Britania do të njoftojë më vonë të martën një ndalim tregtar për mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, një masë e konfirmuar nga një ministër i lartë, si pjesë e përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.
Duke qenë në detyrën e re prej gjashtë javësh, ministri i Jashtëm, Ed Miliband, ka sinjalizuar javën e kaluar se po shqyrtonte një rishikim të politikës së Britanisë ndaj Izraelit dhe pritet të bëjë një deklaratë në Dhomën e Ulët të Parlamentit lidhur me Izraelin dhe kufizimet tregtare.
Kryeministri i ri i Britanisë, Andy Burnham, gjithashtu në detyrë që nga muaji korrik, ka folur të hënën me presidentin amerikan, Donald Trump, për të theksuar "rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete", në atë që shihet si një referencë ndaj sanksioneve.
Miliband ka thënë javën e kaluar se projekti izraelit i vendbanimit "E1" në Bregun Perëndimor do të cenonte territorin që palestinezët e kërkojnë për shtetin e tyre, duke rrezikuar kështu zgjidhjen me dy shtete.
I pyetur se si do të funksiononte ndalimi tregtar, ministri i Pensioneve, Pat McFadden, nuk ka dhënë detaje.
"Ministri i Jashtëm do të bëjë një deklaratë në Parlament më vonë gjatë ditës së sotme”, ka thënë McFadden për "Times Radio".
"Arsyeja pse ky rrezik është bërë më urgjent lidhet me zgjerimin e aktiviteteve të ndërtimit të vendbanimeve gjatë javëve dhe muajve të fundit”, ka shtuar ai.
Organet e OKB-së dhe shumica e qeverive, përfshirë atë të Britanisë, i konsiderojnë vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe e shohin Bregun Perëndimor si territor nën pushtimin ushtarak izraelit.
Izraeli argumenton se territori është i kontestuar dhe jo i pushtuar, si dhe pohon se hebrenjtë kanë një të drejtë historike mbi atë tokë.
Izraeli thotë se do të mbyllë konsullatën e Britanisë në Jersualem
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka thënë se Izraeli do ta mbyllë konsullatën e Mbretërisë së Bashkuar në Jerusalem.
Veprimi vjen si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Britanisë për të sanksionuar vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas qeverisë britanike, "Konsullata e Përgjithshme Britanike në Jerusalem përfaqëson qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza" dhe punon për "interesat politike, tregtare, të sigurisë dhe ekonomike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Palestinës".
Ministri Saar gjithashtu ka akuzuar Britaninë për ndërhyrje në zgjedhjet që do të mbahen këtë vjeshtë në Izrael.
Britania sanksionon vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, akuzon kolonët për “spastrim etnik”
Britania e Madhe ka njoftuar të martën një ndalim tregtar për mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, në koordinim me Francën dhe Kanadanë.
Ky është sanksioni më i fundit që synon Izraelin, ndërsa vendi përballet me rritje të izolimit diplomatik.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka thënë në Parlament të martën se Britania nuk mund të mjaftohej më vetëm duke “denoncuar” padrejtësinë dhe vuajtjet, duke shtuar se vendi tani duhet të “veprojë” për të kundërshtuar zgjerimin e vendbanimeve.
“Sot refuzojmë të jemi spektatorë përballë vuajtjeve të mëtejshme dhe shkatërrimit të zgjidhjes me dy shtete”, ka deklaruar Miliband.
Miliband ka thënë se edhe Franca e Kanadaja do të njoftojnë së shpejti ndalimin e importit të mallrave nga vendbanimet e paligjshme dhe se atyre do t’u shtohen edhe një varg shtetesh të tjera evropiane.
SHBA-ja, përmes ambasadorit të saj në Izrael, e ka kritikuar tashmë vendimin e ri të Britanisë për sanksionet, ndërsa dy ministra izraelitë kanë bërë thirrje për marrjen e masave kundër Britanisë.
Miliband ka thënë gjithashtu se qëndrimi i Britanisë është se pushtimi i Bregut Perëndimor është i paligjshëm, dhe se Londra zyrtare beson se në disa zona të Bregut Perëndimor po kryhet spastrim etnik i palestinezëve.
Ndikimi mbi tregtinë dypalëshe, me vlerë rreth 8 miliardë dollarë në vit, pritet të jetë minimal.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se si Britania do të bëjë dallimin mes mallrave me origjinë nga vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe produkteve të prodhuara në Izrael.
Dy ministra të rëndësishëm izraelitë kanë reaguar me zemërim ndaj vendimit. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë thirrje për dëbimin e ambasadorit britanik në Tel Aviv, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu të mbyllë Konsullatën Britanike në Jerusalemin Lindor, e cila është e akredituar pranë Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka akuzuar Britaninë për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme të Izraelit, të planifikuara për në fund të tetorit.
“Në kontekstin aktual, kjo do të përbënte një ndërhyrje flagrante në zgjedhjet demokratike të një kombi sovran. Dhe nuk do t'i shërbente askujt. Për fat të keq, do t'u shkaktonte dëm të drejtpërdrejtë palestinezëve, duke i privuar ata nga mundësitë për biznes dhe punësim...Sanksionet nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është dialogu”, ka deklaruar Herzog.
Në qendër të shqetësimeve të fundit është projekti i vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor, jo larg Jerusalemit. Ky projekt do të ndërpresë një pjesë të territorit që palestinezët e kërkojnë për një shtet të pavarur në të ardhmen dhe, sipas Miliband, e vë në rrezik zgjidhjen me dy shtete.
Ministri izraelit Smotrich ka njoftuar të martën për avancimin e planeve për ndërtimin e 1,000 banesave të reja në dy vendbanime të tjera në Bregun Perëndimor.
Kombet e Bashkuara, palestinezët dhe shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Izraeli e kundërshton këtë qëndrim.
Britania iu bashkua në vitin 2025 vendeve të tjera duke njohur shtetin palestinez, si një mënyrë për të nxitur zgjidhjen me dy shtete. Në qershor, ajo vendosi sanksione ndaj rrjeteve izraelite të përfshira në financimin, mundësimin dhe kryerjen e dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.