Botë

Debati Trump-Harris dhe disa nga pyetjet kryesore rreth tij

Kamala HArris - Donald Trump

Zëvendëspresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris dhe ish-presidenti e kandidati republikan për president, Donald Trump, do të përballen më 10 shtator, në debatin e parë televiziv mes tyre. Debati ishte planifikuar të zhvillohej mes presidentit Joe Biden dhe Trumpit, deri në momentin kur Bideni vendosi që të largohej nga gara për rizgjedhje. Përballja Harris – Trump vjen vetëm 75 ditë pas një paraqitjeje të dobët të Bidenit në debat me Trumpin, që shkaktoi një tërmet politik, duke e detyruar atë të tërhiqej.

Donald Trump dhe Kamala Harris do të debatojnë për herë të parë - dhe ndoshta të fundit - të martën në mbrëmje në kohën kur kandidatët presidencialë po bëjnë përpjekje për të rritur mbështetjen mes votuesve amerikanë për zgjedhjet e nëntorit.

Përballja mes tyre vjen vetëm 75 ditë pas një paraqitjeje të dobët të presidentit Joe Biden në debat, çka shkaktoi tërmet politik, duke e detyruar të largohej nga gara.

Zëvendëspresidentja Harris, e cila ka shërbyer më parë si prokurore, do të hyjë në debat me pritshmëri relativisht të larta, kundër një kundërshtari të shpallur fajtor për 34 akuza penale e me prirje për deklarata të rreme.

Debati, që do zgjasë 90 minuta, fillon në orën 21:00 në mbrëmje të martën në Qendrën Kombëtare Kushtetuese në Filadelfia. Në përputhje me rregullat e negociuara nga zyrtarët e të dyja fushatave, debati do të zhvillohet pa audiencë.

A mund të bëjë Harrisi atë që nuk mundi të bëjë Bideni?

Presidenti Biden vendosi një standard tepër të ulët për Harrisin me debatin e 27 qershorit. Presidenti hasi në vështirësi të ofronte argumente koherente, apo edhe të përfundonte mendimin.

Koalicioni anti-Trump, mbeti i zhgënjyer që ai dështoi të përfitonte nga barra e dukshme politike që mbart Trump – qoftë për abortin, sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, për çështje që lidhen me karakterin, apo problemet e tij ligjore.

Harrisi pritet që të ketë një paraqitje shumë më të mirë. Por, edhe në këto kushte, të fitosh pikë kundër Trumpit në skenën e një debati është më e lehtë të thuhet sesa të ndodhë.

Trumpi mund të jetë debatuesi më me përvojë në historinë moderne presidenciale. Si një ish-yll i televizionit, ai di si ta dominojë atë. Dhe qartësisht atij i pëlqen të debatojë.

Së fundmi, Harrisi ka sugjeruar se ajo po përgatitet për një përplasje politike.

“Donald, nëse ke diçka për të thënë, ma thuaj në fytyrë”, ka thënë ajo duke folur në një tubim muajin e kaluar në Atlanta.

Por a mund ta përballojë ajo një debat të fortë? Kjo mbetet për t'u parë.

A mund të përqendrohet Donald Trumpi?

Trumpi nuk njihet për disiplinë, apo përgatitje. Paraqitjet e tij në debate, ashtu si stili i tij qeverisës, zakonisht ushqehen shumë më tepër nga instinkti, sesa nga të menduarit analitik.

Ndaj, pak presin që Trumpi të ofrojë një linjë të qartë e të menduar akuzash kundër Harrisit.

Ai e ka vënë në dyshim identitetin racor të Harrisit. E ka quajtur atë komuniste. Ka vënë në dyshim fuqinë e saj. E ka quajtur atë një liberale të San Franciskos. Dhe i ka kujtuar votuesve se ajo ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Biden, për gati katër vjet dhe me gjasë, do të vazhdojë politikat e tij edhe për katër vjetët e ardhshëm nëse i fiton zgjedhjet.

Është lidhja me Bidenin, që shumë republikanë, si brenda ashtu edhe jashtë fushatës së Trumpit, besojnë se do të jetë më e efektshme për të në debat. Ata duan që ai të evokojë pyetjen që kishte shtruar Ronald Regan në skenën e debatit të vitit 1980, një fjali që e bëri atë popullor – “A jeni sot më mirë se ç’ishit katër vjet më parë?”

Pyetja që shtrohet është nëse Trumpi mund ta përçojë këtë mesazh në një mënyrë që të mos harrohet menjëherë nga ndonjë deklaratë tjetër e tij shumë më e debatueshme. Të dhënat e fundit ofrojnë arsye për të qenë skeptik.

Rëndësia e gjuhës së trupit

Natyrisht, do të ketë një dinamikë të dukshme gjinore në skenë të martën në mbrëmje.
E drejtë ose jo, gjuha e trupit dhe toni, shihen ndryshe në një debat mes një burri dhe një gruaje.
Kandidatët pritet të qëndrojnë pas podiumit gjatë debatit. Por, republikanët shpresojnë që Trumpi do të shmangë çdo provokim, si për shembull duke drejtuar gishtin ndaj Harrisit, ngritje zëri, ose të ecë drejt saj, veprime që nuk do të shiheshin me sy të mirë nga një pjesë e votueseve gra.

Harrisi, pritet të përballet me sfida unike, sikurse ajo që lidhet me racën dhe gjininë e saj, ndërsa amerikanët po peshojnë nëse do ta votonin atë si presidenten e parë grua të vendit. Disa votues ende thonë se nuk e duan këtë gjë.

Por, krahas dinamikës gjinore, ajo që nuk duhet nënvlerësuar është pesha që ka diferenca e tyre në moshë.

Harrisi është pothuajse dy dekada më e re se 78-vjeçari Donald Trumpi. Mosha shihej si një avantazh politik për Trumpin, kur ai përballej me 81-vjeçarin Joe Biden, por situata tashmë ka ndryshuar kur ka përballë 59-vjeçaren Kamala Harris. Nëse fiton, Donal Trump do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve e Bashkuara.

Formati i debatit do të jetë disi i ndryshëm, në përputhje me një sërë rregullash për të cilat kandidatët ranë dakord këtë javë.

Në mjediset ku do të mbahet debati nuk do të ketë publik si dhe nuk do të lejohen deklarata hapëse. Mikrofonat e kandidatëve do të mbyllen ndërsa flet kundërshtari, çështje që nxiti polemika ditët e fundit.

Trumpi, pa shumë dëshirë, pranoi mbylljen e mikrofonave kur u përball me Bidenin në qershor, por pas atij debati, ekipi i tij tha se do të ishte mirë që mikrofonat të qëndronin të mbyllur, ndërsa kundërshtari fliste. Ekipi i Harrisit kërkoi rikthimin në një format normal, me mikrofona gjatë gjithë kohës hapur.

Aborti dhe emigracioni, çështjet dominuese

Politika ndonjëherë luan rol dytësor pas personalitetit në debatet presidenciale.

Por mes dy kandidatëve ka dallime dramatike për çështje kyçe që janë në mendjen e miliona votuesve.
Republikanët shpresojnë që Trumpi ta trajtojë imigracionin si një çështje thelbësore të debatit.

Republikanët kanë dënuar në mënyrë efektive trajtimin e imigracionit të paligjshëm nga ana e administratës së Bidenit në kufirin SHBA-Meksikë, për pjesën më të madhe të katër viteve të fundit.
Dikur një çështje që tërhiqte më së shumti bazën republikane, imigracioni i paligjshëm dhe shqetësimet e lidhura me drogën, krimin dhe sigurinë kombëtare, janë tashmë një çështje kryesore për votuesit e të gjithë spektrin politik.

Harrisi me gjasë do të përpiqet t'u kujtojë votuesve se Trumpi ndihmoi në rrëzimin e një projektligji dypartiak mbi imigracionin që do të kishte bërë shumë, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Por në përgjithësi, Harris ka të ngjarë të qëndrojë në pozita mbrojtëse, kur të ngrihet çështja.

Demokratët duan përqendrim tek aborti

Gjatë administratës së tij, Trumpi caktoi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët më vonë rrëzuan vendimin historik ‘Roe kundër Wade’ që ofronte mbrojtje kushtetuese për të drejtën e grave për abort. Trumpi ka thënë vazhdimisht se ai është krenar që ky vendim u rrëzua.

Por, ai është i vetëdijshëm se një pikëpamje e tillë nuk është popullore në mesin e shumë grave, ndaj është përpjekur ta moderojë qëndrimin e tij mbi çështjen që ka nxitur shumë përçarje në vend.
Megjithatë Harrisi nuk do t'ia bëjë të lehtë.

Si grua, ajo mund të jetë më efektive në trajtimin e kësaj çështjeje sesa ishte Bideni. Po kështu Trumpi nuk ka luksin të humbasë më shumë votuese gra.

Situatat e paparashikueshme që mund t’i krijojë Trumpi

Nëse pyeten kundërshtarët e mëparshëm gjatë debateve të Trumpit se çfarë presin ata të shohin të martën në mbrëmje - shumë thonë të njëjtën gjë: kushtojini vëmendje asaj që ai thotë, ose bën, e për të cilat Harrisi nuk mund të përgatitet.

Trumpi është mjeshtër i të paparashikuarës, që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm politik duke injoruar rregullat tradicionale të politikës. Ai do të thotë ose do të bëjë gjithçka që mendon se është më e mira në këtë moment. Dhe Harrisi, e cila i ka kushtuar disa ditë përgatitjes për debatin, nuk mund të planifikojë gjithçka.

Por në këtë pikë, është e vështirë të imagjinohet që Trumpi mund të befasojë dikë me çështje të reja. Ai ka vlerësuar diktatorët, ka sugjeruar pezullim të zbatimit të Kushtetutës dhe ka thënë se Harrisi vetëm së fundmi ka thënë se është “zezake”.

Edhe vetë ekipi i Trumpit gjendet shpesh përpara të papriturash, në raport me atë që ai parashikon të thotë apo të bëjë. Kjo është tepër e rrezikshme për Trumpin, por gjithashtu ushtron presion të madh tek Harrisi.