Botë

Dalin para gjyqit tre avokatët që përfaqësonin Alexei Navalnyn

Avokatët e Alexei Navalnyt

Avokatët e Alexei Navalnyt

Foto: Associated Press

Tre avokatë që dikur përfaqësonin liderin e ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny dolën në gjyq të enjten në Rusi, si pjesë e goditjes së pandërprerë të Kremlinit ndaj disidencës, që vitet e fundit ka arritur nivele të papara që nga koha sovjetike.

Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Alexei Liptser u arrestuan në tetor të vitit 2023 me akuzën e përfshirjes në një grup ekstremist, raporton AP.

Çështja është parë gjerësisht si një mjet për të rritur presionin ndaj armikut më të ashpër të Kremlinit  në atë kohë, dhe për të dekurajuar avokatët mbrojtës që të marrin çështje politike

Kur ata u arrestuan, Navalny po vuante tashmë një dënim 19-vjeçar me burgim për disa dënime penale, duke përfshirë ekstremizmin. 

Akuzat për ekstremizëm kundër politikanit të opozitës erdhën nga një vendim gjykate i vitit 2021 që i shpalli të jashtëligjshme organizatat e tij në Rusi, “Fondacionin për Luftimin e Korrupsionit” dhe një rrjet të gjerë zyrash rajonale, si grupe ekstremiste.

Ai vendim, i cili ekspozoi ndaj ndjekjes penale këdo që ishte i përfshirë në organizata, u dënua nga kritikët e Kremlinit si i motivuar politikisht dhe i projektuar për të mbytur aktivitetet politike të Navalnyt.

Sipas aleatëve të Navalny-t, autoritetet akuzuan avokatët për përdorimin e statusit të tyre si avokatë mbrojtës për t'i kaluar letrat nga politikani i burgosur ekipit të tij, duke shërbyer efektivisht si ndërmjetës midis Navalnit dhe atij që ata e konsiderojnë si "grupin e tij ekstremist".

Navalny, një aktivist 47-vjeçar kundër korrupsionit dhe kundërshtar i hapur i presidentit, Vladimir Putin, ishte arrestuar në janar të vitit 2021 pas kthimit të tij nga Gjermania, ku po shërohej nga një helmim me agjent nervor për të cilin fajësoi Kremlinin.

Në shkurt të vitit 2024, ai vdiq papritur pas hekurave. Ekipi i tij dhe e veja e tij, Yulia Navalnaya akuzuan se kjo ishte një vrasje e urdhëruar nga Kremlini. Zyrtarët i kanë hedhur poshtë akuzat.

Dy avokatë të tjerë të Navalny janë në listën e të kërkuarve. Njëra prej tyre, Olga Mikhailova, e cila e kishte mbrojtur politikanin për një dekadë, ka thënë se ajo ishte akuzuar në mungesë për ekstremizëm pasi ishte larguar nga vendi. Tjetri, Alexander Fedulov, gjithashtu ka thënë vitin e kaluar se ai nuk ishte më në Rusi.