Botë

Britania e Madhe sanksionon Milorad Dodikun

Mbretëria e Bashkuar njoftoi se ka sanksionuar anëtarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe kreun e SNSD-së, Milorad Dodik si dhe presidenten e Republika Srpskas, Zhelka Cvijanoviqin për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin dhe funksionalitetin e Bosnjës.

Sanksionet kundër Dodikut dhe Cvijanoviqit përfshijnë ndalimin e udhëtimeve si dhe ngrirjen e aseteve, ka shkruar të hënën “Klix.ba”.

"Këta dy politikanë po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnjë-Hercegovinë. Të inkurajuar nga presidenti rus Vladimir Putin, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor", tha në një deklaratë sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Milorad Dodik është përshkruar si një udhëheqës separatist serb i Bosnjës, i cili ka ndërmarrë veprime për të tërhequr Republikën Srpskan nga institucionet kryesore shtetërore, duke përdorur ndarje, retorikë të rrezikshme, nacionaliste, duke minuar paqen e brendshme e rajonale si dhe duke nxitur urrejtje etnike dhe mohim të gjenocidit.

Zhelka Cvijanoviq, që po ashtu vjen nga partia që udhëheq Dodik, SNSD, u sanksionua sepse ajo lavdëroi publikisht kriminelët e luftës dhe mohoi gjenocidin në Srebrenicë, ku më 1995 u vranë mbi 8000 civilë myslimanë.

Qeveria britanike ka potencuar se këto sanksione nuk janë kundër Republikës Srpska apo qytetarëve të saj.

“Këto sanksione kanë për qëllim dy persona që janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme në pozicionet e tyre”, thuhet në njoftim.

Të inkurajuar nga minimi i sistemit ndërkombëtar nga Rusia, Dodik dhe Cvijanoviq përdorën pozitat e tyre të pushtetit për të shkëputur Republika Srpskan nga pjesa tjetër e vendit, që sipas Britanisë, mund të çojë në konflikt.

"Milorad Dodik filloi një aksionin për të tërhequr Republikën Srpskan nga institucionet kryesore shtetërore, duke përdorur retorikë përçarëse, të rrezikshme, nacionaliste, duke prishur paqen e brendshme e rajonale dhe duke nxitur urrejtje etnike e mohim të gjenocidit", thuhet në vendim.

Në tetor të vitit 2021, Zhelka Cvijanoviq përdori zyrën e saj për të paraqitur ligje në Republika Srpskas që kërkonin të transferonin kompetencat shtetërore në nivelin e njësisë.

"Cvijanoviq lavdëroi publikisht kriminelët e luftës dhe mohoi gjenocidin në Srebrenicë", thuhet më vendim. \klix.ba