Botë

Çka janë “tokat e rralla” dhe pse Trumpi i dëshiron ato nga Ukraina?

Donald Trump Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Mineralet e rralla të tokës, të cilat presidenti amerikan, Donald Trump, shpreson t'i sigurojë nga Ukraina si pjesë e një marrëveshjeje për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë metale strategjike thelbësore për industritë që zhvillojnë kompjuterë, bateri dhe teknologji moderne të energjisë.

Çka janë “tokat e rralla” dhe a janë ato në të vërtetë të rralla?

Me emra si ‘dysprosium’, ‘neodymium’ dhe ‘cerium’, “tokat e rralla” janë një grup prej 17 metalesh të rënda që në fakt gjenden “me bollëk” në koren e Tokës në të gjithë globin.

Në një vlerësim të vitit 2024, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar se ka 110 milionë tonë depozita në mbarë botën, duke përfshirë 44 milionë në Kinë, që deri tani është prodhuesja më e madhe në botë. 22 milionë tonë të tjerë llogaritet të jenë në Brazil, 21 milionë në Vietnam, ndërsa Rusia ka 10 milionë e India shtatë milionë tonë.

Por nxjerrja e metaleve kërkon përdorim të rëndë kimik që rezulton në sasi të mëdha mbetjesh toksike, dhe ka shkaktuar disa fatkeqësi mjedisore.

Dhe ato shpesh gjenden në përqendrime të vogla xeherore, që do të thotë se sasi të mëdha shkëmbi duhet të përpunohen për të prodhuar produktin e rafinuar, shpesh në formë pluhuri.

Pse Trumpi i dëshiron ato?

Secila prej 17 “tokave të rralla” përdoret në industri dhe mund të gjendet në shumëllojshmëri të gjerë pajisjesh të përditshme dhe të teknologjisë së lartë, duke filluar nga llambat deri te raketat.

Europiumi është thelbësor për ekranet televizive, ceriumi përdoret për lustrimin e qelqit dhe rafinimin e vajit, lantanumi bën që konvertuesit katalitikë të një makine të funksionojnë, kështu që lista në ekonominë moderne është praktikisht e pafundme.

Dhe të gjitha kanë veti unike që janë pothuajse të pazëvendësueshme.

Neodymium dhe dysprosium, për shembull, mundësojnë prodhimin e magnetëve pothuajse të përhershëm, super të fortë që kërkojnë pak mirëmbajtje, duke e bërë të zbatueshme vendosjen e turbinave me erë të oqeanit, për të gjeneruar energji elektrike larg vijës bregdetare.

Trumpi ka thënë të hënën se dëshiron të arrijë një marrëveshje në të cilën Kievi garanton furnizimin me “toka të rralla” në këmbim të ndihmës amerikane, një ide e përmendur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vitin e kaluar.

Nga vjen pjesa më e madhe e furnizimit aktual në botë me “toka të rralla”?

Për dekada, Kina ka shfrytëzuar maksimalisht rezervat e saj të “tokës së rrallë” duke investuar masivisht në operacionet e rafinimit, shpeshherë pa mbikëqyrjen e rreptë mjedisore që kërkohet në vendet perëndimore.

Kina gjithashtu ka paraqitur një numër të madh patentash për prodhimin e “tokës së rrallë”, një pengesë për kompanitë në vende të tjera që shpresojnë të nisin përpunimin në shkallë të gjerë.

Si rezultat, teksa rezervat e “tokave të rralla” janë të shumta, shumë firmave u kushton më lirë të dërgojnë mineralin e tyre të papërpunuar në Kinë për rafinim.

SHBA-ja dhe BE-ja e marrin pjesën më të madhe të furnizimit nga Kina, por të dyja po përpiqen të rrisin prodhimin e tyre dhe të riciklojnë më mirë atë që përdorin, për të reduktuar varësinë nga Pekini.

Në kulmin e një mosmarrëveshjeje tregtare SHBA-Kinë në vitin 2019, media shtetërore kineze sugjeroi se eksportet e “tokës së rrallë” në Shtetet e Bashkuara mund të ndërpriteshin si hakmarrje për masat amerikane. Japonia ishte ballafaquar me një ndërprerjeje në vitin 2010, kur Kina ndaloi eksportet e tokës së rrallë për shkak të një konflikti territorial.

Që atëherë, Tokio është përpjekur shumë për të diversifikuar furnizimet, duke nënshkruar marrëveshje me grupin australian “Lynas” për prodhim nga Malajzia.

Si ndryshojnë ato nga “mineralet kritike”?

“Tokat e rralla” janë ndër elementët e përcaktuar si minerale kritike në SHBA, por jo e gjithë lista. Ndër masat e shpallura nga Pekini në përgjigje të tarifave të SHBA-së për mallrat kineze, janë kontrollet e eksportit për disa minerale kritike, megjithëse asnjëra prej tyre nuk është “tokë e rrallë”.

Ministria e Tregtisë e Kinës dhe administrata doganore kanë thënë se vendi po vendos kontrolle të eksportit për metalet tungsten, teluri, bismut, molibden dhe indium, për të “mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare”.

Tungsteni, teluri, bismuti dhe indiumi janë përcaktuar si “minerale kritike” nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Këto materiale janë thelbësore për teknologjitë e avancuara, energjinë e pastër dhe sigurinë kombëtare.