin, prindërit po bërtisnin, të dëshpëruar”, tha ai. “Në atë moment vendosëm që duhej të bënim diçka”.
Santos dhe të dëbuar të tjerë treguan se si burrat me pranga filluan të ecin drejt korridorit, duke shtypur madje fizikisht agjentët e ICE-së që mundoheshin t’i bllokonin. Agjentët dhe pasagjerët bërtisnin dhe shtynin njëri-tjetrin, dhe disa të dëbuar madje thanë se i kishin goditur. Më pas disa pasagjerë hapën dyert e emergjencës.
Brenda pak minutash, të paktën shtatë burra të prangosur dolën nga aeroplani.
“Thirrni policinë!” bërtiti njëri, bazuar në një video.
Policia federale e Brazilit arriti të hyjë brenda në aeroplan dhe i urdhëroi agjentët e ICE-së që t’i linin brazilianët të largoheshin. Ndërkohë që njerëzit në aeroport shikonin tërë këtë ndodhi dhe bënin video, agjentët e ICE-së kërkuan që t’ua heqin prangat të dëbuarve.
“Por askush nuk e lejoi këtë. Vetë pasagjerët thanë: ‘Jo, tani nuk po i heq prangat’”, tha Campos.
“Sepse nëse do të hiqnin prangat, mendoj se historia do të ishte ndryshe”.
Në edicionet e lajmeve u bënë publike videot ku shiheshin burrat e prangosur dhe zyrtarët brazilianë që i lironin ata.
Pasagjerët kaluan natën në aeroportin e Manausit. Të shtunën, një aeroplan ushtarak brazilian i çoi ata në Belo Horizonte.
Atje ata u mirëpritën nga ministrja braziliane për të drejtat e njeriut, Macaé Evaristo.
“Unë jam këtu me kërkesën e presidentit Lula”, u tha ajo pasagjerëve në aeroplan, bazuar në një video të publikuar nga qeveria braziliane. “Qëndrimi ynë është se vendet mund të kenë politikat e tyre të emigracionit, por ato kurrë nuk mund të shkelin të drejtat e askujt”. /The New York Times