Britania do ta dëbojë atasheun e mbrojtjes të Rusisë, me akuzën se ai është një zyrtar i padeklaruar i inteligjencës ushtarake.
Vendimi është një nga disa masat që Britania është duke i ndërmarrë kundër Moskës, për aktivitete keqdashëse, ka bërë të ditur qeveria të mërkurën, raporton AP.
Sekretari i Brendshëm, James Cleverly ka thënë se masat kanë për qëllim atë që i ka quajtur “aktivitete të rrezikshme dhe të pamatura të qeverisë ruse nëpër Evropë”.
Qeveria ka thënë se Shërbimi federal rus i Sigurisë kishte targetuar anëtarë të Parlamentit në vitet e fundit duke i hakuar ata, dhe po ashtu ka rrjedhur dokumente tregtare të Britanisë me SHBA-në.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të anulojë statusin diplomatik të disa pronave në pronësi ruse, sepse ato besohet se janë përdorur për qëllime të inteligjencës, dhe do të vendosë kufizime të reja për vizat dhe vizitat diplomatike ruse.
Ambasadori rus atje do të njoftohet për masat dhe do t'i thuhet se veprimet e Rusisë nuk do të tolerohen, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.
“Mesazhi ynë për Rusinë është i qartë: Ndaloni këtë luftë të paligjshme, tërhiqni trupat tuaja nga Ukraina, ndaloni këtë aktivitet keqdashës”, ka thënë Cleverly.
Mbretëria e Bashkuar ka pasur një marrëdhënie jo të lehtë me Moskën për vite me radhë, duke akuzuar agjentët e saj për një sërë operacionesh kibernetike në Mbretërinë e Bashkuar që kanë shënjestruar parlamentarët britanikë dhe për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme për t'i shërbyer interesave ruse.
Pas fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, ajo ka sanksionuar gjithashtu qindra rusë të pasur dhe ka lëvizur për të luftuar pastrimin e parave përmes pronave dhe tregjeve financiare të Londrës.