Presidenti amerikan, Donald Trump do të publikojë të mërkurën serinë e fundit të tarifave në Shtëpinë e Bardhë, duke kërcënuar se do të nisë një luftë tregtare globale në atë që ai e ka quajtur “Dita e Çlirimit”.
Trumpi ka tronditur tregjet globale të aksioneve, ka alarmuar drejtuesit e korporatave dhe ekonomistët dhe ka shkaktuar tensione me partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, duke shpallur dhe vonuar më pas disa herë planet për të vendosur tarifa mbi importet e huaja që nga marrja e detyrës, raporton The Guardian.
Asnjë detaj i planeve të së mërkurës nuk është bërë i disponueshëm përpara njoftimit. Presidenti do të flasë në orën 16:00 më kohën amerikane. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zbatimi i tarifave do të jetë i menjëhershëm.
Trumpi i ka bërë të qartë disa objektiva që dëshiron të arrijë përmes tarifave të tij: Të kthejë prodhimin në SHBA, t’u përgjigjet politikave të padrejta tregtare nga vendet e tjera, të rrisë të ardhurat nga taksat dhe të stimulojë goditjen ndaj migracionit dhe trafikut të drogës.
Zbatimi i tarifave të tij deri më tani ka qenë i rastësishëm, me rikthime dhe vonesa të shumta dhe premtime të paqarta që ende nuk janë realizuar. Kërcënimet kanë përkeqësuar marrëdhëniet e SHBA-së me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i ka quajtur ato “të pajustifikuara” dhe është zotuar të hakmerret. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë se ka një “plan të fortë” për t'u hakmarrë.
LEXO EDHE:
Starmer: Lufta tregtare s’është në interesin e askujt
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar të mërkurën mbi tarifat e reja që presidenti amerikan, Donald Trump, ka lajmëruar se do t’i shpalosë më vonë gjatë ditës së mërkurë, duke thënë se lufta tregtare s’është në “interesin e askujt” dhe se qeveria britanike do të aplikojë një “qasje të qetë dhe pragmatiste”.
“Një luftë tregtare s’është në interesin e askujt dhe ne do të aplikojmë një qasje të qetë dhe pragmatiste. Vendimet tona do të udhëhiqen gjithmonë nga interesi kombëtar, prandaj jemi të përgatitur për çdo eventualitet, dhe nuk do të përjashtojmë asgjë”, ka thënë Starmer, raporton The Guardian.
Ai ka refuzuar thirrjet e liderit të partisë Liberal Demokratike, Ed Davey, i cili i ka propozuar atij të udhëheq një koalicion ekonomik të të vullnetshmëve që do të ballafaqohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftë tregtare.
Starmer ka shtuar se Davey po provon gjithmonë ta shtyjë atë të bëjë një zgjedhje të gabuara midis Amerikës dhe Evropës.
“Unë mendoj se është një zgjedhje e gabuar për mbrojtjen, për sigurinë e inteligjencës, për arsye që i kemi përsëritur në këtë dhomë. Unë gjithashtu mendoj se është e gabuar sa i përket tregtisë dhe ekonomisë”, ka shtuar Starmer.
Trump: Sot është Dita e çlirimit për Amerikën
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur ditën e mërkurë, duke deklaruar se kjo është “Dita e Çlirimit” për Amerikën.
“ËSHTË DITA E ÇLIRIMIT NË AMERIKËN!”, ka shkruar Trumpi në rrjetin e tij social “Truth Social”.
Presidenti amerikan e ka cilësuar 2 prillin si ditë të çlirimit duke pretenduar se shpallja e tarifave reciproke do ta çlirojë SHBA-në nga varësia ndaj mallrave të huaja.
Ende nuk dihen detajet e rundit të ri të tarifave të Trumpit të cilat do të shpallen në Shtëpinë e Bardhë në ora 16:00 me kohën e Amerikës.
Tarifat pritet të kenë ndikim në mbarë botën, teksa shumë vende po presin për të parë se cilat do të jenë ato dhe në çfarë mënyre t’u kundërpërgjigjen.
Italia i frikësohet ndikimit në industrinë e saj të modës nga tarifat e Trumpit
Italia ka frikë se moda, produktet farmaceutike dhe industria e ushqimit do të goditen më së rëndi nga tarifat e Trumpit.
Kreu i grupit të industrisë kombëtare “Confindustria”, Emmanuele Orsini, ka thënë për të përditshmen italiane “La Stampa” të mërkurën se efektet e tarifave amerikane do të jenë masive për kompanitë italiane, raporton The Guardian.
Ai i ka bërë thirrje Evropës që të negociojë me Trumpit, për të evituar eskalimin e mëtejmë të marrëdhënieve tregtare dhe ka paralajmëruar se Kina do të jetë përfituese nga tarifat.
“Duhet të vlerësojmë me vëmendje të madhe tarifat që do të shpallen nga Trumpi. Ka rrezik për Italinë. Qendra jonë e hulumtimeve është duke e përcaktuar ndikimin, i cili do të jetë masiv”, ka deklaruar Orsini.
Sipas tij, bizneset më sasi të madhe të eksportit, si sektori farmaceutikal, dhe industritë e modës dhe ushqimit, do të preken më së shumti.
Në përgjigje të tarifave, ai ka bërë thirrje për zvogëlim të shkallëve së interesit nga Banka Qendrore Evropiane dhe marrëveshje të reja tregtare me shtetet si Meksika, India, Japonia dhe Tajlanda.
Legarde: Tarifat e Trumpit do të jenë negative për mbarë botën
Kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Legarde, ka deklaruar të mërkurën se tarifat e planifikuara të presidentit amerikan, Donald Trump, do të jenë negative për mbarë botën.
“Do të jenë negative në të gjithë botën dhe dendësia dhe qëndrueshmëria e ndikimit do të ndryshojnë në varësi të fushëveprimit, produkteve të synuara, sa kohë zgjasin, nëse ka apo jo negociata”, ka thënë ajo në një intervistë për radion Newstalk të Irlandës.
“Sepse të mos harrojmë, shpesh këto përshkallëzime të tarifave, sepse ato rezultojnë të dëmshme, madje edhe për ata që i vendosin ato, çojnë në tavolina negocimi ku njerëzit ulen dhe diskutojnë dhe përfundimisht heqin disa nga ato barriera”, ka shtuar Legarde.
Trumpi pritet të shpallë të mërkurën pasdite me kohën e SHBA-së, rundin e fundit të tarifave gjithpërfshirëse, duke e quajtur këtë “Dita e çlirimit”.
Nuk dihet se për çfarë tarifash bëhet fjalë dhe se kë do ta prekin ato më shumë.
Bien aksionet evropiane, dollari forcohet kundrejt funtës dhe euros
Aksionet evropiane kanë rënë, pasi investitorët po presin me nervozizëm njoftimin e tarifave të SHBA-së këtë mbrëmje, dhe çdo hakmarrje nga partnerët tregtarë të vendit.
Në Londër, indeksi FTSE 100 ka humbur 20 pikë, ose 0.2%.
Tregjet e aksioneve në Gjermani, Francë dhe Itali kanë rënë me rreth 0.5%, raporton The Guardian.
Në tregjet valutore, funta ka rënë me 0.1% kundrejt dollarit në 1.2903 dollarë, ndërsa euro është ulur pothuajse ngjashëm, në 1.0783 dollarë. Dollari është rritur pak kundrejt disa prej monedhave kryesore.
Çfarë dihet e çfarë jo për tarifat e Trumpit
Planet për vendosjen e tarifave pritet të shpaloset nga presidenti amerikan më vonë të mërkurën. Tek pati paralajmëruar vendosjen e tyre, presidenti amerikan Donald Trump e pati quajtur të mërkurën “Dita e çlirimit”.
Më herët në mars, Trumpi pati thënë se tarifat do të jenë reciproke – pra SHBA-ja do t’i tarifojë shtetet njësoj siç ia bëjnë ato SHBA-së.
Ditë më vonë, gjithsesi, ai u tha gazetarëve se numri mund të jetë më i vogël sesa tarifat e shteteve të tjera.
Ende nuk dihet kush do të preket, apo a do të jenë tarifat të njëjta për të gjithë
Por dihet se një tarifë e re prej 25% për veturat që importohen në SHBA do të hyjë në fuqi që nga e enjtja. Ndërsa për pjesët e veturave kjo do të hyjë në fuqi në muajt në vazhdim.
Disa tarifa tashmë janë duke u implementuar – një tarifë ishte vendosur ndaj importeve të çelikut dhe alumin. Trumpi po ashtu ka vendosur tarifa ndaj të gjitha mallrave të importuara prej Kinës për 20 për qind.
Kanadaja i është përgjigjur me 25 për qind tarifë ndaj aluminit dhe çelikut amerikan, ndërsa Kina me 10-15 taksë ndaj disa mallrave bujqësore.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se është i gatshëm të përballet me tarifat.