Botë

Çfarë shkoi keq për Kamala Harrisin?

Kamala Harris

Gati një muaj më parë, kandidatja demokrate Kamala Harris u shfaq në ABC në atë që pritej të ishte intervistë miqësore që synonte t’u prezantohej amerikanëve që donin të dinin më shumë rreth saj.

Por pritjet u errësuan shpejt nga përgjigja e saj ndaj një pyetjeje se çfarë do të kishte bërë ndryshe nga presidenti aktual, Joe Biden: “Asgjë nuk më vjen në mendje”.

Përgjigja e Harrisit – që u shfrytëzua për sulm nga republikanët – nënvizoi dështimin e fushatës së saj në humbjen e së martës ndaj republikanit Donald Trump.

Publikisht, ajo e pranoi humbjen të mërkurën pasdite, duke u thënë mbështetësve “mos u dëshpëroni”.

Por kërkimi se ku gaboi dhe çfarë tjetër mund të kishte bërë, ka të ngjarë të zgjasë më shumë ndërsa demokratët fillojnë të ngrenë pyetje për të ardhmen e partisë.

Zyrtarët e fushatës së Harrisit heshtën në orët e hershme të së mërkurës, ndërsa disa ndihmës shprehën tronditje për atë që pritej të ishte garë shumë më e ngushtë, por u mbyll me fitore bindëse të Trumpit.

Si zëvendëspresidente në detyrë, Harrisi nuk ishte në gjendje të shkëputej nga presidenti jopopullor dhe të bindte votuesit se ajo mund të ofronte ndryshimin që ata po kërkonin në mes të brengave ekonomike.

“Hija” e Bidenit

Pasi Bideni u tërhoq nga gara pas paraqitjes katastrofike në debat, Harrisi u vendos në krye të demokratëve, pa marrë asnjë votë në primaret e partisë.

Ajo filloi fushatën 100-ditore duke premtuar “gjeneratë të re të lidershipit”, duke mbledhur gratë rreth të drejtave të abortit dhe duke u zotuar të rifitojë votuesit e klasës punëtore duke u fokusuar në çështjet ekonomike duke përfshirë rritjen e kostove dhe përballueshmërinë e strehimit.

Me vetëm tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve, ajo krijoi vrull mes mbështetësve, që përfshin mori ‘memesh’ në rrjetet sociale, mbështetje nga yje të shumtë dhe donacione rekord. Por Harrisi nuk mundi të lëkundte ndjenjat anti-Biden që përshkuan pjesën më të madhe të elektoratit.

Rreth dy të tretat e votuesve besojnë se SHBA-ja është në rrugën e gabuar nën drejtimin e Bidenit.

Disa aleatë kanë vënë në dyshim privatisht nëse Harrisi i qëndroi shumë besnike Bidenit. Por Jamal Simmons, ish-drejtori i komunikimit i zëvendëspresidentes, e quajti atë “kurth”, duke argumentuar se çdo distancë do t'u kishte dhënë republikanëve një linjë tjetër sulmi.

“Nuk mund të ikësh nga presidenti që të zgjedh”, ka thënë ai.

Harrisi hezitoi për të ndryshuar ndonjë nga politikat e Bidenit, ndërkohë që as nuk i promovoi gjatë fushatës.

Por më pas ajo nuk arriti të jepte argument bindës se përse duhet të drejtonte vendin dhe se si do të trajtonte zhgënjimet ekonomike si dhe shqetësimet mbi emigracionin.

Rreth 3 në 10 votues thanë se gjendja financiare e familjes së tyre po binte, rritje nga rreth 2 në 10 katër vjet më parë, sipas të dhënave nga AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120 mijë votues.

Nëntë në 10 votues ishin shumë ose disi të shqetësuar për çmimin e sendeve ushqimore.

I njëjti sondazh zbuloi se 4 në 10 votues thanë se emigrantët që jetojnë ilegalisht në SHBA duhet të deportohen në vendin e tyre të origjinës, nga rreth 3 në 10 që thanë të njëjtën gjë në vitin 2020.

Dhe megjithëse Harrisi u përpoq të kalonte pjesën e brendshme të fushatës duke nënvizuar se administrata e saj nuk do të ishte vazhdimësi e Bidenit, ajo dështoi të përvijonte qartë politikat e saj, shpesh duke anashkaluar çështjet pa adresuar dështimet.

Përpjekja për të mbajtur bazën e votimit që fuqizoi Bidenin

Harrisi kishte shpresuar të mbante bazën e votimit që fuqizoi fitoren e Bidenit në vitin 2020, duke marrë votuesit me ngjyrë, latinë dhe të rinj.

Por dështoi. Ajo humbi 13 pikë me votuesit latinë, dy pikë me votuesit me ngjyrë dhe gjashtë pikë me votuesit nën 30 vjeç, sipas exit-polleve, të cilat mund të ndryshojnë me numërimin e votave, por konsiderohen të sakta.

Senatori i pavarur, Bernie Sanders i Vermontit, i cili humbi garën për kandidat presidencial te demokratët në vitin 2016 nga Hillary Clinton dhe zgjedhjet e 2020 nga Bideni, ka thënë në një deklaratë se nuk ishte “çudi e madhe” që votuesit e klasës punëtore braktisën partinë.

“Së pari, ishte klasa punëtore e bardhë, dhe tani janë punëtorë latinë dhe ata me ngjyrë gjithashtu. Ndërsa udhëheqja demokrate mbron status quo-në, populli amerikan është i zemëruar dhe dëshiron ndryshim. Dhe ata kanë të drejtë”, ka thënë Sanders.

Ndërsa gratë në masë të madhe mbështetën Harrisin para Trumpit, epërsia e zëvendëspresidentes nuk i kaloi kufijtë që ishte shpresuar. Dhe ajo nuk ishte në gjendje të përmbushte ambiciet për të fituar edhe te gratë republikane.

Në zgjedhjet e para presidenciale që kur Gjykata e Lartë përmbysi të drejtën kushtetuese për abortin, demokratët kishin shpresuar se fokusi i Harrisit në luftën për të drejtat riprodhuese do të sillte fitore vendimtare.

Ndërsa rreth 54 për qind e votuesve femra hodhën votën për Harrisin, kishte pak dallim nga 57 për qind që mbështetën Bidenin në vitin 2020.

Sulmet ndaj Trumpit iu kthyen mbrapsht

Edhe para se të zgjidhej si kandidate për presidente, Harrisi kishte kërkuar ta cilësonte garën si referendum mbi Trumpin, e jo garë me Bidenin.

Ish-prokurorja e Kalifornisë u mbështet në përvojën e saj për ta sulmuar në çështjet penale presidentin e ri të SHBA-së.

Por Harrisi zgjodhi të hiqte dorë nga argumenti kryesor i Bidenit se Trumpi përbënte kërcënim ekzistencial për demokracinë, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së lirive personale dhe ruajtjes së klasës së mesme.

Megjithatë, në fazën e fundit, Harrisi mori vendim taktik për të nënvizuar sërish rreziqet e një presidence të dytë të Trumpit, duke e quajtur presidentin “fashist” dhe duke bërë fushatë me republikanët e pakënaqur me retorikën e tij.

Doli të ishte vendim i gabuar.

“Kamala Harris i humbi këto zgjedhje kur u përqendrua pothuajse ekskluzivisht në sulmin ndaj Donald Trumpit”, ka thënë anketuesi veteran republikan Frank Luntz të martën mbrëma.

“Votuesit tashmë dinë gjithçka për Trumpin – por ata donin të dinin më shumë për planet e Harrisit për orën e parë, ditën e parë, muajin e parë dhe vitin e parë të administratës së saj. Ishte dështim kolosal për fushatën e saj për ta vendosur në qendër të vëmendjes Trumpin më shumë sesa idetë e veta”, ka shtuar Luntz.

Në fund të fundit, diçka është e qartë. Demokratët në SHBA kanë probleme më të thella sesa thjesht një president jopopullor.