Botë

Çifti britanik shkon në Poloni për të mbledhur ukrainaset shtatzëna

Një çift në Mbretërinë e Bashkuar po përgatitet të udhëtojë drejt Polonisë për të marrë refugjatet ukrainase shtatzëna dhe për t’iu ofruar strehë.

Peter O'Keefe dhe Belinda Harvey, të cilët jetojnë pranë Winchesterit në Angli, i kanë ofruar ndihmë Ksenias nga Kharkivi, e cila është në muajin e shtatë të shtatzënisë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Ksenia, 25-vjeçare, bashkëshorti i së cilës ka mbetur në Ukrainë, do pritet në Varshavë javën e ardhshme nga çifti.

Belinda ka thënë se vendimi për ta pritur atë erdhi rastësisht.

"Ka një tjetër Belinda në fshat dhe ajo po organizonte një takim. Mua më erdhi një e-mail me detajet e kësaj refugjateje dhe ne thjesht menduam 'pse jo'", ka thënë ajo.