Botë

Cameron i kërkon Izraelit të mos përshkallëzojë situatën në Lindjen e Mesme

David Cameron

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron i ka kërkuar Izraelit të mos përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme, përpara zhvillimit të bisedimeve me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Cameron i cili ndodhet në Izrael, ka shprehur solidaritetin e tij pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, raporton BBC.

Cameron më vonë gjatë ditës do të udhëtojë për në Itali, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e ministrave të G7-ës, ku do të diskutohet për vendosjen e sanksioneve të koordinuara ndaj Iranit.

Ai e ka akuzuar Teheranin se qëndron prapa shumë aktiviteteve malinje në Lindjen e Mesme dhe u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të miratojnë masa për të kufizuar ndikimin e Iranit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke shqyrtuar vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, teksa Izraeli ka kërkuar nga aleatët e tij që Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ta shpallin organizatë terroriste. 

Të martën në mbrëmje, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka biseduar me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu dhe ka paralajmëruar se përshkallëzimi vetëm sa do ta thellojë paqëndrueshmërinë në rajon.

Cameron pritet ta përforcojë thirrjen e Sunak-ut për përmbajtje gjatë kësaj vizite në Izrael si dhe të ushtrojë më shumë presion mbi udhëheqësit e tij për të lejuar kalimin e më shumë ndihmave në Rripin e Gazës.

David Cameron është vetëm një nga disa ministrat e jashtëm perëndimorë që pritet ta vizitojnë Izraelin në ditët në vijim. 

Të mërkurën përveç Cameron, me presidentin izraelit, Isaac Herzog në Izrael është takuar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.