I pyetur për këtë në qershor nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, Vladimir Putini iu drejtua të ashtuquajturës doktrinë bërthamore të Rusisë. “Shikoni çfarë shkruhet këtu. Nëse veprimet e dikujt e kërcënojnë sovranitetin ose integritetin tonë territorial, ne do ta konsiderojmë të mundshme përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, pati thënë ai, duke iu drejtuar dokumentit rus.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022-s, presidenti rus Vladimir Putin, dhe zëra të tjerë nga Kremlini vazhdimisht e kanë kërcënuar Perëndimin me arsenalin bërthamor të saj.
Në ditën e parë të luftës, Putini pati thënë se “kushdo që përpiqet të na pengojë, lëre më të krijojë kërcënime për shtetin dhe popullin tonë, duhet ta dinë se përgjigja ruse do të jetë e menjëhershme dhe do të çojë në pasoja të cilat nuk i keni parë ndonjëherë në histori”.
Pas gati dy vjet e gjysmë luftimesh, Perëndimi i ka dhënë Ukrainës armë të avancuara në vlerë të miliarda dollarëve, disa prej të cilave kanë goditur tokën ruse. E ndërsa ka pasur kërcënime të tjera nga Kremlini – madje edhe për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, të dizajnuara për përdorim në fushëbetejë – deri tash ato kanë mbetur vetëm fjalë.
Çfarë mund ta shkaktojë përfundimisht një përgjigje bërthamore?
I pyetur në qershor nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve se çfarë mund të shkaktojë reagim bërthamor të Rusisë, Putini iu drejtua të ashtuquajturës “doktrinë bërthamore”.
“Shikoni çfarë shkruhet këtu. Nëse veprimet e dikujt e kërcënojnë sovranitetin ose integritetin tonë territorial, ne do ta konsiderojmë të mundshme përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, pati thënë ai duke iu drejtuar dokumentit rus.
Tani atij po i kërkohet ta ndryshojë doktrinën për ta ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe Putini ka thënë se dokumenti mund të modifikohet duke marrë parasysh zhvillimin e situatave në botë.

Çfarë është doktrina bërthamore e Rusisë?
Zyrtarisht i njohur si “Parimet themelore të politikës shtetërore për parandalimin bërthamor”, dokumenti u nënshkrua nga Putini në vitin 2020 dhe tregon se kur Rusia mund të zhytet në arsenalin e saj atomik, më të madhin në botë.
I përshkruan armët bërthamore si “mjet parandalues”, duke theksuar se përdorimi i tyre është një “masë ekstreme dhe e detyruar”. Deklaron se Rusia “ndërmerr të gjitha përpjekjet e nevojshme për të zvogëluar kërcënimin bërthamor dhe të parandalojë përshkallëzimin e marrëdhënieve ndërshtetërore që mund të nxisin konflikte ushtarake, përfshirë ato bërthamore”.
Çfarë do të shkaktonte përdorimin e armëve bërthamore, sipas tij?
Në dokument thuhet se Rusia mund t’i përdorë ato “në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore dhe llojeve të tjera të armëve kundër saj ose aleatëve të saj, si dhe në rast agresioni kundër Federatës Ruse me përdorimin e armëve konvencionale kur vetë ekzistenca e shtetit është në rrezik”.
Thotë se armët bërthamore mund të përdoren në këto situata specifike:
- Nëse merret informacion i besueshëm për lëshimin e raketave balistike që kanë cak territorin e Rusisë ose aleatëve të saj.
- Nëse armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit masiv përdoren kundër Rusisë ose aleatëve të saj.
- Nëse sulmi i një armiku me armë konvencionale kërcënon ekzistencën e Rusisë.
- Nëse ka sulme mbi objekte të rëndësishme qeveritare ose ushtarake, që mund të minojnë aftësinë hakmarrëse të sulmit bërthamor të Rusisë.
A ka ardhur ndonjë sulm deri tani që i afrohet kalimit të këtij pragu?
Derisa Rusia sulmoi pjesë të Ukrainës verilindore afër qytetit Kharkiv, Washingtoni i lejoi Kievit t’i përdorë armët me rreze të gjatë të SHBA-së për të goditur në territor rus në rajonin kufitar. Por, këto sulme ishin të kufizuara dhe nuk do të paraqisnin kërcënim ekzistencial që mund të binte nën doktrinën bërthamore.
Megjithatë, në Moskë janë shënjuar një seri sulmesh ukrainase mbi bazat ajrore ruse që kanë bombardues me kapacitet bërthamor me rreze të gjatë veprimi, si dhe radarët paralajmërues të hershëm.
Në Moskë ka zëra që thonë se këto rrethana duket se kërkojnë përdorimin e armëve bërthamore siç parashihet në doktrinë.
Zyrtarët rusë nuk i kanë komentuar sulmet në caqet më të ndjeshme. Radarët e paralajmërimit të hershëm janë të dizajnuar të vërejnë kur lëshohen raketat amerikane për t’i lejuar Rusisë t’i lëshojë raketat e veta bërthamore para se të shkatërrohen.
James Acton, drejtor i programit për politika bërthamore në institutin “Carnegie Endowment”, ka thënë se sulmet ukrainase në radarët e paralajmërimit të hershëm mund ta nxisin Kremlinin të mendojë se Washingtoni i ka inkurajuar këto sulme për t’u përpjekur që të dobësojë mbrojtjen bërthamore të Rusisë.
“Nëse Moska beson se Washingtoni mund të kryente sulm të suksesshëm në forcat e saj bërthamore, gishti i këmbëzës mund të shtrëngohet shumë, duke rritur rrezikun që Rusia të nisë një sulm të shkallës së gjerë bërthamore bazuar në paralajmërime të rreme ose të keqinterpretuara”, ka thënë Acton.
Çfarë ndryshime po diskutohen për doktrinën?
Kërcënimet bërthamore të Kremlinit janë zbutur kohën e fundit, mes sukseseve të Moskës në luftimet në Ukrainë. Megjithatë, ka thirrje në Rusi për ndryshime të doktrinës bërthamore, dhe Putini ka thënë se mund të modifikohet, varësisht prej ngjarjeve në botë.
Ka individë në Rusi që bëjnë thirrje vazhdimisht për ashpërsim të saj, duke argumentuar se dokumenti aktual është shumë i dobët dhe i paqartë. Ata thonë se doktrina nuk e ka parandaluar Perëndimin që ta rrisë ndihmën në Ukrainë dhe jep përshtypjen se Moska nuk do t’i përdorë ndonjëherë armët bërthamore.
Eksperti për çështje të jashtme, Dmitri Trenin, sugjeron që ajo të rishikohet dhe të deklarojë se Rusia mund të godasë e para me armë bërthamore kur “interesat kyçe kombëtare janë në rrezik”, si në Ukrainë.
“Detyra kryesore në vitin e tretë të konfrontimit ushtarak është parandalimi i angazhimit të mëtejmë të NATO-s në të. Nëse nuk e bëjmë këtë, inercia e përshkallëzimit të vazhdueshëm nga Perëndimi do të çojë në përplasje direkte mes ushtrive ruse dhe të NATO-s, që krijon një luftë bërthamore globale”, ka thënë ai.
Sergei Karaganov, ekspert i politikës së jashtme, që këshillon Kremlinin, po ashtu i ka bërë thirrje Putinit ta ulë pragun e përdorimit të armëve bërthamore.
“Shpresoj të ndryshojë shpejt që të jepet e drejta zyrtare t’i përgjigjesh secilit sulm në territorin tonë me sulm bërthamor”, i ka thënë ai liderit rus.
“Shpresoj që kjo pikë do të shtohet në doktrinë për t’ua ulur kokën armiqve tanë”.
Karaganov e ka ngjasuar Perëndimin me Sodomin dhe Gomorrahn, qytetet biblike të shkatërruara nga Zoti me një shi zjarri për shkak të ligësisë së tyre.
“Le ta mbajmë mend atë zjarr që ta bëjmë njerëzimin të vijë në vete”.
Putini u përgjigj duke thënë se aktualisht ai nuk sheh asnjë kërcënim që do të kërkonte përdorimin e armëve bërthamore, por ai po ashtu e mbajti të hapur derën për rishikimin e politikës.
“Kjo doktrinë është instrument i gjallë, me kujdes po shikojmë çfarë po ndodh në botë përreth nesh, dhe nuk përjashtojmë ndryshime në doktrinë”, ka thënë ai.
Nevoja për modifikim të dokumentit, ka shtuar Putini, është nisur nga shqetësimet se Perëndimi mund të ketë pozicionuar armë bërthamore në pajisje me fuqi më të vogël. Putini nuk dha specifika, por komentet i tij mund t’u jenë referuar diskutimeve në SHBA për vendosjen e raketave bërthamore në nëndetëse me fuqi më të vogla.
Përkrahësit e idesë thonë se armë të tilla janë të nevojshme për të përballuar kërcënimet ruse, ndërsa kritikët argumentojnë se mund të ulet pragu, që SHBA-ja t’i përdorë armët bërthamore dhe të rritet rreziku për luftë.
“Po zhvillohen pajisje bërthamore me fuqi shumë të vogël, dhe jemi të vetëdijshëm për idetë që po qarkullojnë në rrethin e ekspertëve në Perëndim se këto pajisje mund të përdoren dhe se nuk ka asgjë të tmerrshme aty. Jemi të obliguar ta marrim parasysh këtë, dhe po e marrin parasysh”, ka thënë Putini.