Ngecja ushtarake e Rusisë mund të jetë duke dobësuar reputacionin e presidentit Vladimir V. Putin në vend si një strateg i zgjuar gjeopolitik. “Forca është burimi i vetëm i legjitimitetit të Putinit”, tha në një intervistë telefonike Abbas Gallyamov, ish-shkrues fjalimesh i Putinit, i cili tani është konsulent politik që jeton në Izrael. “Dhe në një situatë në të cilën rezulton se ai nuk ka forcë, legjitimiteti i tij do të fillojë të bjerë drejt zeros”
Tërheqja e forcave ruse nga Ukraina në fundjavë po përbën lloj të ri sfide politike për presidentin Vladimir V. Putin: Ajo zbeh imazhin e kompetencës dhe fuqisë për të cilin ka punuar për dy dekada për ta ndërtuar.
Të dielën, ushtria ruse vazhdoi të tërhiqej nga pozicionet në Ukrainën verilindore që kishte pushtuar prej muajsh. Raportet e lajmeve të televizionit shtetëror iu referuan tërheqjes si një “operacion rigrupimi” të planifikuar me kujdes, duke lavdëruar heroizmin dhe profesionalizmin e trupave ruse.
Forca e bën fuqinë!
Por mesazhi optimist nuk ia doli të zbuste zemërimin mes mbështetësve të luftës për tërheqjen dhe trajtimin e saj nga Kremlini. Dhe vështirë se i jep shpresë Putinit, i cili po udhëheq luftën gjashtëmujore kundër një armiku gjithnjë e më të fuqizuar dhe një popullsie ruse që nuk duket se është e përgatitur për sakrificat që mund të vijnë nga një konflikt në përshkallëzim.
“Forca është burimi i vetëm i legjitimitetit të Putinit”, tha në një intervistë telefonike Abbas Gallyamov, ish-shkrues fjalimesh i Putinit, i cili tani është konsulent politik që jeton në Izrael. “Dhe në një situatë në të cilën rezulton se ai nuk ka forcë, legjitimiteti i tij do të fillojë të bjerë drejt zeros”.
Ndërsa Ukraina po krenohet me avantazhin, duke pushtuar qytete dhe territore, Putini përshkallëzoi brutalitetin e fushatës së tij, me një sinjal për zërat pro luftës në televizionet ruse dhe mediat sociale. Sulmet me raketa mbi infrastrukturën në të gjithë Ukrainën lindore dhe qendrore zhytën pjesë të vendit në terr.
Por ishte e paqartë se sa larg Rusia – me arsenalet e saj kibernetike, kimike dhe bërthamore – mund të ishte e gatshme të shkonte për ta ndalur vrullin e Ukrainës, edhe pse shkalla e pengesës në fushën e betejës u bë më e qartë dhe më shumë prova u shfaqën për rrëmujë brenda klasës sunduese të Rusisë.
Rebelimi i liderit çeçen
Ramzan Kadyrov, lideri i fortë i rajonit të Çeçenisë në Rusinë jugore që ka dërguar mijëra trupa të veta në Ukrainë, akuzoi ushtrinë ruse për “gabime” dhe dështimin për të shpjeguar tërheqjen për publikun.
Sergei Mironov, kreu i një partie pro Putinit në Parlament, kritikoi autoritetet për festimin e Ditës vjetore të qytetit të Moskës këtë fundjavë, duke postuar në Twitter: "Nuk mund të jetë dhe nuk duhet të shtiremi sikurse asgjë nuk po ndodh, derisa djemtë tanë po vdesin sot!”
"Për shkak të disa gabimeve të panjohura për ne, kontrolli mbi proceset politike po humb", tha në mediat sociale analisti pro Kremlinit, i cili shfaqet shpesh në televizionin shtetëror, Sergei Markov. “Ju garantoj se ky konfuzion nuk do të zgjasë shumë. Por tani për tani, është një rrëmujë”.
Problemi themelor, thanë analistët, është se prirja e Putinit për të mashtruar popullin po i afrohet atij. Realiteti i pengesës ruse po krijon paqartësi në mesazhin e Kremlinit se ushtria ruse është e pamposhtur, Ukraina është e mbushur me korrupsion dhe frikacakë dhe se Putini është alamet strategu i shkëlqyer gjeopolitik. Pikërisht të mërkurën e kaluar Putini deklaroi se Rusia "nuk kishte humbur asgjë" si rezultat i luftës, pohim në kundërshtim me vlerësimet perëndimore për dhjetëra mijëra viktima ruse.
Dita e festës dhe e poshtërimit
Për momentin, mbështetësit e luftës e kanë drejtuar kryesisht zemërimin e tyre për pengesat e kësaj fundjave te burokratët e Moskës ose te udhëheqja ushtarake. Por një tregues i hershëm se zhgënjimi mund të dëmtojë prestigjin e Putinit erdhi në rrjetin social Telegram pasi Moska vazhdoi me një shfaqje madhështore me fishekzjarr të shtunën në mbrëmje për të shënuar 875-vjetorin e themelimit të qytetit - një shuplakë në fytyrë për ushtrinë ruse, thanë disa, ndoshta në ditën më poshtëruese për Rusinë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
“Ne nuk do ta mbështesim këtë qeveri në zgjedhjet e 2024-tës", thanë administratorët e një llogarie pro-luftë në Telegram me më shumë se 400.000 ndjekës, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të Rusisë. "Ka kaluar një kohë e gjatë, por kjo është pika e fundit".
Pakënaqësia ishte e dukshme edhe në Moskë, qytet ku autoritetet kanë punuar për ta mbrojtur nga kostot e luftës.
Ndërsa banorët e Moskës festuan ditëlindjen e qytetit në fundjavë me koncerte dhe festa në bllok, Vladislavi, shofer taksie që u zhvendos në një qytet afër Moskës nga rajoni Krasnoyarsk në Siberi, i shikoi të gjithë flamujt dhe skenat festive me pak përbuzje. Ai tha se kushëriri i tij 34-vjeçar ishte vrarë dy javë më parë pranë Donjeckut në Donbas të Ukrainës, pasi ishte rekrutuar në forcat pro-ruse.
“Këtu, njerëzit po pinë vonë gjatë natës”, u ankua ai të dielën në mëngjes pas një fundjave argëtimi në qytet. “Askush nuk kujdeset për atë që po ndodh në front”.