Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se ai e mirëpret marrëveshjen midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë pas bisedimeve në Arabinë Saudite të martën.
“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e sotme në Jeddah dhe përgëzoj presidentin Trump dhe presidentin Zelensky për këtë përparim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Starmer në një deklaratë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për paqen në Ukrainë dhe ne të gjithë tani duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur.
Siç kanë thënë delegacionet amerikane dhe ukrainase, topi është tani në anën ruse. Rusia tani duhet të pajtohet me një armëpushim dhe një fund të luftimeve gjithashtu”, thuhet më tej në deklaratë.
Ai ka shtuar se do të thërrasë të shtunën një takim virtual të vendeve të gatshme për të mbështetur armëpushimin.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për t'i dhënë fund kësaj lufte në një mënyrë të drejtë dhe të përhershme që i mundëson Ukrainës të gëzojë lirinë e saj”, ka thënë Starmer.
