Çifti që kishte ikur nga hoteli ku po qëndronin në karantinë në Holandë ka akuzuar autoritetet holandeze se po i trajtojnë në kushte më të këqija sesa në burg.
Carolina Pimenta testoi pozitive me COVID-19 pasi arriti në aeroportin e Amsterdamit nga Afrika e Jugut të premten. Ajo u arrestua nga policia ushtarake të dielën mbrëma ndërsa ishte brenda një aeroplani që po bëhej gati të fluturonte për në Spanjë.
Një ndalesë e fluturimeve hyri në fuqi pas zbulimit të variantit Omicron të koronavirusit, ndërsa 624 pasagjerë ishin nisur për të udhëtuar në Amsterdam nga Afrika e Jugut.
61 nga ata udhëtarë testuan pozitivë me COVID-19, dhe pas analizave të mëtutjeshme u konstatua se së paku 14 prej tyre janë me variantin e ri.
Që nga atëherë ka dal se varianti i ri ishte prezent në Holandë edhe më herët se që është menduar, në mostrat e marra nga 19 deri 23 nëntor.
Carolina, një hulumtuese e biokimisë nga Portugalia që mbush 28 vjet në pak ditë, ishte në mesin e 61 personave që rezultuan pozitivë me COVID-19. Ndërsa partneri i saj, spanjolli Andres Sanz rezultoi negativ. Ajo kishte rezultuar negative në test PCR para fluturimit.
Të dy deshën të qëndronin bashkë kështu që u transferuan te hoteli Ramada. Por Carolina e bindur se ishte rezultati gabim i testit, kërkoi ritestim.
Ajo i ka thënë BBC se autoritetet lokale, që ishin në detyrë në recepcion të hotelit, i thanë asaj që partneri i saj të marrë biçikletën e të shkoj në supermarket për të blerë teste antigjene. Si kontakt i afërt i një personi që ka rezultuar pozitiv ai duhej po ashtu të izolohej.
Çifti pretendon se treguan testet negative te policia holandeze dhe iu tha se mund të shkojnë. Morën taksin dhe u nisën në aeroport përdorën testet negative PCR që kishin bërë para fluturimit të tyre nga Afrika e Jugut. Me to hipën në aeroplan për në Spanjë.
Por të dy u ndaluan.
Autoritetet shëndetësore holandeze mohojnë se çiftit i është thënë leje të largohet.
Carolina Pimenta ka rezultuar dy herë negative në teste PCR dhe teste antigjente në Holandë.
Avokatët e çiftit besojnë se ata nuk kanë pse mbahen në izolim.
Për momentin çifti është në një spital për pacientë me tuberkulozë në qytetin verior Haren.
“Është më keq se burgu këtu”, thotë Pimenta. “Mbrëmë vërshoi uji tualetin. Më thonë tash se duhet të pres e të bëjë edhe një test PCR nesër. Më duket sikur po presin derisa të sëmurem për të thënë se kanë të drejtë. Ne shkuam në pushime të ëndrrave në Afrikë e tash po përjetojmë një makth”, thotë ajo.