Botë

Burgim i përjetshëm për personin që sulmoi me çekiç burrin e Nancy Pelosit

Nancy Pelosi me bashkëshortin

Nancy Pelosi me bashkëshortin

Personi që hyri në shtëpinë e ish-kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Nancy Pelosi dhe sulmoi burrin e saj me çekiç është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht pas akuzave shtetërore në Kaliforni, shkruan BBC.

Sulmuesi David DePape u dënua gjithashtu me 30 vjet burgim në maj nga një gjykatë federale në San Francisco – të dyja dënimet do t’i vuajë njëkohësisht.

Në gjyqin shtetëror, një juri e San Franciskos e shpalli DePapen fajtor për rrëmbim, vjedhje të shkallës së parë dhe burgosje të rreme të një plaku. Sulmi la Paul Pelosin, tani 84 vjeç, në spital për gjashtë ditë me kafkë të thyer dhe lëndime të tjera.

Në një deklaratë pas dënimit, familja Pelosi ka thënë se “drejtësia është vënë në vend”.

Ata shtuan se shpresojnë se dënimi dërgon mesazh “se dhuna politike kundër zyrtarëve të zgjedhur ose anëtarëve të familjeve të tyre nuk do të tolerohet”.

VIDEO:

Avokati i DePape planifikon ta apelojë vendimin e së martës.

Avokati Adam Lipson kishte kërkuar dënim më të butë, duke argumentuar se DePape vuante nga problemet e shëndetit mendor dhe izolimi.

Videoja e incidentit tregon DePapen, shtetas kanadez që ka jetuar në SHBA për dy dekada, duke hyrë në shtëpinë e Pelosit në Kaliforni me një çekiç më 28 tetor 2022.

DePape kërkoi Nancy Pelosin, e cila nuk ishte në shtëpi, kur u përball me bashkëshortin e saj.

Sulmuesi në gjykatë ka përmendur disa teori konspirative që lidhen me sulmin e 11 shtatorit 2001 si arsye për sulmin.