Botë

Braverman pranon se Britania ka dështuar t’i kontrollojë kufijtë

Suella Braverman po përballet me pesë sfida ligjore për një krizë në qendrën e procedimit të azilkërkuese “Manston”, por këmbënguli se njerëzit që kërkonin azil në varka të vogla dhe kontrabandistët e tyre ishin fajtorë për kaosin.

Sekretarja e Brendshme u tha deputetëve se legjislacioni i planifikuar për të shtrënguar sistemin e azilit nuk do të paraqitet në parlament këtë vit, raportoi The Guardian.

Deri në fund të muajit të kaluar, më shumë se 4,000 njerëz që kërkonin strehim u strehuan në qendrën e refugjatëve në Kent, e cila ishte projektuar për të mbajtur vetëm 1,600 dhe për t'i proceduar ata brenda 24 orëve.

Disa kishin qenë atje për më shumë se katër javë, në shkelje të mundshme të rregullave të Qeverisë dhe ligjit. Gjatë ndalimit shpërthyen sëmundjet infektive dhe një person vdiq. Eskpertët thonë se çdo shkelje mund t'i kushtojë qeverisë dhjetëra miliona funte si kompensim.

Burimet e Qeverisë pohuan të martën se ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel ishte përgjegjëse për "pauzimin" e blerjes së hoteleve gjatë verës.

E pyetur se kush ishte fajtori për numrin e madh të rasteve në Manston, Braverman tha se ajo nuk donte t'i "drejtonte gishtin e fajit" asnjë sekretareje të brendshme.

“Unë ju tregoj se kush është fajtori, është shumë e qartë se kush e ka fajin, janë njerëzit që po shkelin rregullat tona, vijnë këtu ilegalisht, duke shfrytëzuar njerëzit e cenueshëm dhe duke u përpjekur të zvogëlojnë bujarinë e popullit britanik – këta e kanë fajin”, tha ajo. .

Braverman tha se legjislacioni i ri për të luftuar kalimet e Kanalit dhe abuzimin e supozuar të ligjeve moderne të skllavërisë tani nuk ka gjasa të dalë në parlament përpara Krishtlindjeve.

Deputetët bënë pyetje në lidhje me sistemin e azilit gjatë të cilit Braverman pranoi se "ne nuk kemi arritur të kontrollojmë kufijtë tanë".