Botë

Çfarë fitoi Jinping nga takimi i tij me Bidenin

Në komentet e tij publike drejtuar Bidenit, Xi sugjeroi se Kina kërkonte bashkekzistencën paqësore me Shtetet e Bashkuara dhe ai u tha udhëheqësve të biznesit se Kina ishte gati të ishte një “partnere dhe mike” e SHBA-së

Kur presidenti kinez Xi Jinping u takua me drejtuesit për darkë të mërkurën mbrëma në San Francisko, u prit me jo një, por me tri duartrokitje nga komuniteti i biznesit amerikan.

Ishte një nga disa fitoret e marrëdhënieve me publikun për liderin kinez në udhëtimin e tij të parë në gjashtë vjetët e fundit në Shtetet e Bashkuara, ku ai dhe presidenti Joe Biden arritën marrëveshje që përfshinin fentanilin, komunikimet ushtarake dhe inteligjencën artificiale në margjinat e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.

Të tria ishin rezultate që Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar nga Kina dhe jo anasjelltas, thanë dy persona të informuar për udhëtimin.

Mirëpo Xi dukej se i kishte arritur qëllimet e tij: fitimi koncesioneve të politikave të SHBA-së në këmbim të premtimeve për bashkëpunim, një lehtësim të tensioneve dypalëshe që do të lejojë më shumë përqendrim në rritjen ekonomike dhe një shans për të tërhequr investitorët e huaj që i shmangen gjithnjë e më shumë Kinës.

Heqja e sanksioneve

Sigurimi i premtimit të Xi-s për bashkëpunimin kinez për frenimin e rrjedhës së fentanilit në Shtetet e Bashkuara ishte në krye të listës së detyrave të Bidenit për samitin. Një zyrtar i lartë amerikan ka treguar se marrëveshja sipas së cilës Kina do të ndjekë kompanitë specifike që prodhojnë fenatilin është bërë mbi bazën e “beso, por verifiko”. Në këmbim, qeveria amerikane të enjten hoqi një institut kinez të mjekësisë ligjore të sigurisë publike nga lista e sanksioneve tregtare të Departamentit të Tregtisë, ku u vendos në vitin 2020 për abuzime të dyshuara kundër ujgurëve, synim diplomatik i shumëkërkuar për Kinën.

Kritikët paralajmëruan heqjen e sanksioneve kundër institutit i sinjalizon Pekinit se listat e entiteteve të SHBA-së janë të negociueshme dhe kanë vënë në pikëpyetje angazhimin e administratës së Bidenit për t’i bërë presion Kinës mbi atë që ajo thotë se është gjenocidi i qeverisë kineze ndaj ujgurëve.

“Kjo minon besueshmërinë e listës sonë të njësive dhe autoritetin tonë moral”, ka theksuar një zëdhënës i komitetit të zgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët për Kinën.

Për më tepër, kundërshtarët republikanë të Bidenit argumentojnë se SHBA-ja po humbet një mundësi duke mos shfrytëzuar momentin ekonomik të Kinës për më shumë përfitime diplomatike.

Biden gjithashtu ka shpallur si sukses një marrëveshje për të rifilluar dialogët ushtarakë të ndërprerë nga Kina pas udhëtimit të Kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi në vitin 2022 në Tajvanin e pretenduar nga Kina.

Por, ndërsa Pekini do të mirëpriste tensione më të ulëta, kjo nuk ka gjasa të ndryshojë sjelljen ushtarake kineze që SHBA-ja e sheh si të rrezikshme, siç janë përgjimet e anijeve dhe avionëve amerikanë në ujërat ndërkombëtare që kanë çuar në një numër të përplasjesh.

Zyrtarët e administratës Biden kanë pranuar se krijimi i marrëdhënieve funksionale ushtarake nuk do të jetë aq i lehtë sa takimet gjysmë të rregullta midis zyrtarëve të mbrojtjes.

Miq dhe partnerë?

Në komentet e tij publike drejtuar Bidenit, Xi sugjeroi se Kina kërkonte bashkekzistencën paqësore me Shtetet e Bashkuara dhe ai u tha udhëheqësve të biznesit se Kina ishte gati të ishte një “partnere dhe mike” e SHBA-së, fjalë që synojnë pjesërisht një komunitet biznesi të alarmuar nga goditja e Kinës ndaj industri të ndryshme dhe përdorimi i ndalimeve dhe ndalimeve të daljes nga vendi ndaj disa drejtuesve.

Në mënyrë të ngjashme, shëtitja televizive e Xi-s në kopsht me Bidenin dhe pritja kryesisht me respekt që iu bë Xi-s nga mikpritësit e tij amerikanë, u theksua në mediat e kontrolluara fort të Kinës për t’i treguar audiencës vendase se presidenti i tyre po menaxhon marrëdhëniet më të rëndësishme ekonomike dhe politike të vendit.

Në të njëjtën kohë, Xi i përsëriti Bidenit pikat që ai i bëri në fillim të këtij viti presidentit rus Vladimir Putin, duke i kërkuar presidentit të SHBA që t’i shikojë marrëdhëniet SHBA-Kinë përmes “përshpejtimit të transformimeve globale të paparë në një shekull”.

Analistët thonë se ky është kod për besimin se Kina - dhe Rusia - po riformulojnë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja.

Megjithatë, këtë herë pragmatizmi mund ta ketë tejkaluar ideologjinë. Kina e pranon se është ende e nevojshme që progresi i saj ekonomik të ketë marrëdhënie disi normale me SHBA-në dhe vendet perëndimore, ka thënë Li Mingjiang, profesor në Shkollën Rajaratnam të Studimeve Ndërkombëtare në Singapor.

Përktheu: Blerta Haxhiu