Një gjykatë në Nepal e ka shpallur fajtor për abuzim seksual ndaj fëmijëve burrin që për të cilin mijëra njerëz kanë menduar të jetë rimishërimi i Budës, ka bërë të ditur një zyrtar i gjyqit të martën.
Si adoleshent, Ram Bahadur Bomjon ka marrë vëmendje ndërkombëtare në vitin 2005, kur mijëra njerëz kanë shkuar ta shohin të ashtuquajturin “Buddha Boy (Djaloshi Buda)” të ulur këmbëkryq për gati 10 muaj nën një pemë të pyllit juglindor të Nepalit.
Sipas tyre, ai ka medituar për disa ditë pa ujë, ushqim ose gjumë.
Sadan Adhikari, sekretar i gjykatës së distriktit Sarlahi, ka thënë se Bomjoni është shpallur fajtor për abuzim seksual ndaj fëmijëve, pa dhënë detaje. Gjyqi do ta dënojë më 1 korrik Bomjonin, 33-vjeçar. Ai mund të përballet me dënimin prej 14 vjetësh burgim, raporton Reuters.
Avokati i tij Dilip Kumar Jha, ka thënë se nuk ka provë kundër klientit të vet dhe se ata do ta apelojnë rastin në një gjykatë më të lartë.
Bomjoni është arrestuar në janar nga Byroja Qendrore e Hetimit (CIB) e policisë së Nepalit në një shtëpi në periferi të Kathmandus, ku ka qenë duke u fshehur që nga lëshimi i urdhër arrestit nga gjykata, pas akuzave për abuzim seksual.
Buda ka qenë themelues i fesë budiste në Indi në shekullin VI para erës sonë.