Botë

Çdo e treta grua në BE ka përjetuar dhunë, thotë hulumtimi

Dhuna ndaj grave

Çdo e treta grua në të gjithë Bashkimin Evropian ka përjetuar dhunë fizike, duke përfshirë kërcënime ose dhunë seksuale, ka zbuluar një hulumtim i ri, teksa një zyrtare e ka përshkruar këtë si një "epidemi të padukshme".

Gjetjet, të cilat u publikuan të hënën, rrjedhin nga anketimi i grave të moshës 18 deri në 74 vjeç nga 27 shtetet anëtare të BE-së, raporton The Guardian.

“Hulumtimi ofron një paraqitje të shkurtër të ndikimit të gjerë që dhuna ka pasur në 229 milionë gra që jetojnë në të gjithë bllokun”, ka thënë Sirpa Rautio, drejtoresha e Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore. 

“Një e treta e tyre janë goditur me shuplakë, shkelmuar, përdhunuar ose kërcënuar me dhunë të tillë. Në BE, në vitin 2024, ende nuk mund të garantohet siguria e grave”, ka deklaruar ajo.

Shifrat mbetën pothuajse të pandryshuara nga ato të publikuara në një anketë të vitit 2014 në mbarë BE-në mbi dhunën ndaj grave. 

“Një dekadë më vonë, ne vazhdojmë të dëshmojmë të njëjtat nivele tronditëse të dhunës që prekin një në tri gra”, ka shtuar Sirpa Rautio.

Hulumtimi i publikuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, zbuloi gjithashtu se një në gjashtë gra në BE kishte përjetuar dhunë seksuale, përfshirë përdhunimin, gjatë moshës madhore.

Rreth 19% e grave thanë se ishin përballur me dhunë ose kërcënime dhune nga një person që jetonte në familjen e tyre. 

"Shtëpia është ende një vend i rrezikshëm për shumë gra”, është shprehur Rautio.

Vetëm 14% e grave thanë se kishin denoncuar dhunën në polici. Ato që kishin zgjedhur të mos raportonin, përmendën shqetësimet për sigurinë e tyre, ndjenjat e turpit ose mungesën e besimit te autoritetet. 

“Ky mosraportim do të thotë se ne kemi një epidemi të padukshme dhune në Evropë”, ka deklaruar Rautio.

Carlien Scheele, drejtoresha e Institutit Evropian për Barazi Gjinore, i lidhi nivelet e ulëta të raportimit me "turpin dhe fajin" që vazhdon të shoqërohet me dhunën ndaj grave. 

"Realiteti shqetësues nuk është vetëm sa gra përjetojnë dhunën në BE, por është gjithashtu se sa gra nuk raportojnë përvoja të dhunës”, ka thënë ajo.

Scheele i përshkroi gjetjet si veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh përhapjen e përmbajtjes mizogjene në mediat sociale. 

“Ajo që ne shohim në Bashkimin Evropian është se ka një rritje të narrativave, strategjive, lëvizjeve anti-gjinore, le të themi. Dhe kështu, gratë po tallen dhe kjo ndjenjë antigjinore po përdoret për të ndryshuar gjërat në shoqëri që mendoj se po e përkeqëson situatën në të cilën jetojmë”, është shprehur Scheele. 

Dhuna ndaj grave i kushton BE-së rreth 289 miliardë euro në vit, ka shtuar Scheele, duke përmendur një shifër të lidhur me humbjen e prodhimit ekonomik dhe koston e shërbimeve publike si ndihma ligjore dhe strehimi. 

“Pra, përveç vuajtjes njerëzore dhe shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave, dhuna sjell edhe kosto të mëdha ekonomike për Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo.