Më shumë se 6 mijë policë britanikë po përgatiten për trazira të reja kundër emigrantëve dhe myslimanëve pasi ekstremistët e djathtë njoftuan se do të sulmonin qendrat e azilit dhe zyrat e imigracionit në të gjithë vendin të mërkurën.
Rrugët e Britanisë së Madhe kanë qenë pre e trazirave që javën e kaluar kur një 17-vjeçar me origjinë nga Ruanda vrau me thikë tre vajza të mitura në qytetin veriperëndimor anglez Southport.
Grupet anti-imigrim dhe anti-islamike e përdorën krimin për të përhapur dezinformata dhe urrejtje në internet, duke shkaktuar trazira në një numër qytetesh. Ata shpikën informacionin se 17-vjeçari ishte islamist dhe azilkërkues, megjithëse policia më vonë njoftoi se asnjëra nga këto nuk ishte e vërtetë.
Grupet anti-raciste dhe antifashiste kanë paralajmëruar kundërprotestë ndaj ekstremistëve të djathtë në të gjithë vendin.
“Mbeturinat raciste do të përpiqen të sulmojnë zyrën e një avokati të imigracionit. Ne nuk do ta lejojmë – merrni maska për fytyrën”, është një nga mesazhet e kundërprotestuesve.
Për të luftuar kundër protestuesve, qeveria krijoi një njësi prej gjashtë mijë forcave speciale që do t'i përgjigjen çdo dhune.
Kryeministri britanik Keir Starmer bëri të ditur se deri më tani janë arrestuar më shumë se 400 persona dhe 100 prej tyre janë akuzuar dhe se së shpejti pret vendimet e para.
Në aplikacionet e internetit, protestuesit po komplotojnë sulmet e së mërkurës ndaj qendrave të imigracionit dhe kompanive ligjore që ndihmojnë emigrantët.