Këto për amerikanët janë ndër zgjedhjet, për shumëçka, më të pazakontat ndonjëherë. Por gjithë procesi ngërthen ligje e tradita, që zbatohen veçmas, shtet pas shteti.
Në disa, votuesit janë përballur me zakone që janë aplikuar vetëm pak kohë më parë, derisa në shumë të tjera, të veçantat janë pjesë e procesit tash e disa dekada.
Mes tyre është edhe ndalimi i shitjes së alkoolit në ditën e zgjedhjeve.
Ani pse ligjet e shteteve amerikane nuk e ndalojnë shitjen e alkoolit në ditën e zgjedhjeve, në disa qytete të vogla kjo ndalesë vlen enkas për ditën elektorale. E një prej këtyre shteteve është Indiana.
Në fakt, 18 qytete dhe shtatë komuna në Indiana e ndalojnë shitjen e alkoolit më tetë nëntor.
Kjo ngase praktika do të konsiderohej joamerikane sipas standardeve të George Washingtonit. Kur po garonte për Dhomën e Borgjezëve në vitin 1758, ati, themeluesi i shtetit amerikan, e kishte flakur gjithë buxhetin e fushatës, prej 50 dollarësh, në alkool. Pasi i qerasi votuesit me 200 litra alkool për t’i nxitur që të dilnin dhe të votonin në favor të tijin.
Presidenti Washington e hapi më vonë edhe distilerinë më të madhe në Virgjinia, më 1797. Deri në vdekjen e tij më 1799, kjo distileri u bë njëra prej më të mëdhave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tjetër çudi elektorale amerikane është moslejimi i agnostikëve në garën për postin më të lartë.
Amerika e ndan kishën nga shteti, por disa shtete amerikane kanë tentuar që ta anashkalojnë këtë ligj, duke u kërkuar kandidatëve që së paku të besojnë në Zot.
Teksasi i kundërshton testet fetare si kualifikim për mbajtjen e detyrës zyrtare, por kërkon nga zyrtarët që “ta pranojë ekzistencën e një qenie supreme”. Kështu së paku ceket në nenin kushtetues numër 1 për Ligjin e të drejtës.
Edhe Tenesse ka një ligj të ngjashëm. Ky shtet e ndalon kandidimin e atyre që e mohojnë ekzistencën e një qenie supreme, siç ndodh edhe në Karolinën Jugore dhe atë Veriore, Mississippi, Marylandi dhe Arkansasi.
Nuk është e qartë se kur nisi përdorimi i ngjitësve me sloganin “Votova”, por amerikanët i përdorin ato menjëherë pas votimeve.
Një kompani në Florida ka pretenduar të ketë qenë e para që ka dizajnuar këta ngjitës, në vitin 1986.
Shumë shtete kanë format e tyre të veçanta të këtyre ngjitësve. Shteti i Georgias i përdor ato në formë pjeshke. Derisa Chicagoja ka refuzuar përdorimin e tyre, me arsyetimin se i kushtojnë shumë arkës së shtetit.
Hulumtuesit kanë bërë të ditur se tradita e çuditshme e këtyre ngjitësve mund të luajë rol psikologjik për t’i nxitur njerëzit të dalin në votime.
Një tjetër çudi që ka bërë bujë të madhe në votimet amerikane është ajo e kufizimeve kohore për votim.
Shteti i Indianas i jep votuesit vetëm tre minuta koha për të votuar në zgjedhjet paraprake dhe dy minuta për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të komunave.
Alabama ndërkaq ndan nga katër minuta kohë për vendimmarrje. Nëse ky afat kalohet, një zyrtar i qendrës së votimit mund të ofrohet për ndihmë.
Çudia më e madhe e votimeve amerikane ndërkaq vjen nga shteti i Kentuckyt.
Kushtetuta e Kentuckyt ua ndalon “idiotëve dhe të çmendurve” votimin në zgjedhje, por një person duhet ta konstatohet si i paaftë dhe të përjashtohet nga votimi me vendim të një gjykatësi.
Në fakt, termet “idiotë” dhe “persona të çmendur” ishin fraza të zakonshme në kushtetutat e Ohios, New Mexico dhe Mississippit. Mirëpo i referoheshin persona me çrregullime mendore.
Neni i pestë i kushtetutës së Ohios thotë kështu: “Asnjë idiot apo i çmendur nuk do ta ketë privilegjin e një votuesi”.
Por sipas ligjit federal, një personi nuk mund t’i ndalohet votimi shkaku i paaftësisë, përveç në rrethana shumë të kufizuara.
Personat me çrregullime mendore mund të votojnë dhe për këtë u ofrohet edhe ndihma.
Edhe personat me nevoja të veçanta kanë të drejtë të votojnë dhe këtë mund ta bëjnë me ndihmën e miqve ose anëtarëve të familjes.
Por a e keni ditur se në disa shtete amerikanët mund të ndryshojnë votën e tyre?
Së paku në shtatë shtete amerikane lejohet ndryshimi i votës vetëm nëse kanë votuar para ditës së zgjedhjeve. Meqenëse më shumë se 40 për qind e amerikanëve kanë votuar para kohe për zgjedhjet e sivjetme, ky ligj ka marrë vëmendje të veçantë.
Në vitin 2016, republikani Donald Trump kishte kërkuar nga votuesit në Wisconsin që të votonin përsëri po qe se i kanë rënë pishman që kanë votuar demokraten Hillary Clinton.
Ky shtet ua lejon votuesve që të ndërrojnë mendjen tri herë para se vota e tyre të bëhet zyrtare në ditën e zgjedhjeve, por numërohet vetëm një votë.
Shumë shtete janë të mendimit se ky proces merr shumë kohë.
Një ligj të tillë të votimit e kanë edhe Minnesota, Pennsylvania, New Yorku, Connecticuti dhe Mississippi.
Ndërkaq në Tennessee sfidimi i dikujt në duel automatikisht e pamundëson pjesëmarrjen në garën zgjedhore.
Zyrtarët mund të dënohen dhe t’u hiqen titujt në rast se rrihen apo marrin pjesë në ndonjë duel.
Ndonëse votimi nga gjithësia është një gjë e pazakontë, për më shumë se 20 vjet astronautëve u mundësohet kjo formë e votimit.
Në vitin 1997, asokohe guvernatori i Texasit, George W Bush, mundësoi procedura teknike për t’ua lejuar astronautëve votën përtej planetit.
Astronautët i marrin fletëvotimet e tyre nëpërmjet emailave nga NASA.
Pas votimit, fletëvotimi kthehet prapa në tokë.
Si pjesë e një tradite të lashtë është edhe inaugurimi i presidentëve me dorën vendosur mbi Bibël.
Ani pse Kushtetuta amerikane nuk ua kërkon që presidenti të betohet në Bibël, këtë traditë e nisi George Washingtoni, kur e përdori Biblën e tij masone.
Presidenti John Adams e përdori librin e së drejtës në vitin 1825, ndërkaq Theodore Roosevelt vendosi të betohej pa libër në vitin 1902.
Ndërkaq pararendësi i Donald Trumpit - Barack Obama - u betua në Biblën e Abraham Linkolnit.