Armët biologjike janë të ndryshme nga armët kimike. Është një frazë që përdoret për të përshkruar armatimin e një sëmundjeshkaktuesi të rrezikshëm si Ebola.
Rusia ka akuzuar Ukrainën se punon me SHBA-në për armët biologjike. Një nga arsyet është se Ukraina, si shumë vende në botë, ka punuar në kërkime mbi Covidin dhe sëmundjeshkaktues të tjerë dhe ka kërkuar mënyra për të mbrojtur popullsinë kundër tyre.
Ukraina ka mohuar çdo akuzë se po punon për armët biologjike.
Problemi është se ekziston një zonë potencialisht gri midis punës për mënyrat se si të mbroni popullsinë nga sëmundjeshkaktuesit e dëmshëm dhe punës së fshehtë se si ato mund të përdoren si armë. Rusia nuk dha asnjë provë të menjëhershme të keqbërjeve të Ukrainës në këtë fushë.
Rusia, kur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, kontrollonte program vërtet masiv të armëve biologjike, të drejtuar nga një agjenci e quajtur Biopreparat. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shkencëtarët hynë për ta çmontuar atë në vitet 1990. Ata zbuluan se sovjetikët kishin prodhuar antraksin, linë e vogël dhe sëmundje të tjera pasi i kishin testuar te majmunët e gjallë në Rusinë jugore. Ata madje ngarkuan spore antraksi në kokat e raketave ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi që synonin qytetet perëndimore.