Policia britanike po mban të arrestuar pesë burra dhe po ekzaminon eksplozivë të dyshuar të gjetur pranë një baze ajrore të operuar nga SHBA-ja në Angli, ndërsa hetuesit kundër terrorizmit po shqyrtojnë nëse arrestimet kishin parandaluar një sulm të mundshëm të lidhur me Iranin.
Pesë burrat janë arrestuar herët të dielën, pasi tre furgonë u vunë re pranë bazës ajrore RAF Fairford, një bazë në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar, por e operuar nga Forcat Ajrore të SHBA-së, e cila është përdorur nga bombarduesit amerikanë gjatë dekadave të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Pesë burrat, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike, fillimisht janë arrestuar nën dyshimin për vepra penale që lidhen me eksplozivët, ndërsa më vonë u bë e ditur se ata po mbahen edhe nën dyshimin se po përgatitnin një akt terrorizmi. Policia mund t’i mbajë ata deri në 14 ditë, përpara se t’i akuzojë ose t’i lirojë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se të dyshuarit ishin arrestuar pas bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Britanisë dhe se ata ishin “nën vëzhgim” prej disa kohësh. Megjithatë, policia ka thënë se arrestimet janë kryer pas një telefonate në orët e para të së dielës për “automjete të dyshimta” pranë bazës.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, nuk ka pranuar të jepte detaje për operacionin, por ka thënë se “ishte një moment krenarie” që Trumpi kishte vlerësuar “punën që policia dhe shërbimet tona të inteligjencës bëjnë çdo ditë”.
“Kur dhe nëse të jetë e mundur, do ta informojmë publikun për këta persona dhe për natyrën e kërcënimit”, ka thënë Streeting për Times Radio.
Hetuesit ende nuk kanë arritur në përfundimin nëse incidenti ishte një sulm i mbështetur nga një shtet, por po hetojnë një lidhje të mundshme me Iranin.
Arrestimet vijnë në një kohë tensionesh të shtuara lidhur me kërcënimin nga shtetet armiqësore, ndërsa shërbimet britanike të inteligjencës kanë thënë se Rusia dhe Irani kanë përdorur të dyja ndërmjetësues për të kryer vepra penale në territorin britanik.
Britania nuk i është bashkuar luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka nisur më 28 shkurt, dhe fillimisht e ka refuzuar kërkesën e Trumpit për të përdorur bazat në Mbretërinë e Bashkuar për të goditur Iranin.
Por kryeministri i atëhershëm, Keir Starmer, ka rënë dakord në mars që SHBA-ja të përdorte bazat në Britani për ato që ai i ka quajtur operacione “mbrojtëse” kundër raketave të Iranit dhe vendeve të lëshimit të tyre, pas sulmeve iraniane ndaj interesave britanike dhe aleatëve të Britanisë në Gjirin Persik.
Bombarduesit amerikanë B-1 dhe B-52 janë ngritur nga Fairfordi, 160 kilometra në perëndim të Londrës, për të kryer operacione gjatë konfliktit me Iranin.
Britania liron me kusht pesë të arrestuarit për komplot me bombë pranë bazës amerikane
Pesë të rinj britanikë, të arrestuar me akuza për eksplozivë dhe terrorizëm pranë një baze ajrore të drejtuar nga SHBA-ja në Angli, janë liruar me kusht të hënën, ndërkohë, hetuesit e antiterrorizmit kanë deklaruar se po ndiqnin "disa pista hetimi", përfshirë mundësinë e një lidhjeje me Iranin.
Burrat janë ndaluar herët të dielën, pasi tre furgonë ishin pikasur pranë RAF Fairford, një bazë në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar, e cila është përdorur nga bombarduesit amerikanë gjatë dekadave të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Hetuesit nuk kanë arritur ende në një përfundim nëse incidenti ishte i mbështetur nga ndonjë shtet.
Ata po shqyrtojnë një lidhje të mundshme me Iranin, Rusinë ose grupe militante që nuk gëzojnë mbështetje shtetërore. Baza RAF Fairford ka qenë gjithashtu në qendër të protestave nga aktivistë kundër luftës.
Pesë të dyshuarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, fillimisht u ndaluan për shkelje të dyshuara lidhur me eksplozivët dhe më pas u arrestuan me dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist. Policia bëri të ditur se të gjithë burrat janë shtetas britanikë nga Londra dhe janë në të njëzetat e tyre.
Irani hedh poshtë pretendimet për lidhje me të arrestuarit në bazën ajrore në Britani
Irani ka hedhur poshtë pretendimet se ka lidhje me pesë arrestimet e kryera në bazën ajrore britanike Fairford, sipas një deklarate nga Ambasada iraniane në Londër.
“Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Londër hedh poshtë kategorikisht dhe dënon ashpër spekulimet e fundit të pabaza dhe dashakeqe, të publikuara nga disa individë dhe media britanike, të cilat përpiqen ta lidhin Iranin me arrestimin e pesë të dyshuarve në afërsi të bazës RAF Fairford. Përhapja e spekulimeve të tilla të fabrikuara, veçanërisht pas akteve kriminale të agresionit të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit kundër popullit iranian, nuk do të shërbejë për asgjë tjetër veçse për të nxitur propagandën e iranofobisë në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në deklaratë.
Policia britanike ka arrestuar të dielën pesë të dyshuar për komplot me bombë ndaj bazës ushtarake që përdoret nga ushtria amerikane.
Të hënën është bërë e ditur se pesë të arrestuarit janë shtetas britanikë dhe se po hetohen lidhjet e mundshme me Iranin, për shkak se baza ishte përdorur nga SHBA-ja për sulme kundër këtij vendi, që kur ka nisur lufta më 28 shkurt.
Pesë të arrestuarit për komplot të dyshuar afër bazës amerikane janë shtetas britanikë
Policia britanike ka bërë të ditur se pesë burrat e arrestuar për një komplot të dyshuar me bombë afër bazës ajrore ushtarake të përdorur nga ushtria amerikane, janë të gjithë shtetas britanikë.
Pesë burrat e arrestuar lidhur me komplotin e dyshuar me bombë në bazën ajrore RAF Fairford janë të moshës 20-29 vjeç, sipas një njoftimi nga njësia e policisë kundër terrorizmit.
Të dyshuarit janë arrestuar të dielën në mëngjes, pas raportimit nga një fermere se kishte parë tre automjete të dyshimta.
Hetuesit ende nuk kanë arritur në përfundimin nëse incidenti ishte një sulm i mbështetur nga një shtet, por po hetojnë një lidhje të mundshme me Iranin.