Botë

Britania largon nga Izraeli familjarët e stafit të ambasadës së saj në Tel Aviv

Ambasada britanike

Britania ka tërhequr familjet e stafit të ambasadës së saj që punon në Izrael për shkak të përshkallëzimit të luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe rrezikut të një konflikti më të gjerë rajonal.

Vendimi vjen pas dërgimit të trupave të Izraelit në Libanin jugor, vrasjes së liderit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah dhe një sulmi raketor iranian ndaj Izraelit.

"Si një masë paraprake pas përshkallëzimit në rajon, anëtarët e familjes së stafit të Ambasadës Britanike janë tërhequr përkohësisht”, thuhet në një njoftim, raporton Reuters.

Raketat e Hezbollahut goditën qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa, herët të hënën.

Britania këshillon qytetarët që të mos udhëtojnë në zonën afër kufirit me Gazën, në pjesë të tjera të Izraelit dhe territoret e pushtuara palestineze për shkak të konfliktit njëvjeçar midis Izraelit dhe Hamasit.