Irani ka lansuar një sulm të paprecedentë me dronë e raketa në drejtim të Izraelit. Izraeli ka thënë se mbi 300 dronë e raketa janë lansuar nga Irani e shumica prej tyre u shkatërruan. Dronët me të cilën sulmoi Irani, njihet ndryshe si dronë kamikazë, apo “Shahed-136”.
Po çfarë janë ata dhe sa të rrezikshëm janë?
Janë të lehtë, të vegjël, të lirë dhe zor të kapshëm nga radarët. Por kanë edhe pika të dobëta.
Njihen si kamikazë, pasi në momentin që përplasen me cakun, shpërthejnë, e jo si dronët e tjerë që pas sulmeve kthehen në bazë.
Siç vuri në dukje në “X”, gjenerali amerikan në pension dhe analisti ushtarak i CNN-it, Mark Hertling, Shahed-136 është mjaft i lirë - kushton rreth 20,000 dollarë. Nuk ka kamera, por orientohet duke përdorur GPS ose navigacion satelitor. Është pothuajse i padukshëm për radarët, gjë që e bën të vështirë për sistemet klasike kundërajrore. Sipas Hertlingut, mbrojtja më e mirë kundër tyre është bllokimi elektronik, sistemet kundërajrore të dorës si Stinger, zjarri masiv i armëve të vogla dhe armët me laser.
Droni ka krahë në formë delta, timonë stabilizues, një motor helikë në pjesën e pasme dhe një kokë shpërthyese në majë. Është i vogël dhe lehtësisht i lëvizshëm, 3.5 metra i gjatë dhe me hapje krahësh 2.5 metra. Lëshohet lehtësisht nga një automjet ushtarak ose edhe civil. Peshon rreth 200 kilogramë, mund të mbajë deri në 50 kilogramë eksploziv dhe shpejtësia e tij e fluturimit shkon deri në 185 kilometra në orë. Gama e veprimit, sipas disa vlerësimeve, shkon deri në 2500 kilometra.
Drejtohet nga një motor me piston me katër cilindra Mado MD-550, kopje e motorit gjerman të avionit Limbach L550E.
Justin Bronk, ekspert i forcave ajrore në Royal United Services në Britani, komentoi për Guardian se nga njëra anë dronët e tillë janë "të vështirë për t'u përgjuar vazhdimisht", por nga ana tjetër, ata janë shumë më të ngadaltë se raketat e lundrimit.
