Kanë dalë detaje të reja për vrasjen e 15 mjekëve dhe punëtorëve të kërkim-shpëtimit nga trupat izraelite gjatë muajit të kaluar në Gazë. Dëshmitë e reja kanë përgënjeshtruar pretendimet e ushtarëve izraelitë se nuk kanë qëlluar pa kontroll ndaj ekipeve emergjente.
Gazeta izraelite, “Haaretz” ka raportuar të mërkurën se në një analizë të saj bazuar në materialet e siguruara nga Ushtria për incidentin, del se e vërteta është ndryshe prej pretendimit të Ushtrisë.
Sipas kësaj analize, më 23 mars, ushtarët izraelitë kanë qëlluar në mënyrë të vazhdueshme ndaj automjeteve për 3 minuta e gjysmë nga një distancë e shkurtër pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për të identifikuar veten.
Familja e Assad al-Nsasrah, një nga dy të mbijetuarit e sulmit, paraqiti një peticion të mërkurën në gjykatën e lartë të Izraelit duke kërkuar detaje rreth ndalimit të tij në Izrael. Autoritetet izraelite konfirmuan javën e kaluar se Nsasrah ishte në paraburgim, por sipas legjislacionit të luftës emergjente, vendndodhja e të burgosurve nga Gaza mund të mbahet sekret dhe atyre mund t’u ndalohet takimi me një avokat për 45 ditë. Nsasrah nuk i lejohet këshilltari ligjor deri më 7 maj.
Ishim disa pamje të incizuara me telefonin e një mjeku, që patën shpërfaqur të kundërtën e pretendimit të Izraelit për arsyet e vrasjes së 15 zyrtarëve shëndetësorë në sulmin e 23 marsit. Pas publikimit të pamjeve, Ushtria e Izraelit pati ndryshuar qëndrimin zyrtar rreth rastit.