Botë

Carney i quan tarifat e Trumpit për vetura “sulm direkt” ndaj vendit të tij

Mark Carney

Foto: Associated Press

Kryeministri i ri kanadez, Mark Carney, ka thënë të mërkurën se tarifat për vetura të presidentit amerikan, Donald Trump janë një "sulm i drejtpërdrejtë" ndaj vendit të tij dhe se lufta tregtare po dëmton amerikanët, duke vënë në dukje se besimi i konsumatorëve amerikanë është në nivelin më të ulët shumëvjeçar.

Trumpi ka njoftuar të mërkurën se po vendoste tarifa 25% për importet e veturave dhe, për të nënvizuar qëllimin e tij, ai ka deklaruar se "Kjo do të jetë e përhershme".

"Ky është një sulm shumë i drejtpërdrejtë. Ne do të mbrojmë punëtorët tanë. Ne do të mbrojmë kompanitë tona. Ne do të mbrojmë vendin tonë”, ka thënë Carney.

Carney ka shtuar se duhet të shohë detajet e urdhrit ekzekutiv të Trumpit përpara se të marrë masa hakmarrëse.

Carney më herët ka njoftuar për një "fond reagimi strategjik" prej 2 miliardë dollarësh për mbrojtjen e  automjeteve të prekura nga tarifat e Trumpit.

Veturat janë eksporti i dytë më i madh i Kanadasë dhe Carney ka vërë në dukje se ky sektor punëson 125,000 kanadezë drejtpërdrejt dhe pothuajse 500,000 të tjerë në industritë e lidhura.

Presidenti Trump e ka zhytur SHBA-në në një luftë tregtare globale.

Kryeministri i ri, i betuar në 14 mars, ende nuk ka zhvilluar ndonjë telefonatë me Trumpin. Është e pazakontë që një president i SHBA-së dhe një kryeministër kanadez të kalojnë kaq gjatë pa folur pasi një udhëheqës i ri merr detyrën.

"Do të ishte e përshtatshme që presidenti dhe unë të flasim duke pasur parasysh veprimet që ai ka ndërmarrë. Jam i sigurt se kjo do të ndodhë së shpejti”, është shprehur Carney. 

LEXO EDHE: