Botë

CIA thotë se lideri i Hamasit po përballet me presion të brendshëm për t’i dhënë fund luftës

Yahya Sinwar

Yahya Sinwar

Foto: Associated Press

CIA ka vlerësuar se udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, është nën presion të shtuar nga komandantët e tij ushtarakë për të pranuar një marrëveshje armëpushimi dhe për t'i dhënë fund luftës me Izraelin, ka thënë drejtori i CIA-s, Bill Burns në një konferencë me dyer të mbyllura të shtunën, sipas një burimi që mori pjesë.

Sinwar, arkitekti kryesor i masakrës së 7 tetorit në Izrael, nuk është "i shqetësuar për nivelin e vdekshmërisë", por po përballet me presionin e fajësimit për vuajtjet e mëdha në Gaza, është shprehur Burns në konferencë, ka bërë të ditur për CNN burimi.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se Sinwar fshihet në tunele në vendlindjen e tij, Khan Younis në Gaza, dhe është vendimmarrësi kryesor për Hamasin nëse do të pranojë apo jo një marrëveshje.

Burns – i cili për muaj të tërë ka zhvilluar negociata si personi kryesor i administratës Biden, ka thënë se ishte detyrë e qeverisë izraelite dhe Hamasit të përfitonin nga ky moment, më shumë se nëntë muaj që nga fillimi i luftës, për të arritur një armëpushim.

Por presioni i brendshëm me të cilin përballet Sinëar tani është i ri, duke përfshirë thirrjet nga komandantët e tij të lartë të cilët janë të lodhur nga lufta, ka thënë Burns, sipas të pranishmëve.

Presioni i shtuar mbi Sinwar vjen pasi Hamasi dhe Izraeli kanë rënë dakord për një marrëveshje kornizë që presidenti Joe Biden e parashtroi në fund të majit. Kjo është ajo që zyrtarët amerikanë kanë thënë se po përdoret si bazë për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve.

Burns sapo ishte kthyer nga udhëtimi i tij i fundit javën e kaluar në Lindjen e Mesme për t'u përpjekur të çonte më tej negociatat mbi një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh në Gaza, duke u takuar me homologët ndërmjetësues nga Katari dhe Egjipti, si dhe me kreun e inteligjencës së jashtme të Izraelit.

Të shtunën, Burns ka thënë se ekziston një "mundësi e brishtë përpara nesh" dhe se shanset për të rënë dakord për një armëpushim janë më të mëdha se sa kanë qenë, disa muaj pasi një armëpushim i shkurtër i përkohshëm mundësoi lirimin e dhjetëra pengjeve në nëntor. Por ai ka theksuar se faza përfundimtare e negociatave është gjithmonë e vështirë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po përballet gjithashtu me presion të jashtëzakonshëm të brendshëm për të arritur një marrëveshje që do të sillte në shtëpi pengjet e mbetura të mbajtura në Gaza. 

Mijëra protestues izraelitë dalin rregullisht në rrugët e Tel Avivit duke kërkuar që qeveria të fokusohet në kthimin e pengjeve dhe jo në fushatën ushtarake.