Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka deklaruar të hënën se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka të gjejnë një rrugë paqësore lidhur me rajonin e Arktikut, përfshirë Grenlandën, një territor danez me vetëqeverisje.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar një krizë në marrëdhëniet SHBA-Evropë dhe trazira brenda aleancës ushtarake transatlantike të NATO-s këtë vit, kur intensifikoi kërkesat që SHBA-ja të merrte nën kontroll Grenlandën, me argumentin se Danimarka, gjithashtu anëtare e NATO-s, nuk mund ta mbronte atë.
“Jam mjaft optimiste se mund të gjejmë një zgjidhje dhe mendoj se tashmë po shohim disa shenja dhe sinjale shumë të qarta... shpresa ime është që të gjejmë një rrugë paqësore përpara”, ka thënë Frederiksen pas një takimi të liderëve dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Finlandën veriore.